Deputeti Angazhoi Zyrtarin e Biznesit në Komisionin Hetimor

(E plotësuar më 31 korrik)

Deputeti i pavarur Muhamet Mustafa e dinte se ishte në konflikt interesi kur nominoi një zyrtar të lartë në biznesin e tij që të angazhohet edhe në kryerjen e një pune që paguhet nga fondet publike. 

I nominuari i Mustafës dha ekspertizën e tij derisa një komision parlamentar hetimor i ngritur në muajin maj po punonte në nxjerrjen e një raporti për faturimin e rrymës elektrikë në vend në muajin qershor. Raporti i komisionit që doli javën e kaluar konkludoi se KEK-u i kishte faturuar me tarifë të lartë shpenzimet e muajit janar. 

Ish-deputeti i Koalicionit për Kosovën e Re, Mustafa, thotë se nominimi i tij ishte pranuar edhe nga anëtarët tjerë të komisionit.  Komisioni funksionoi për një periudhë tre muajshe, prej marsit kur u themelua e deri në fund të qershorit. 

“Unë jam deklaruar edhe në komision…që gjendem në konflikt interesi pasi Hoxha vjen nga Riinvesti.  Muhamet Mustafa

Sipas ligjit për të drejtat dhe detyrimet e deputetëve, përfaqësuesit e popullit nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimeve “për përfitime financiare ose përfitime të tjera materiale për vete, për familjen apo për miqtë”. Edhe me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, deputeti ndalohet të ndikojë në vendimmarrje me qëllim të përfitimit të personave të afërt.

Naim Hoxha, i cili shërbeu në cilësinë e ekspertit të inxhinierisë në komisionin parlamentar të kryesuar nga Mustafa, mban pozitën e zëvendëskryetarit të bordit në kolegjin “Riinvest”. 

Një hise prej 25 për qind të aksioneve në këtë kolegj e ka në pronësi deputeti Muhamet Mustafa bazuar në deklarimin e pasurisë së tij më 2013 në Agjencinë Kundër Korrupsion. 

Hoxha po ashtu është i angazhuar në cilësinë e hulumtuesit të lartë në Institutin për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”.

Më 1995 që të dy  Muhamet Mustafa e Naim Hoxha ishin në mesin e themeluesve të këtij instituti. 

“Për pozitat e mia në ‘Riinvest’, duhet t’i pyetni përgjegjesit në Riinvest. Unë jam një nga themeluesit më 1995-ten. Sa i përkët komisionit, duhet t’i drejtoheni kuvendit jo mua. Naim Hoxha

“Unë jam deklaruar edhe në komision…që gjendem në konflikt interesi pasi Hoxha vjen nga Riinvesti. Por, nuk kemi pas shumë zgjedhje”, tha Mustafa. 

“Pasi janë shqyrtuar referencat dhe CV-të e të propozuarve tjerë për këtë pozitë ne me unanimitet kemi zgjedhur ekspertin Naim Hoxha”, shtoi ai. 

Hoxha, sipas deputetit, në mënyrë cilësore i është përgjigjur detyrave të tij brenda 20 ditëve të punës. “Ai nuk ka dashur që të kryejë këtë punë. Por, ne e kemi lutur që të na e kryejë këtë shërbim ngase puna është dashur që të kryhet shpejtë”, thotë Mustafa. 

Hoxha kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk deshi të komentojë për mënyrën e angazhimit të tij në komisionin hetimor parlamentar. 

“Për pozitat e mia në ‘Riinvest’, duhet t’i pyetni përgjegjesit në Riinvest. Unë jam një nga themeluesit më 1995-ten. Sa i përkët komisionit, duhet t’i drejtoheni kuvendit jo mua”, deklaroi Hoxha. 

Deputeti Mustafa pohon se nominimi nuk ishte bërë vetëm nga ai por edhe nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që ishin pjesë e komisionit hetimor.

Kjo mohohet nga deputetja e LDK-së Teuta Sahatqija e cila ishte zëvendës kryesuese e komisionit. 

“I propozuari i LDK-së ka qenë Ali Latifi. Vetëm Muhamet Mustafa e ka propozuar Hoxhën për pozitën e ekspertit”, deklaroi Sahatqija për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Mustafa, pas publikimit të artikullit, insistoi propozimi ishte bërë në koordinim me zv/kryetaren e komisionit.

“Menjëherë pas themelimit të komisionit në cilësinë e kryetarit kam kërkuar që anëtarët e komisionit të paraqesin propozimet e tyre për ekspertë së bashku me CV-të. Ka ardhur vetëm një propozim (nga PDK) që Ali Hamiti të angazhohet, por ai nuk ka dashur me arsyetimin se deri para dy vitesh ka qenë pjesë e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”

Pastaj LDK kishte bërë propozimin për një jurist dhe, sipas Mustafës, ishte e domosdoshme të propozohej edhe një inxhinier.

“…Meqenëse duhej të ecnim me punën jemi konsultuar me nënkryetaren e komisionit hetues parlamentar znj.Sahatqija. Jemi pajtuar bashkë që të propozohet dhe pastaj unë kam kërkuar nga Naim Hoxha që të angazhohet dhe të kontribuojë”, thotë Mustafa.

“Pas kësaj unë e kam dërguar CV-në e tij me gjithë informatat e nevojshme duke e përfshirë edhe angazhimin e tij në ‘Riinvest’ dhe ajo është aprovuar pa asnjë kundërshtim nga Komisioni”, pohon Mustafa.

Sipas tij, angazhimi e pagesa për Hoxhën janë bërë me aprovim të të gjithë anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar.

Komisioni angazhoi Latifin në cilësinë e juristit dhe e pagoi për ekspertizën e tij në shumën prej 420 eurosh. Eksperti tjetër Hoxha u pagua 700 euro bazuar në të dhënat e raportit të komisionit hetimor parlamentar të bërë publik javën e kalaur. 

Ekspertët ishin angazhuar në bazë të procedurave që parashihen për angazhimin e përkohshëm të eksperteve në Kuvendin e Kosovës, ku secili nga përbërja e komisionit ka të drejtën e propozimit të emrave të ndryshëm.

“Përzgjedhja e eksperteve për mbështetjen e punëve te caktuara ne komisione realizohet nga ana e vetë komisionit”, deklaroi Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit. 

Agjencia Kundër Korrupsion nuk dha një përgjigje gjatë javës së kaluar nëse deputeti Mustafa bëri shkelje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit kur nominoi për të kryer punë publike një zyrtar të biznesit të tij privat.

“I propozuari i LDK-së ka qenë Ali Latifi. Vetëm Muhamet Mustafa e ka propozuar Hoxhën për pozitën e ekspertit. Teuta Sahatqija

Anëtarët e këtij komisioni mbajtën 12 mbledhje prej themelimit të tij më 28 mars e deri më 27 qershor të këtij viti. 

Komisioni prej 11 anëtarësh, që kishte në përbërje përfaqësues të të gjitha subjekteve parlamentare, ishte krijuar pas inicimit të debatit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për faturat e energjisë elektrike që ishin rritur dukshëm në muajin janar.

Rritja e faturave të energjisë, ishte përcjellë me protesta të qytetarëve që akuzonin për fryrje të faturave nga ana e KEK-ut.

Edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kishte reaguar për zhvillimet që patën ndodhur në sektorin e energjisë.