Graçanica Ankohet Për Mitingun Gjatë Vizitës Së Daçiqit

Kryeministri  i Serbisë, Ivica Daçiq piu kafe në afërsi të tubimit politik të Iniciativës Qytetare Serbe, më 19 tetor të këtij viti. 

Ai nuk mbajti fjalim në mitingun politik, por gjatë asaj dite foli para qytetarëve të mbledhur në afërsi të Manastirit të Graçanicës, ku bëri thirrje që serbët të dalin në zgjedhje. 

Sipas marrëveshjes me qeverinë e Kosovës, kryeministrit të Serbisë, nuk i është lejuar të marrë pjesë në tubime publike në lidhje me zgjedhjet. 

Qeveria në Beograd po përkrah subjektin politik  Iniciativa Qytetare Serbe që garon në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe që është krijuar  pas arritjes së  marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Por, mitingu i Iniciativës Qytetare Serb,e ose në serbisht Gradjanska Iniciativa Srpska (GIS) e udhëhequr në Graçanicë nga Branimir Stojanoviq, ka shkaktuar pakënaqësi tek autoritetet komunale të kësaj komune. 

Komuna e Graçanicës thotë se përveç që kjo parti nuk ka pasur leje për këtë tubim, GIS-i i ka shkaktuar dëme kësaj komune.

“Kjo parti nuk ka marrë leje nga komuna për tubim. Po ashtu, kjo parti ka shkelur Ligjin e Kosovës për tubime publike duke organizuar tubimin në afërsi të spitalit dhe monumentit me vlerë historike dhe kulturore ”, deklaroi Jelena Stojanoviq, drejtoresha e Shërbimeve Publike në komunë të Graçanicës.

Stojanoviq tha se organizatorët e tubimit kanë dështuar që të mbajnë rendin dhe simpatizantët e kësaj partie kanë shkaktuar dëme në pronë të komunës, e cila ka investuar në to.

Drejtoria e Shërbimeve Publike ka bërë fotografimin e gjendjes pas përfundimit të tubimit që kishte filluar në orën 14. 

Drejtoria ka paraqitur skenën ku janë mbajtur fjalimet, ndërsa ishte vendosur në hapësirën e gjelbër, mbeturinat e shumta të mbetura nëpër rrugë, thyerjet e vazove të luleve dhe ulëseve të parkut. 

Stojanoviq theksoi se Ligji me numër 03/L-118 për Tubimet Publike thekson vendet e ndaluara për tubime, siç janë ato në afërsi të spitalit dhe hapësirat ku mund të pengohen automjetet e ambulancës. Sipas ligjit këto tubime ndalohen të mbahen e dhe në afërsi të monumenteve dhe objekteve me vlerë të madhe historike e kulturore.

“Pikërisht ky tubim ka qenë në këto dy vende”, tha Stojanoviq.

Po ashtu, ajo theksoi se tubimi në qendër ka shkaktuar ‘kolaps në trafik’ atë ditë dhe organizatori është dashur të sigurojë rendin, duke treguar edhe detyrat e pakryera të tij.

“Dhe në fund [është dashur] të mbledhin mbeturinat dhe riparojnë dëmet”, tha ajo.

Ankohen në KZAP

Stojanoviq i ka dërguar letër letër zyrtare komandatit të policisë në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, duke e pyetur nëse ai ka dhënë leje për këtë tubim.

Trajkoviq i tha Gazetës Jeta në Kosovë se institucioni që ai udhëheq nuk jep leje për tubime.

“Ne kemi ofruar vetëm siguri për atë ditë. Për më shumë, pyet në komunë, sepse unë ua kam kthyer përgjigjen”, deklaroi Trajkoviq, duke shtuar se në përgjigjen e tij dërguar komunës, i këshillon që ata të bëjnë ankesë në KQZ.

Drejtoresha Stojanoviq i tha gazetës se kanë bërë një gjë të tillë.

“Komandanti na është përgjigjur me shkrim se ankesat tona duhet t’i dërgojmë te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa, gjë që e kemi bërë”, i tha Stojamoviq Gazetës Jeta në Kosovë.

GIS-i, fillimisht me emrin Lista Srbija, por më vonë e ndryshuar për shkak të mospajtimeve me emrin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është parti e cila përkrahet nga qeveria serbe, e cila kërkon nga komuniteti serb në Kosovë që të dalë në zgjedhjet lokale të Kosovës më 3 nëntor.

Branimir Stojanoviq, udhëheqës i GIS-it në Graçanicë, deklaroi se partia e tij ka lajmëruar me kohë komisionin komunal të zgjedhjeve dhe policinë.

“Komuna tani mund të thotë çfarë të dojë”, deklaroi Stojanoviq. 

Komuna e Graçanicës është udhëhequr nga Partia e Pavarur Liberale Serbe, SLS, e cila është në koalicion në nivel qendror me PDK-në.

 

Kryetari aktual, Bojan Stojanoviq ka dalë nga kjo parti, duke krijuar një iniciativë të re qytetare me emrin “Savez Kosovskih Srba” (Lidhja e Serbëve të Kosovës) me të cilën kandidon në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.