Drejtori i Gazetës Zyrtare Ndeshet Me Ligjin

Drejtori i Gazetës Zyrtare, Naser Canolli, është shërbyesi tjetër civil i cili është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, forumit më të lartë të partisë në pushtet, në konventën e saj zgjedhore të janarit.

Zyra e tij ndodhet në katin e pestë të objektit të njëjtë ku gjendet zyra e kryeministrit Hashim Thaçi.

Tani, Canolli dhe Thaçi do të ndajnë edhe selinë e PDK-së që ndodhet në sheshin Nënë Tereza, aty ku mbahen mbledhjet e Këshillit Drejtues të saj.

Posti në Këshillin Drejtues është i pesti që Canolli mban duke llogaritur edhe pozitat e nënkryetarit anëtarit të Kryesisë në degën e PDK-së në Prishtinë, anëtarit të bordit të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe atë të anëtarit të komisionit të auditimit po në këtë aeroport. 

Këto vende pune Canolli i ka deklaruar në Agjencionin Kundë-Korrupsion.

Ndërsa postin në degën e PDK-së në Prishtinë e ka konfirmuar Shemsi Veseli i cili është anëtar i Këshillit Drejtuës të kësaj partie.

Pas zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, Canolli rezulton të jetë i 112-ti në mesin e 154 anëtarëve të Këshillit Drejtues me gjithsej 208 vota.

Mirëpo, mbajtja e dy posteve, në Qeveri dhe në PDK, është në konflikt interesi, bazuar në ligjin për shërbyes civilë.

Sipas këtij ligji, pika 1 e nenit 17, Canolli duhet të pezullojë njërën nga pozitat për shkak të “mospërputhshmërisë ndërmjet emërimit politik dhe statusit të nëpunësit civil”.

Ligji për shërbyes civilë është në fuqi dhe është publikuar nga zyra e Canollit më 25 qershor 2010.

Bazuar në faqen elektronike të gazetës zyrtare, Canolli drejton Gazetën Zyrtare që nga viti 2006, ku fillimisht shërbente si ushtrues detyre i drejtorit të kësaj zyre. 

Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës është i vetmi publikim zyrtar në Republikën e Kosovës ku publikohen ligjet dhe aktet tjera të institucioneve vendit.

Publikimi i gazetës bëhet në formë elektronike dhe të shtypur.

 
Canolli ka publikuar listën e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së në llogarinë e tij në Facebook  

 

Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës administrohet nga Zyra për Publikimin e Gazetës Zyrtare e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, mbikqyrja editoriale e gazetës bëhet nga Fitim Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit.

Kur Canolli është kontaktuar nga gazeta ka premtuar që të shtunën (më 16 mar 2013) do të jepte intervistë lidhur me pyetjet e gazetës pasi që gjendej jashtë shtetit.

Të shtunën Canolli ka refuzuar të japë përgjigje. Ai nuk është përgjigjur as përmes e-mailave dhe as përmes porosive telefonike.  

Agjencioni Kundër Korrupsionet ende nuk ka kthyer përgjigje nëse ky rast përbën konflikt interesi.

Rasti i Canollit nuk është i vetmi rast të cilin e ka raportuar Gazeta Jeta në Kosovë lidhur me konflikte të mundshme të interesit mes pozitës së zyrtarëve ose shërbyesve civilë dhe posteve në PDK. Gazeta në javët e kaluara ka raportuar për një numër rastesh. 

Bekim Jupa është menaxher i lojërave të fatit në Administratën Tatimor të Kosovës (shërbyes civil) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.  

Betim Gjoshi është kryeshef i ndërmarrjes publike Trainkos që merret me operimet e trenave në Kosovë dhe përfaqësues i Partisë Demokratikë të Kosovës në Komisionin Qendror Zgjedhor. 

Safet Hoxha është udhëheqës i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik dhe anëtar  i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Blerim Rexha – kryetari i ri i Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP), më 26 shkurt ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij në PDK. Më 24 dhjetor Gazeta Jeta në Kosovë, pati raportuar se Blerim Rexha ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë në kohën kur ishte nominuar të udhëheqë AKP-në. 

Bordet si Mundësi e Militantëve Politikë – Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në dhjetor 2011 se si edhe shumë anëtarë të partive politike gjenden në pëbërjen e bordeve të ndërmarrjeve publike. 

Bedri Hamza – ish-ministri i financave, i cili ishte pjesë e konventës së fundit zgjedhore të PDK-së, është zgjedhur këtë javë guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.