Kastrati Detyrohet ta Zbatojë Ligjin

Kryetari Komunës së Mitrovicës Avni Kastrati është detyruar të japë dorëheqje nga pozitat menaxhuese në biznesin privat.

Atij i është kërkuar nga Agjencia Kundër-Korrupsion që të tërhiqet nga tri biznese private.

Kjo agjenci kishte nisur një hetim administrativ ndaj kreut të Mitrovicës dhe kishte konstatuar se bëhej fjalë për papajtueshmëri funksionesh sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Fillimisht Kundër-Korrupsioni e ka njoftuar përmes një shkrese Kastratin për situatën në të cilën gjendet.

Në një vendim të kësaj agjencie të marrë më 8 nëntor të këtij viti thuhet se Kastrati iu shmang shkeljeve ligjore pasi një gjë e tillë iu kërkua nga zyrtarë të Kundër Korrupsionit.

“Zyrtarët e AKK-së kanë mbajtur takim me Kastratin ku i kanë shpjeguar situatën në të cilën gjendet dhe mënyrën se si duhet të shmanget kjo situatë”, theksohet në këtë vendim.

Bazuar në këtë vendim, Kastrati ka njoftuar Kundër Korrupsionin se është tërhequr nga funksioni i personit të autorizuar dhe menaxhues në dy ndërmarrje private ndërsa nga çdo funksion në një tjetër, me ç’rast ka emëruar një person të besueshëm. Sipas AKK-së, ai tash vazhdon ta kryejë vetëm funksionin e vet publik si Kryetar Komunë në Mitrovicë.

Agjencia Kundër Korrupsion ka pranuar nga vetë Kastrati edhe dokumente zyrtare nga ARBK-ja me informacionet e reja mbi biznesin “Eko Kosova” dhe “Oil Trade” Sh.P.K. Kastrati tashmë nuk ushtron funksione menaxhuese në këto dy biznese kurse tek biznesi “Amar”, ai ka heq dorë nga çdo funksion.

“Në bazë të këtyre dokumenteve zyrtare dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit kemi konstatuar se është parandaluar situata e mundshme e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, theksohet në këtë vendim.

Po ashtu në vendim përmendet se Agjencia mund të rihapë rastin kurdo që paraqiten rrethana të reja rreth kësaj çështje.

Gazeta Jeta në Kosovë, më 28 maj, kishte raportuar se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka hapur hetim Kastrait në lidhje me mosdeklarimin e bizneseve në deklaratat e tij të pasurisë të vitit 2010, 2011 dhe 2012. Kreu i komunës së Mitrovicës në deklarimet e pasurisë nuk kishte kallëzuar se është pronar e drejtor nëpër disa kompani private.

Dy javë më vonë, Kastrati kishte reaguar ndaj shkrimit të gazetës duke thënë se ishte bërë “anashkalimi i të vërtetës së faktuar më një të ‘vërtetë’ të konstruktuar” pasi ai i kishte bërë bizneset pasive sipas ligjit për Adminitsratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Gazeta Jeta në Kosovë, në të njëjtën ditë, i ishte përgjigjur Kastratit duke nënvizuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) thoshte se bizneset figurojnë të mbyllura vetëm pasi figurojnë të këtilla në webfaqen e saj. Po ashtu se me ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, rregullohet se deklarimet “i paraqiten Agjencisë Kundër-Korrupsionit nga vetë zyrtari i lartë publik, apo nga personat e autorizuar nga ai” – gjë që Kastrati nuk e kishte bërë.