Diplomati i Parë Serb Përfiton Jashtë Rregullave

Srdjan Sentiç, ish-ministër këshilltarë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel ka përfituar mijëra euro nga qeveria e Kosovës për të kryer studime post diplomike jashtë vendit.

Ai gjatë vitit 2013, me shpenzime të ministrisë, ka kryer master kolegjin për  studime të sigurisë ndërkombëtare një program i përbashkët i Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë George Marschal dhe Universitetit Bundeswehr në Munih.

Kolegji gjendet në qytetin Garmisch të Bavarisë në Gjermani.

Një pjesë e studimeve të tij ishin mbështetur financiarisht edhe nga qeveria e SHBA-ve.

Sentiç këtë magjistraturë e kreu në kohën që ishte duke punuar me orar të plotë në ambasadë.   

Megjithëse ligji dhe udhëzimet administrative që janë në fuqi në Kosovë, nuk parashohin që Ministria e Punëve të Jashtme të paguaj shpenzimet e shkollimit të zyrtarëve diplomatik, Sentiç arriti ta ketë këtë privilegj.

Por Ministria e Punëve të Jashtme është kritikuar për këtë favorizim të diplomatit të parë kosovarë nga komuniteti serb.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka bërë publike vërejtjet ndaj MPJ-së në raportin e publikuar në korrik të këtij viti. 

ZAP ka gjetur se MPJ-ja pagoi 11 mijë e 38 euro për shkollimin e zyrtarit diplomatikë përkundër që nuk kishte bazë ligjore që mundësonte një benificion të tillë për anëtarë të ambasadave kosovare nëpër botë. 

“Ligji dhe rregulloret për misionet diplomatike të Kosovës nuk përcaktojnë pagesën e shkollimit për përfaqësuesit e misioneve diplomatike”, thuhet në raportin e ZAP-it.

ZAP thotë se shpenzimet e shkollimit rrisin rrezikun e krijimit të shpenzimeve të parregullta të cilat e dëmtojnë buxhetin e MPJ-së. 

Auditori rekomandon që shpenzimet për misione diplomatike të bëhen vetëm në përputhje me kërkesat e përcaktuara ligjore.

MPJ arsyeton shkollimin por nuk komenton kritikat për parregullsi 

Sentiç ishte ministër-këshilltar në ambasadën e Kosovës prej gushtit të vitit 2011 deri në maj të vitit 2014.

Tash është kthyer në Prishtinë dhe punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme si zyrtar i lartë për të drejta ndërkombëtare. 

Sentiç, para se të shkollohej në Munih, ka kryer studimet bachelor për drejtësi në Universitetin e Kragujevcit gjatë viteve 1998-2004.

Ai para se të bëhej përfaqësues i diplomacisë kosovare, prej nëntorit 2008, ishte këshilltarë i lartë i kryeministrit Thaçi. 

Në të njëjtën kohë ishte edhe drejtor i zyrës së kryeministrit për çështje të komuniteteve. 

Këto dy pozita i mbajti deri në korrik të vitit 2011.

Ai ende nuk ka dhënë një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me mbështetjen financiare për shkollimin e tij. 

Zyra për Informim e MPJ-së dha versionin e saj lidhur me shkollimin e Sentiç. 

Nëpërmjet një përgjigje të shkruar arsyetoi veprimin e saj por nuk komentoi lidhur me gjetjet e auditimit dhe nuk përmendi se mbi çfarë baze ligjore është ndërmarrë ky vendim. 

ZAP në raportet e saj publikon në faqet e fundit edhe komentet e institucioneve që nuk pajtohen me gjetjet e tyre. Gjetjen për Sentiç nuk e ka komentuar MPJ-ja.

MPJ tha se e bëri këtë me qëllim të përkrahjes së ndërtimit të kapaciteteve të zyrtarëve.

“Duke pasur parasysh edhe nacionalitetin e z. Sentiç, për MPJ-në ka qenë një mundësi më shumë për ta përkrahur profesionalizmin e mëtejmë të tij”, tha zyra për informim e MPJ-së.

MPJ thotë se Sentiç është pranuar në këtë program pas një procesi seleksionues dhe shumë konkurrues.

