Përkrahja Që Ndan Serbët

“Voto ‘Srpskën’ [Iniciativën Serbe] që ta votosh Serbinë”, është njëra nga pankartat që serbët e këtij subjekti mbajtën nëpër tubimet parazgjedhore gjatë fushatës për zgjedhjet e tre nëntorit në Kosovë. 

Kur erdhi në Graçanicë më 19 tetor, kreu i qeverisë serbe Daçiq, nuk e mbështeti haptas këtë nismë, por tha se dihet kë e përkrah Serbia. 

Megjithatë, kryeministri Daçiq nuk mbajti fjalim në mitingun politik të organizuar nga Gradjanska Iniciativa Srpska (GIS). 

Ai piu kafe në afërsi të tubimit politik të Iniciativës Qytetare Serbe, më 19 tetor të këtij viti. 

Por gjatë asaj dite Daçiq foli para qytetarëve të mbledhur në afërsi të Manastirit të Graçanicës, ku bëri thirrje që serbët të dalin në zgjedhje.

Ndërkohë më herët ministri i tij për Kosovën Aleksandër Vulin në shtator tregoi se qeveria e shtetit fqinj preferon iniciativën serbe GIS. 

Serbia dëshiroi edhe që serbët e Kosovës të paraqiteshin me listë të përbashkët në zgjedhjet lokale kosovare, por në to morën pjesë 31 subjekte të këtij nacionaliteti. 

“Beogradi nuk mundet që në zgjedhje lokale të formojë listë të përbashkët. Kjo është e papranueshme sipas standardeve demokratike. Është e papranueshme që për shembull Sali Berisha ta krijojë listën e përbashkët për zgjedhjet lokale në Prishtinë”, thotë gazetari dhe analisti nga veriu i Kosovës Branisllav Krstiq. 

Por “të përkëdhelurit” e Beogradit zyrtar, u votuan mjaft në zgjedhjet për kryetarë komunash dhe asamble komunale të para një jave. 

Gradjanska Iniciativa Srpska ose shkurt GIS prin në Graçanicë, Ranillug dhe Kllokot. Ndërsa, në Novobërdë, Shtërpcë dhe Partesh janë të dytët me vota. Ata mund të fitojnë edhe tri komunat në veriun e Kosovës Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, ndoshta edhe pa balotazh, përderisa në tri qendra të votomit në Mitrovicën Veriore zgjedhjet do të përsëriten më 17 nëntor. 

LDK vs GIS në Novobërdë 

Nga të gjitha këto komuna, vetëm në Novobërdë, subjekti i ri politik  i serbëve kosovarë do të përballet me një parti shqiptare-LDK-në. 

Në raundin e parë Bajrush Ymeri i LDK-së fitoi 34.6 për qind të votave, kurse kandidati i GIS-it Svetisllav Jovanoviq, mori besimin e 28.1 për qind të qytetarëve me të drejtë vote. 

Ymeri thekson se partitë shqiptare në këtë komunë do të mbështesin atë, por nuk e di nëse do ta ketë përkrahjen edhe të partisë serbe SLS. 

Para zgjedhjeve, Ymeri drejtoi komunën në koalicion me subjektin Buduçnost za Novo Brdo (Ardhmëria e Novobërdës). 

Ymeri ankohet se edhe pse Novobërdës, në vitin 2009, kur sipas Planit të Ahtisaarit ajo u zgjerua, i është bashkuar lagjja shqiptare “Dardania”, banorët e kësaj lagjeje kanë votuar në komunën e Gjilanit, të cilës i takonin para zbatimit të planit të emisarit finlandez Marti Ahtisaari që në vitin 2007 propozoi pavarësinë e Kosovës, në këmbim me kompetenca të zgjeruara për komunat me shumicë serbe. 

“Këta banorë kanë votuar në Gjilan. Mi kanë hup shumë vota prej këtij gabimi të KQZ-së”, thotë Ymeri për Gazetën Jeta në Kosovë, teksa shton se ka informata që serbëve të Novobërdës po u bëhet presion që ta votojnë vetëm kandidatin e GIS-it. 

Të njëtën gjë, si njërën nga problemet, kur foli për gjendjen në veri, e përmend edhe analisti Branisllav Krstiq. 

“Ka presion të madh te njerëzit, nga qeveria e Serbisë, për të votuar kandidatët e Listës Qytetare Serbe”, thotë Krstiq. 

