“Diplomat Aktivist” në Krye të EULEX-it

Prej muajit shkurt, Albin Kurti mund të mos ruaj më epitetin e liderit të vetëm të rëndësishëm që, përveç në zyrat e institucioneve, shihet edhe në protesta.

Bernd Borchardt, i emëruar shef i ri i misionit europian për sundim të ligjit EULEX më 4 dhjetor dhe i cili pritet t’ia fillojë punës më 13 shkurt, më parë kishte marrë pjesë në protesta të lëvizjeve shoqërore në Shqipëri.

Duke qenë ambasador i Gjermanisë, më 18 korrik 2009, Borchardt i ishte bashkuar një proteste për liberalizimin e vizave të organizuar nga lëvizja Mjaft! në Tiranë.

Mesazhi i Borchaft për autoritetet shqiptare kishte qenë i prerë: “Sinjali është mjaftë i qartë dhe nuk duhet dhënë premtime të kota. Duhet të përmbushen standardet .” 

Lëvizja Mjaft!, e cila thotë se ka mbi 10 mijë anëtarë dhe monitoron qeverisjen, ishte nderuar me çmimin ndërkombëtar të përvitshëm të Kombeve të Bashkuara për Shoqërinë Civile në vitin 2004, Vjenë.

Ish-udhëheqësi i lëvizjes Mjaft!, tash deputeti i parlamentit shqiptar Erion Velijaj, thotë se gjermani është “diplomati aktivist”.

“Rrallë kam njohur dikë me më shumë integritet. Kam bashkëpunuar me të rreth 4 vite në Shqipëri. Ai është ‘diplomati aktivist’, i pakompromis tek e vërteta”, Veliaj i tha Gazetës Jeta në Kosovës.

“Në Shqipëri ka pasur një admirim maksimal nga shoqëria civile, por dhe klasa politike”, shtoi ai. “Them që është fat për Kosovën, diplomatë të tillë janë të rrallë këto ditë”.

Borchardt ka lindur në Gjermani në vitin 1955 dhe ka një karrierë gjatë së cilës ka treguar interesim për marrëdhëniet e BE-së dhe Gjermanisë me Ballkanin, Azinë dhe Pacifikun.

Ai ka qenë edhe zëvendës-shef i Misionit të Verifikimit të OSBE-së në Kosovë në vitin 1999, vlerësimet e të cilit për masakrën e Reçakut i kishin hapur rrugë intervenimit të NATO-s për t’i dhënë fund luftës.

Borchardt ishte zëvendës-shef i misionit dhe drejtonte departamentin për të drejtat e njeriut dhe demokratizim. Në ueb-faqen e OSBE-së ende ekziston një njoftim për shtyp ku ai më 16 mars 1999 thoshte se të përditshmet “Kosova Sot” dhe “Rilindja” si dhe dy-javorja “Gazeta Shqiptare” kërcënoheshin nga mbyllja pasi e para dhe e treta ishin dënuar me shuma të mëdha nga gjykata administrative e Prishtinës për “shkelje të aktit të informim të Serbisë”. http://www.osce.org/kvm-closed/52314

Në kohën kur ai vjen në krye të misionit – më i shtrenjti i BE-së me 680 milionë euro të shpenzuara për të sipas Radios Europa e Lirë (11 dhjetor 2012) – edhe forcat gjermane të KFOR-it do të diskohen në veri të vendit – që është subjekt i bisedimeve politike të drejtuara nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë. 

Por, është sundimi i ligjit ku pritet dhe kërkohet që EULEX-i të përmirësojë performancën e tij.

Deri më tash ai është udhëhequr nga dy ish-gjeneralë të KFOR-it, francezët Iv de Kermabon dhe Xavier Bout de Marnhac.

“Ardhja e një diplomati në krye të misionit të EULEX-it tregon që zgjedhja e mëparshme ushtarakëve për të udhëhequr një mision që ka për qëllim sundimin e ligjit ka qenë e gabuar”, thotë Ilir Deda, udhëheqës i Institutit KIPRED.

“EULEX është i shtyrë të ketë rezultate, megjithatë kërkesa të ndryshme nga vende të ndryshme anëtare vijnë në adresë të EULEX-it”, shton Deda. “Por ky mision duhet t’iu tregojë qytetarëve të Kosovës se çfarë duhet të presin nga EULEX-i”.

EULEX është cilësuar si i mbyllur dhe është kritikuar edhe nga vetë institucione të BE-së dhe vende tjera anëtare.

Gjykata e Auditorëve të Europës, në një deklaratë për shtyp më 30 tetor të këtij viti, ka kritikuar misionin duke thënë se asistenca e EULEX-it nuk ka qenë efektive sa duhet.

Ndërsa Ministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, kishte kritikuar programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Edhe perceptimi i vetë qytetarëve të Kosovës për punën e EULEX-in nuk është pozitiv.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë publikoi të hënën raport mbi të gjeturat e një sondazhi të saj, sipas së cilit, vetëm 22 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur të kënaqur me punën e EULEX-it.

Edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kishte kritikuar misionin e BE-së gjatë një fjalimi të tij në Parlamentin Europian në prill të këtij viti duke thënë se EULEX-i nuk është i pajisur mirë dhe nuk është mjaft kompetent për të kryer detyrat gjë që po afektojnë misionin e KFOR-it në Kosovë.