Pasojat Kriminale të Kosovës nga Çrregullimi Traumatik i Pasluftës

Një imazh më ka mbetur në kujtesë nga një ditë e nxehtë vere e vitit 1999 në Kosovë. Rrënojat e një shtëpie të djegur nën qiellin e kaltër. Një ushtar britanik që po përpiqej ta fikte zjarrin me një gyp uji nga kopshti.

Qe marrë si e mirëqenë se shtëpia në Prishtinë, si edhe shtëpi tjera të panumërta në mbarë Kosovën të cilat i kaploi zjarri në atë verë, i përkiste serbëve ose ndonjë komuniteti tjetër etnik pakicë. Skena dukej se e përmblidhte përgjigjen joadekuate të paqeruajtësve të NATO-s ndaj dhunës së pamëshirshme të atyre që me çdo kusht donin t’i detyronin serbët dhe të tjerët të largoheshin ose të vdesin.

Si një gazetar që ka punuar në Kosovë për gati një vit që nga mesi i vitit 1999, kam shkruar shumë artikuj rreth vrasjeve dhe kidnapimeve ë serbëve, rreth sulmeve me bomba e granata dhe të shtënave të cilat i shënjestronin ata apo pakicat tjera.

Ishte një rrjedhje e dëshpëruar e urrejtjes. Ne reporterët shkruanim për “akte të hakmarrjes”- një mënyrë e mençur për t’u bindur se pjesëtarët e shumicës shqiptare në Kosovë po godisnin pasi kishin vuajtur mizoritë nga duart e forcave serbe. Më vonë u pa qartë se shumica e dhunës ishte e organizuar, por në çfarë mase dhe prej kujt mbetet e mjegullt.

Tash, 15 vjet më vonë, një prokuror i Bashkimit Evropian ka deklaruar se ka dëshmi për të provuar se sulme të tilla nuk ishin vetëm akte individuale të tërbimit por diçka më keq- një fushatë e pastrimit etnik e organizuar nga disa komandantë kryesorë të UÇK-së, grupit gueril që luftoi kundër forcave serbe në fund të viteve 1990 dhe ndihmuan që NATO të hyjë në konflikt. 

Prokurori Clint Williamson, pret që zyra e tij ta paraqesë një aktakuzë me të cilën do t’i ngarkojë drejtuesit e UÇK-së me krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës. Ata do të akuzohen për vrasje të paligjshme, rrëmbime, burgime ilegale dhe dhunë seksuale.

Deklarata e Williamson-it do të duhej të nxiste kërkimin e shpirtrave jo vetëm në Kosovë por edhe në NATO, OKB dhe në kryeqendrat perëndimore. Nëse ai ka të drejtë, një fushatë e orkestruar për t’i fshirë komunitetet pakicë ka ndodhur kur OKB-ja ishte e ngarkuar për Kosovën dhe kur mijëra trupa të NATO-s ishin përgjegjëse për sigurinë.

 Duke bombarduar Jugosllavinë për t’i përzënë forcat serbe, NATO-ja gjithashtu veproi si de facto forcë ajrore e UÇK-së. Ndërsa Williamson arrin në përfundim se në vitet 1998 dhe 1999, elemente të UÇK-së po bënin një fushatë të dhunës dhe kërcënimit kundër oponentëve politikë të shqiptarëve të Kosovës që përfshinin ekzekutimet dhe kërcënimet.

Nuk do të jetë e lehtë që të hedhen poshtë konkluzionet e Williamson-it. Ai ka kaluar tri vjet në ekzaminimin e rastit. Ai dhe ekipi i tij kanë bërë qindra intervista dhe kanë rishikuar mijëra faqe të dokumenteve. 

Akuzat se prokurori është kundër shqiptarëve të Kosovës vështirë se mund të besohen. Siç e tha edhe vetë ai të martën, ai ka mbikëqyrur hetimet e krimeve të luftës të kryera nga serbët në Kosovë, përfshirë zhvarrosjen e varrezave masive ku ishin varrosur mijëra shqiptarë. Ai është bashkautor i aktakuzës ndaj Slobodan Milosheviqit për këto krime.

Williamson e di fare mirë se çka kanë bërë forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por gjithashtu ai nuk ka fije dyshimi për atë që ndodhi më pas- “një sulm brutal në disa pjesë të popullatës civile… të drejtuara kundër gati të gjithë serbëve të cilët donin të qëndronin në Kosovë, shumë nga ta të moshuar dhe të pafuqishëm”. Fushata u zgjerua edhe ndaj pakicave tjera siç janë romët, të etiketuar si bashkëpunëtorë të serbëve.

Për Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, kjo do të ketë pasoja të mëdha politike. Williamson nuk ka dhënë emrat e atyre që do të akuzohen, por ka thënë se ata janë nga “nivelet më të larta” të UÇK-së. Ky përshkrim gjen aplikim te disa nga politikanët më kryesorë të Kosovës. Mundësia e një aktakuze dhe procesi gjyqësor do t’i mbajë ata pezull për një kohë të konsiderueshme. Gjykata speciale e cila duhet ta gjykojë rastin nuk është themeluar ende- dhe nuk do të themelohet deri në fillim të vitit të ardhshëm, në afatin më të shkurtër.

Por implikimet për NATO-n, OKB-në dhe liderët perëndimorë të kaluar dhe të tashëm gjithashtu janë të shumta. Kushtet të cilat ata i krijuan në Kosovën e pasluftës lejuan shumë “tolerancë për jotolerancë”, siç e kishte përshkruar shefi i atëhershëm i agjencisë së OKB-së për refugjatë, Dennis McNamara. 

Qeveritë perëndimore nuk u bënë presion mjaftueshëm liderëve të UÇK-së për ta ndaluar dhunën. Paqeruajtësit nuk ishin aq të fortë për ta vënë rendin dhe ligjin. Një sistem kredibël i drejtësisë nuk ishte vendosur ende. Pak para se ta bëjë një vit në Kosovë, McNamara e përshkroi mjedisin në Kosovë si “pak si shumë liri për të gjithë për një kohë të gjatë”.

Në pikëpamjen e McNamaras nuk kishte shumë tolerancë në rrethet zyrtare. Qeveritë perëndimore dhe liderët e NATO-s ishin të padurueshëm për ta portretizuar luftën e Kosovës si sukses të madh- gjë që edhe ishte, në një kuptim shumë të rëndësishëm.

 Qindra mijëra shqiptarë ishin në gjendje që të kthehen në Kosovë, t’i rindërtonin shtëpitë e tyre dhe të jetonin pa shtypjen e serbëve. Por dështimi për ta vendosur rendin e pasluftës ishte me kosto të madhe. Dështimi për të nxjerrë mësime nga kjo rrëmujë pati koston edhe më të madhe. 

Kosova duhet t’i kishte mësuar qeveritë perëndimore se çdo vend ose koalicion që ndërmerr veprime ushtarake duhet ta përmbushë vakuumin shpejt dhe vendosmërisht. Përndryshe ky vakuum do të mbushet me dhunë. Dështimi për ta nxjerrë këtë mësim kumbon sot në Afganistan, Libi dhe në mënyrë më katastrofale në Irak.

Andrew Gray është redaktor i Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari të BIRN-it. Ai ka qenë reporter i Reuters-it në Prishtinë nga qershori deri në tetor të vitit 1999, pastaj ka shërbyer si shef i zyrës së kësaj agjencie në Beograd dhe shef i korrespondentëve nga Ballkani deri në janar të vitit 2004.