Si për të vënë baraspeshë të përkrahjes, të mërkurën që shkoi agjencia e lajmeve Tanjug, citoi ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhajn, të ketë thënë se qeveria e Kosovës dhe PDK-ja në pushtet do të përkrahin kandidatët e SLS-së dhe Lidhjes së Serbëve Kosovarë SKS (Savez Kosovskih Srba) në balotazhin e këndej Ibrit, për faktin se këto subjekte dhe kandidatët e tyre kanë punuar për interes të bashkësisë së tyre dhe shoqërisë në përgjithësi. 

Gradjanska Iniciativa Srpska (GIS) do të përballet me SKS-në në Graçanicë, ndërsa me SLS-në në Shtërpcë, Kllokot dhe Partesh. 

I kontaktuar dy herë nga Gazeta Jeta në Kosovë, gjatë javës së kaluar, ministri Hoxhaj me arsyetimin se është i zënë, nuk komentoi publikimin e agejncisë serbe të lajmeve Tanjug për përkrahjën që do ti japë PDK-ja subjektit politik SLS. 

Hoxhaj nuk deshi të komentojë as të hënën. 

“Më thërrisni pasi të zbres nga aeroplani”, deklaroi Hoxhaj. Por, kryediplomati Hoxhaj nuk u bë më i qasshëm. 

PDK-ja dhe SLS-ja janë pjesë e koalicionit qeverisës edhe në nivelin qendror. 

Slobodan Petroviq, kryetar i SLS-së, ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen e Gazetës Jeta në Kosovës se a janë duke u përkrahur nga PDK-ja në pushtet.

Analistët: GIS-i mund të mos i bindet Prishtinës

Analistët në Prishtinë, mendojnë se GIS-i do të punojë për interesat e Serbisë. Iniciativa aplikoi në fillim për regjistrim në KQZ me emrin Lista “Srbija”, por u refuzua për shkak të emrit. 

Ata që dikur përbënin të ashtuquajturat struktura paralele, ndërruan mendje për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve të organizuara nga institucionet kosovare, pas nënshkrimit në Bruksel të marrëveshjes së 19 prillit për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Kandidatët të cilët janë në Listën Serbe nuk janë kredibilë, nuk janë ata që kanë besimin e qytetarëve”, thotë publicisti Krstiq. 

Pika e parë e marrëveshjes së 19 prillit flet për formimin e një asociacioni/bashkësie për komunat me shumicë serbe. Në këtë pikë thuhet se anëtarësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër, nëse anëtarët pajtohen.

Ilir Deda nga KIPRED-i thotë se sjellja e GIS-it në komunat që do t’i fitojë, do të vërehet pas krijimit të kësaj bashkësie.

“Me konsolidim të tyre, ata do të jenë më antagonistë ndaj Prishtinës”, thotë Deda për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (International Crisis Group) ICG thotë që GIS-i nuk do të marrë të gjitha komunat dhe në ato që do të udhëheqin nuk do të jenë kryetarët e vërtetë.

“Ata do të jenë në hije. Do të mundohen të ndryshojnë funksionimin e komunave nga rregullat e vendosura nga SLS-ja”, thotë Rashiti. 

Si Deda, po ashtu edhe Rashiti, pajtohen se GIS-i do të shkaktojë më shumë probleme për institucionet qendrore, pas pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. 

“Ata do të jenë zëri i Beogradit në kuvend dhe qeveri të Kosovës”, thotë Deda, derisa Rashiti shpreh drojën se Iniciativa Qytetare Serbe do të synojë ta krijojë një nivel të tretë pushteti. 

Kosova aktualisht ka nivelin komunal dhe qendror të qeverisjes. 

“Pra, gradualisht lista do të bëhet pjesë e politikëbërjes dhe funksionimit politik në Kosovë, gjithmonë duke u konsultuar me vijën institucionale në Beograd”, thotë Rashiti. 

Ai propozon relaksim marrëdhëniesh Kosovë-Serbi, për t’i ikur përplasjes me GIS-in. 

“Sa më të relaksuara të jenë marrëdhëniet në mes dy vendeve, më të mira do të jenë relacionet në mes qeverisë dhe përfaqësuesve serbë në Kosovë”, mendon Rashiti. 

Por analisti Krstiq nuk sheh ndonjë rrezik nga përfshirja e këtij subjekti në jetën politike të Kosovës.