Sentiç, sipas MPJ-së, ka përfituar mbështetjën financiare nga MPJ e SHBA pas pranimit nga ana e kolegjit ndërkombtarë për studimeve të avancuara në siguri që gjendet në qytetin Garmisch në Gjermani.

“Sentiç ka qenë kandidati i parë nga Ballkani Perëndimor që është pranuar në këtë program dhe është mbështetur financiarisht nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara si dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së. 

Edhe në faturën e pagesës për shkollimin e tij të siguruar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, përmendet mbështetja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Aty madje shkruan se për shkak të kësaj mbështetjeje ka pasur zbritje në  pagesën e shkollimit të zyrtarit të MPJ-së.

“Për shkak të përkrahjes bujare të siguruar për pjesëmarrjen tënde në Programin e Studimeve të Avancuara të Sigurisë dh Seminarin për Luftimin e Armëve të Shkatërrimit në masë të qeverisë së SHBA-ve, jemi në gjendje të ju reduktojmë pagesën për 550 euro dhe 765 euro, në të dy programet, respektivisht nga shuma origjinale prej 11.000 në 9,685”, shkruan në dokumentin e universitetit.

Arzen Randobrava nga zyra e informimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se qeveria e SHBA-ve ka programe të shumta që ndihmojnë shkollimin.

Sipas tij qytetarë e zyrtarë kosovarë kanë përfituar nga këto programe dhe se Sentiç është njëri prej tyre.

Sipas tij, këto programe administrohen nga zyra të ndryshme të ambasadës përmes proceseve konkurruese.

“Srdjan Sentiqi ka marrë pjesë në programin prestigjioz për Studime Aplikative të Sigurisë të Qendrës George C. Marshall. Ky program është financuar pjesërisht nga Qeveria e SHBA-ve”.  

“Shumë zyrtarë të Kosovës kanë marrë pjesë në programet tona të shkollimit”, tha Randobrava.

Komisioni për Punë të Jashtme nuk di për pagesën e shkollimit

Komisioni për Punë të Jashtme i legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës nuk ka qenë në dijeni për pagesën që ministria e punëve të jashtme ka bërë për ministrin/këshilltarë në ambasadën në Bruksel.

Puhie Demaku, sekretare për marrëdhënie me jashtë në lëvizjen Vetëvendosje,  e autorizuar nga Albin Kurti kryetar i atëhershëm i komisionit për punë të jashtme,  tha se kjo trupë legjislative nuk ishte e informuar lidhur me këtë veprim të MPJ-së.

“Kryetari i Komisionit [Albin Kurti], e as Komisioni, nuk ka qenë i njoftuar lidhur me shpenzimet që ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme. Respektivisht nuk ka qenë i njoftuar as për financimin e shkollimit të Ministrit Këshilltar në Bruksel”, tha Demaku.

Sipas Demakut, meqë nuk parashihet me ligjet, rregulloret dhe akte të tjera nënligjore, kjo përbën një shkelje serioze e cila sipas saj duhet të ndëshkohet meqë dëmtohet buxheti i shtetit.

“Për fat të keq, edhe kjo është një shkelje më shumë ne mesin e shkeljeve të shumta që janë shpërfaqur edhe ne media e edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm nga ana e MPJ-së”, tha Demaku.

Edhe Hydajet Hyseni zëvendës kryetar i komisionit, tha se nuk ka pasur informacion për këtë rast.

“Nuk besoj të ketë pasur as komisioni”, tha ai.

Skender Hyseni ish-ministër për Punë të Jashtme i Kosovës tha se nuk ka pasur asnjë rast të shkollimit të diplomatëve gjatë mandatit të tij.

“Sa i përket legjislacionit që ka qenë në fuqi kur unë kam qenë ministër i jashtëm nuk kemi pas, përkatësisht ministria e punëve të jashtme nuk ka pasur fond për bursa për shkollim të këtij lloji”, tha Hyseni.

Ai thotë se nuk ka informacione rreth këtij rasti dhe se nuk dëshiron të paragjykoj.

“Varet në çfarë rrethanash ministri ka marr vendime të tilla nëse ato vendime i ka marr në pajtim me ligjin është në rregull nëse jo atëherë është jashtë ligjore”, tha ai.