Një Fund i Dyshimeve për “Luftën e Drejtë” të Kosovës?

Gjykata e re, e cila sipas të gjitha gjasave do të trajtojë një aktakuzë ndaj anëtarëve të profilit të lartë të UÇK-së për krimet që dyshohet se janë kryer pas përfundimit të konfliktit, mund të heqë renë e dyshimeve që ka mbetur mbi Kosovën që nga përfundimi i konfliktit në fund të ’90-ave, thonë avokuesit e të drejtave të njeriut.

“Nëse këto raste zgjidhen, atëherë Kosova pastrohet nga përgjegjësitë dhe shoqëria kosovare çlirohet përfundimisht nga disa tensione që shpesh e kanë mbajtur peng atë”, i tha BIRN-it Rron Gjinovci nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CRDP).

“Në rrafshin ndërkombtar për Kosovën, kjo gjykatë shikuar në terma afatshkurtë nuk është një gjë e mirë… Sido që të jetë, parë në terma afatgjatë, kjo gjykatë dhe ky proces për Kosovën do të jetë një lehtësim nga barra e krimeve të supozuara të kryera në emër të çlirimit të saj”, u shpreh ai.

Clint Williamson, kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese të BE-së, që ka hetuar akuzat për keqbërje gjatë pasluftës, javën e kaluar paralajmëroi se do të ngritet aktakuzë për drejtues të lartë të UÇK-së lidhur me “vrasjet, rrëmbimet, zhdukjet e detyruara, burgosjet ilegale në kampet e burgimit në Kosovë e Shqipëri, dhunën seksuale” dhe krime të tjera.

Williamson tha se raporti i task-forcës vuri në pah se “këta individë mbajnë përgjegjësinë për një fushatë të persekutimeve që ishte drejtuar kundër serbëve, romëve dhe minoriteteve të tjera pakicë në Kosovë si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës që ishin etiketuar si bashkëpunëtorë të serbëve ose, në shumë raste, që cilësoheshin si kundërshtarë politikë të lidershipit të UÇK-së”.

Amnesty International tha se raporti konfirmoi “natyrën e shumëpërhapur të rrëmbimeve dhe vrasjeve sistematike”.

“Ky është një hap shpresëdhënës drejt drejtësisë”, tha Amnesty International.

Nën presionin e Brukselit, në prill të këtij viti Kuvendi i Kosovës miratoi themelimin e një gjykate speciale të cilën shumica e deputetëve e pranuan me gjysmë zemër meqë është një hap të nevojshëm për avancimin e shtetit në përmbushjen e ëndrrës për anëtarësim në BE.

Por, 89 ligjvënës votuan në favor ndërsa 22 kundër themelimit të gjykatës pas një debati të nxehtë në Kuvend, gjatë të cilit kryeministri në largim Hashim Thaçi e cilësoi gjykatën si “padrejtësinë më të madhe dhe një fyerje që po i bëhet Kosovës dhe popullit të saj”.

“Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe në përputhje me normat ndërkombëtarë të luftës”, pati insistuar Thaçi, një nga liderët politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emri i tij ishte lakuar si një nga shkelësit e ligjeve të luftës, por Thaçi ka mohuar të gjitha akuzat.

Qeveria e Kosovës mirëpriti raportin e task-forcës së BE-së duke e përshkruar atë si “një hap i rëndësishëm për përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë individuale dhe iu jep fund pretendimeve për akuza tjera të padëshmuara”.

Por në kohën e një ankthi të vazhdueshëm mbi ndjekjet e ardhshme të ish-komandantëve të UÇK-së, Shoqata e Veteranëve të Luftës e cilësoi raportin e Williamsonit si “jologjik, qesharak dhe tendencioz” duke e dënuar atë si pjesë të një fushate denigruese kundër “luftëtarëve të lirisë” së UÇK-së dhe luftës së tyre për liri nga regjimi serb.

Ndjekjet e mëhershme të ish-guerilasve të UÇK-së nga misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit kishin shkaktuar një varg protestash masive të veteranëve të cilët i shohin luftëtarët më shumë si heronjë se sa kriminelë.

Behxhet Shala, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut tha se akuzat e përmendura në raport “nuk janë asgjë e re” dhe se të dyshuarit do të duhej të silleshin para drejtësisë “shumë më herët se sa tash, 15 vite pas luftës”.

Shala kritikoi gjithashtu faktin se, ndonëse gjykata speciale e bazuar në Holandë do të operojë në përputhje me ligjet e Kosovës, prokurorët dhe gjykatësit e saj do të jenë ndërkombëtarë.

“Bashkimi Evropian i ka ndarë diku 300 milionë euro për mirëmbajtje të kësaj gjykate për një afat tre-vjeçar. Kjo do të jetë hapje e vendeve të reja të punës për ndërkombëtarët-vendorët janë të përjashtuar në çdo kontekst nga kjo. Natyrisht se kjo nuk i bën nder Kosovës”, tha ai.

Sidoqoftë, Shala pranoi se është i domosdoshëm themelimi i gjykatës së re edhe pse do të jetë traumatike për Kosovën.

“Ky nuk është një lajm i mirë për Kosovën, por është një fakt nëpër të cilin Kosova duhet të kalojë. Kosova duhet ta spastrojë të kaluarën-qoftë ajo e keqe apo e dhimbshme për dikë”, theksoi ai.

Edhe pse themelimit të gjykatës speciale iu dha drita jeshile në Kuvendin e Kosovës, ky institucion duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore në draftin e parë të cilit në mënyrë që gjykata të jetë në gjendje të nisë punën.

Amnesty International theksoi nevojën që kjo të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur.

“Çdo shtyrje e mëtejme do të shkaktojë padëshkueshmëri dhe frikësim të mëtejmë të dëshmitarëve potencial”, tha kjo organizatë.

Sipas raportit të tas-forcës speciale të BE-së besohet se pas luftës së 1998-1999 janë rrëmbyer deri në 400 serbë të Kosovës nga UÇK-ja e cila thuhet se i ka dërguar në Shqipëri për t’i vrarë.

Lajmet se gjykata speciale do të merret me këto raste kanë ngritur shpresa tek serbët të cilëve u janë zhdukur anëtarët e familjes gjatë luftës.

Një nga ata, Millorad Trifunoviq, vëllai i të cilit Mirosllav është zhdukur gjatë luftës në qytetin e ndarë të Mitrovicës, tha se nuk është ende i bindur se gjykata do të bëjë ndonjë ndryshim të madh për familjet të afërmit e të cilëve u janë zhdukur gjatë luftës.

“Nuk ka vullnet politik nga të dyja palët-Kosovës dhe Serbisë, për të adresuar këtë çështje dhe për ta zbardhur të vërtetën mbi personat e pagjetur”, tha Trfunoviq.

“Ne ende besojmë në drejtësi, por kjo po merr shumë kohë”, shtoi ai.