Kryetari i Lipjanit Jashtëligjshëm Pretendon të Zgjedhë Dy Nënkryetarë

Komuna e Lipjanit ka vendosur që në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Komunale, ta fusë në rend të ditës zgjedhjen e nënkryetarit të dytë të komunës, në këtë rast nënkryetarit për komunitete.
 
Por sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Lipjanit nuk ka të drejtë të ketë dy nënkryetarë.

Imri Ahmeti kryetari i Lipjanit që vjen nga LDK-ja, tashmë ka emëruar njërin nënkryetar, e ky është Fitim Selimi, ndërsa shpreson që i dyti të zgjidhet në mbledhjen e radhës.

Agron Maxhuni udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Monitorimit të Komunave në MAPL i tha Gazetës Jeta në Kosovë se asnjë komunë që ka më pak se 10 për qind minoritete nuk ka të drejtë të ketë nënkryetar për komunitetet.

Sipas tij nëse komuna e Lipjanit zgjedh edhe një nënkryetar bën me këtë rast shkelje të ligjit mbi qeverisjen lokale.

“Komunat që bëjnë shkelje të ligjit të vetëqeverisjes lokale, e që ne e llogarisim vetëm pas marrjes së vendimit të tyre, ne do të bëjmë kërkesë për shqyrtim të ligjshmërisë”, tha ai.

Ligji për Vetëqeverisje, neni 61.1 thotë se komunat ku të paktën 10% e qytetarëve u përkasin komuniteteve jo-shumicë do të kenë një nënkryetar për komunitete.

Më tutje në pikën 3 të këtij neni emërimi dhe shkarkimi i Nënkryetarit për Komunitete propozohet nga Kryetari i Komunës dhe duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë si dhe shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë, të cilët i përkasin komuniteteve joshumicë.

Agron Maxhuni thotë se MAPL-ja është duke e përgatitur një shkresë informuese që do të dërgohet në secilën komunë për t’i informuar për këtë çështje.

Por Imri Ahmeti megjithatë mendon se ka të drejtë t’i ketë dy nënkryetarë të komunës, pasi që sipas tij buxhetin e ka të gatshëm, të miratuar nga kuvendi komunal i mëparshëm.

“Në mbledhjen e ardhshme të asamblesë komunale mendojmë se do ta zgjedhim edhe nënkryetarin e dytë që do të jetë po ashtu shqiptar sikur që është zgjedhur i pari”, thotë Ahmeti.

Komuna e Lipjanit në mandatin e kaluar kur kryetar ishte Shukri Buja nga PDK-ja kishte dy nënkryetarë.

Buja i tha Gazetës Jeta në Kosovë se në mandatin e tij i kishte dy nënkryetarë, meqë njëri ishte nënkryetar për komunitete dhe se në atë kohë sipas regjistrimeve të paraluftës llogaritej që Komuna e Lipjanit kishte 16 për qind minoritete.

Sipas Bujës në regjistrimin e fundit ka dalë se popullsinë e komunës së Lipjanit e përbëjnë rreth 6 për qind minoritete.

Regjistrimi i popullsisë i bërë në vitin 2011 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ka nxjerrur se nga 57,605 banorë sa i ka gjithsejtë Lipjani, 3,138 prej tyre iu përkasin minoriteteve, një shifër kjo që i afrohet 6 përqindëshit.

Në një raport të Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë thuhet se, në bazë të vlerësimeve të mëparshme, vetëm komuniteti turk në komunën e Lipjanit ka përbërë 6 deri në 7 për qind të popullsisë së përgjithshme të komunës, ndërsa sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2011, ata arrijnë në vetëm 2 për qind.

Regjistrimi i popullsisë i bërë në vitin 2011 e që kishte nxjerrë rezultatet përfundimtare në vitin 2012 ka konkluduar se në Lipjan jetojnë në përgjithësi 6 për qind minoritete.

Përkundër kësaj Asambleja Komunale e Lipjanit në fund të shtatorit 2013 ka miratuar buxhetin komunal për vitin 2014 ku parashihen dy nënkryetarë.