“Bashkësia ndërkombëtare dhe Beogradi e kanë një marrëveshje të brendshme, të cilën politika nuk dëshiron ta bëjë të ditur. Që përfundimisht serbët e Kosovës do t’i takojnë shoqërisë kosovare”, thotë Krstiq. 

Ai mendon se përfaqësues politikë të Beogradit do të vijnë në Kosovë edhe nja gjashtë muaj derisa të përfundojnë zgjedhjet dhe të formohet Asociacioni i Komunave Serbe. 

“Asociacioni i Komunave Serbe, ai që frikëson më së shumti opinionin publik shqiptar të Kosovës, e bën këtë, ngase nuk ka analistë dhe gazetarë cilësorë, të cilët në mënyrë të drejtë do t’ua shpjegojnë këtë qytetarëve. Shoqëria kosovare për fat të keq është ende e re dhe nuk ka një kualitet të kuadrove të gazetarisë, ende gazetarët në Kosovë sillen si tifozë”, shpjegon Krstiq. 

Për Krstiqin, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të parat në të cilat serbët do të marrin pjesë seriozisht. Ai nuk e përjashton mundësinë që nëse gjërat rrinë kështu si janë, e PDK-ja dhe GIS-i mbeten partitë më të fuqishme të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, ato edhe të bashkëqeverisin në nivel qendror. 

“Nga të gjitha situatat e paskonflikteve në të gjitha ish-republikat jugosllave, gjithmonë është e nevojshme që bashkësitë e pakicave të jenë në pushtet. Për shembull, nëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare hipotetikisht dikush nga subjektet shqiptare fiton 55 për qind të votave dhe hipotetikisht mund ta ndërtojë qeverisjen vetë, ai subjekt nuk do t’ia lejojë vetes këtë, por as BE-ja dhe ShBA-ja nuk do t’ia lejonin vetes këtë”, thotë Krstiq. 

Ai porosit qeverinë e Kosovës që nëse i do edhe 55 mijë qytetarë të veriut, duhet të ofrojë diçka për ta, pasi edhe këta qytetarë kanë ndonjë kërkesë, ndonjë dëshirë, a ndonjë nevojë. 

GIS-i dhe përballjet e balotazhit 

Graçanicë

Branimir Stojanoviq nga GIS-i prin me 47.7 për qind ose 4.830 vota të fituara.

Bojan Stojanoviq nga Savez Kosovskih Srba (SKS) ka 34.2 për qind ose 3.459 vota të fituara.

Të drejtë vote më 3 nëntor kishin, 19 mijë e 200 persona, ndërsa dalja ishte 54.3 për qind.

Ranillug

Gradimir Mikiq i GIS-it ka fituar 38.9 për qind ose 1.215 vota.

Milan Aritonoviq nga Partia Popullore Serbe e Kosovës (Sprska Narodna Partija Kosova) SNPK mori 35.7 për qind të votave ose 1.117 vota.

Të drejtë vote më 3 nëntor kishin 5 mijë e 532 persona, ndërsa është vlerësuar 56.3 për qind.

Kllokot 

Sreçko Spasiq nga GIS-i ka siguruar 33.9 për qind ose 705 vota.

Sasha Mirkoviq nga Partia e Pavarur Liberale Serbe (SLS) ka fituar 581 vota ose 27.9 për qind.

Të drejtë vote më 3 nëntor kishin 3 mijë e 297 individë, ndërsa dalja në zgjedhje ishte 66.2 për qind.

Novobërdë

Bajrush Ymeri nga LDK ka fituar 34.6 për qind ose 1.652 vota. 

Svetislav Jovanoviq nga GIS-i ka 28.1 për qind ose 1.343 vota. 

Të drejtë vote më 3 nëntor kishin 9 mijë e 133 persona, ndërsa në zgjedhje dolën 60.9 për qind të tyre.

Shtërpcë

Bratisllav Nikoliq nga SLS-ja ka grumbulluar  3.061 vota ose 37.9 për qind. 

Ivan Regjiq nga GIS-i fitoi 2.859 vota ose 35.4 për qind.

Të drejtë vote më 3 nëntor kishin 13 mijë e 818 qytetarë, ndërsa dolën në përqindjen 60.7

Partesh 

Nenad Cvetkoviq nga SLS-ja prin në këtë komunë me 1.223 vota ose 44.1 për qind.

Dragan Nikoliq nga GIS-i ka mbledhur 907 vota ose 32.7 për qind.

Të drejtë vote më 3 nëntor kishin 4 mijë e 332 persona, ndërsa dolën në zgjedhje 67.1 për qind.