Kryetarja e Gjykatës në Takimin e PDK-së

Kryetarja e Gjykatës Komunale të Vitisë, Drane Simani, ka qenë e pranishme në një takim të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) – parti në pushtet edhe në nivel qendror edhe lokal – të mbajtur më 5 shkurt 2012, në retaurantin “Lindi” në dalje të qytezës. 

Ndër mysafirët e nivelit të lartë të PDK-së ishin kryeparlamentari Jakup Krasniqi, anëtari i Kryesisë së Kuvendit Xhavit Haliti dhe Daut Xhemajli zëvendësministër i Drejtësisë dhe njëherësh kryetar i Degës vitiase të PDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë thotë se pjesëmarrja e kryetares në takimin e PDK’së ngrehë dyshime për pavarësinë e saj. 

“Gjyqtarët, prokurorët e më së paku kryetarja e një gjykate e kanë të lejuar të marrin pjesë në tubime të organizuara nga partitë politike, cilado qoftë ajo” Imri Emerllahu

“Gjyqtarët, prokurorët e më së paku kryetarja e një gjykate e kanë të lejuar të marrin pjesë në tubime të organizuara nga partitë politike, cilado qoftë ajo”, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, sekretari administrativ i LDK-së në Viti, Imri Emerllahu. 

“Vetë prezenca e saj në tubimin e PDK-se të krijon dyshimin në pavarësinë e punës së saj si gjyqtare e pastaj edhe si kryetare e gjykatës. Ligji është i barabartë për të gjithë. Njerëzit që ndajnë drejtësi nuk guxojnë të bien nën ndikimin e partive politike”.

“Nuk jam anëtare e asnjë partie politike. Jam ftuar si institucion dhe ashtu kam marrë pjesë” Drane Simani

Kryetarja e gjykatës Drane Simani nuk e sheh ndërlidhjen mes pjesëmarrjes së saj në takim dhe detyrës së saj zyrtare sikur Emërllahu.

“Nuk jam anëtare e asnjë partie politike. Mua atë ditë më ka ftuar Daut Xhemajli, zëvendësministër i drejtësisë. Jam ftuar si institucion dhe ashtu kam marrë pjesë”, ka thënë Simani. 

“Para se të shkoj jam konsultuar me shefat e mi dhe atë ditë nuk është diskutuar asnjë fjalë për partinë”, ka shtuar Simani. 

Dega e PDK-ës në Viti | Foto: faqja e PDK-së në facebook 

 

Por të dielën, më 5 shkurt, Dega e PDK’së në Viti në faqen e saj në facebook kishte vendosur lajmin nga takimi që e titullonte “takim i Degës së Vitisë me aktivistë dhe biznesmenë” dhe tetë fotografi nga darka. Në mesin e të pranishmëve shihet edhe kryetarja e gjykatës Simani. 

Zyrtarët e PDK’së në Viti, të kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, nuk e kanë quajtur më takimin partiak. “Në atë takim kam marrë pjesë edhe unë dhe nuk është biseduar në lidhje me partinë”, ka thënë Halim Selmani, sekretar teknik.

Edhe kryetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, i cili udhëheqë pjesën e PDK’së që nuk ishte ftuar në takim, pasi dega e saj ishte ndarë kohë më parë, beson se takimi nuk ishte partiak ndonëse nuk kishte marrë pjesë në të. 

“Kam shumë respekt për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi, por nuk kam qenë i ftuar sepse do të merrja pjesë”, ka thënë Arifi. “Nuk po besoj se kryetarja e gjykatës në këtë tubim ka marrë pjesë në cilësi të organizmit të një grupi politik. Këtë tubim e ka bërë Daut Xhemajli e hiç më shumë se 28 veta nuk kanë marrë pjesë në të”.

Politizimi i gjykatësve bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Kodin e Etikës së Gjyqtarëve. Sipas nenit 102 të Kushtetutës, pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata, ndërsa gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm. Ndërsa, Kodi i Etikës përmes parimeve të përgjithshme obligon gjykatësit që t’i shmangen çdo sjellje apo situatë që do ta vinte në pikëpyetje integritetin, paanshmërinë ose pavarësinë e tyre.

Djali i kryetares kryen shërbime të shpejta

Gazeta Jeta në Kosovë ka pranuar disa letra në lidhje me aktivitetet e djalit të kryetares së gjykatës komunale të Vitisë, Edison Simani, i cili drejton zyrën juridike “Edi” e cila gjendet shumë afër gjykatës. 

Këto zyra regjistrohen si biznese dhe merren me çështje si përgatitja e kontratave, propozimeve për trashëgimi etj. 

Përfaqësuesi ligjor, Edison Simani

 

Edison Simani thotë se ai është jurist i diplomuar në Tetovë, se ka leje të punës dhe se paguan tatim me rregull.  

Por së paku dy avokatë që punojnë në këtë komunë, dhe të cilët nuk kanë pranuar të flasin me emër nga frika e hakmarrjes, thonë se Edison Simani edhe pa qenë avokat kryen shumë më tepër punë se sa ata. 

“Ka raste kur pala hyn ne zyrën time dhe pyet ‘ku e ka zyrën djali i kryetares’. Më kujtohet kur në zyrë ka ardhur një palë dhe ja kam përgatitë propozimin, por pastaj ka shkuar te djali i kryetares. Rastësisht e kam parë se ishte propozimi i njëjtë me timin”, ka thënë njeri prej avokatëve për gazetën. 

Ata kanë sugjeruar se Edison Simani është i shkathtë sidomos në fushën e lëndëve trashëgimore. 

Janë gjithsej katër gjyqtarë në Viti dhe Drane Simani thotë se lëndët trashëgimore i shqyrton vetëm ajo. 

Mirëpo, edhe ajo edhe djali e mohojnë lidhjen mes punëve të tyre. “Deri më sot vetëm 10 lëndë trashëgimore i kam kryer dhe nuk është e vërtetë se lëndët e mija hyjnë pa rend. Unë palës, për shembull, vetëm ia bëj propozimin e pastaj nuk merrem me to”, ka thënë Edison Simani.