Në gjurmët e më të kërkuarve të Kosovës

Gjoke Sokoli, i cili vjen nga fshati Mejë, i mbijetoi për fat asaj që është quajtur një nga vrasjet më famëkeqe të luftës në Kosovë.

Edhe pse konflikti ishte i vazhdueshëm, Sokoli vazhdoi rutinën e tij të përditshme më 27 prill 1999.
Rreth orëss 7:00 të mëngjesit, ai doli nga shtëpia e tij dhe shkoi për të punuar në qytetin e Gjakovës.

Por kjo do të ishte hera e fundit që ai do të shikonte tre vëllezërit dhe nipin e tij gjallë.
Vetëm një orë pasi ai u largua, ata u vranë nga forcat serbe të cilat atë mëngjes rrethuan fshatin e vogël katolik të Mejës, në veriperëndim të Gjakovës.

Si rezultat, më shumë se 300 shqiptarë të Kosovës, duke filluar nga mosha 14-60 vjeç u vranë.

“Ata u torturuan para nënës sonë,” tha Sokoli. Fshatarët e tjerë u dëbuan.

Sapo dëgjoi se fshati ishte sulmuar, Sokoli shkoi të takonte familjen e tij – ata ishin tashmë në një kolonë refugjatësh me mijëra të dëbuar shqiptarët etnikë nga fshatrat midis Gjakovës dhe Junikut, një zonë të njohur si Reka e Keq.

Por sapo e arriti familjen e tij, forcat serbe të cilat po shoqëronin njerëzit e detyruan atë të dilte nga grupi i refugjatëve dhe e prangosën atë.

Ai u shty në tokë dhe policia hapi zjarr në drejtim të tij.

“Prita disa sekonda shtrirë dhe kuptova se plumbat s’më kishin prekur,” tha Sokoli për BIRN.

Ai tha se qëndroi shtrirë atje për katër orë, duke mos guxuar të lëvizte për shkak se forcat serbe ishin ende përreth. Në fund, një bari i moshuar i kishte hequr prangat dhe Sokoli u strehua në një apartament në Gjakovë.

Ai u takua përsëri me nënën e tij vetëm pas përfundimit të luftës në korrik të vitit 1999, kur ajo u kthye nga një kamp refugjatësh në Shqipëri. Eshtrat e vëllezërve të tij u gjetën dy vjet më pas në një varr masiv në një qendër stërvitore të policisë në lagjen Batajnicës në kryeqytetin serb Beograd.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë ka dënuar gjashtë zyrtarë të lartë serbë për krimin në Mejë dhe fshatrat përreth, dhe javën e kaluar Interpoli lëshoi ‘kartelë të kuqe’ duke bërë thirrje për arrestimin e 17 luftëtarëve të Ushtrisë Jugosllave për dëbim dhe dhënie urdhri ekzekutimi, duke përfshirë edhe një deputet të partisë aktuale në pushtet në Serbi, Momir Stojanovic.

“Kartelat e kuqe”, gjëja më e afërt me një urdhër arresti ndërkombëtar, janë lëshuar si rezultat i hetimit dy vjeçar të misdionit për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) për atë që ndodhi më 27 dhe 28 prill në fshatrat Meja, Korenica, Orize dhe të tjerë në zonën e Rekës e Keqit.
“Është mirë që kjo ka nisur, sepse do të jetë një lehtësim për njerëzit,” tha Sokoli.

Një operacion hakmarrjeje
   
   
Sipas vendimeve të ICTY-së, sulmi ndaj fshatrave ishte pjesë e një operacioni të gjerë nga Ushtria Jugosllave dhe policia dhe ishte quajtur në dokumentet ushtarake si Operacioni “Reka” (Lumi).

“Në vendimin e ICTY-së, njësitë që morën pjesë në sulmin ishin Brigada 549 e Ushtrisë Jugosllave, pastaj një njësi speciale, Batalioni i 52-të i policisë ushtarake, i cili drejtorej nga Momir Stojanovic dhe komandanti i Brigadës 125, Dragan Zivanovic,” tha për BIRN Sandra Orlovic, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd.

Stojanovic, i cili është ndër njerëzit në listën e Interpolit, është aktualisht kreu i komisionit për sigurinë në parlamentin serb. Ai u lidh për herë të parë me sulmet e prillit 1999 gjatë gjyqit për gjenocid dhe krime lufte kundër Presidentit të ndjerë jugosllav Sllobodan Millosheviç në Gjykatën e Hagës.

Sipas Nike Peraj, një ish-oficer i Ushtrisë Jugosllave, i cili gjithashtu dëshmoi në gjyqin e Millosheviçit si dëshmitar i brendshëm, Stojanovici ishte ndër ata që i dhanë urdhër vartësve të tij për kryerjen e operacionit të spastrimit etnik në zonën e Gjakovës.

Peraj, i cili tani jeton në Kosovë, thotë se Stojanovici, dikur miku i tij i mirë nga ushtria, i urdhëroi vrasjet si hakmarrje pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës vrau pesë policë serbë në një pritë në afërsi të qendrës së Mejës më 22 prill 1999.

Peraj thotë se ai ishte i pranishëm në një takim kur Stojanovic tha se duhet të kishte “të paktën 100 kokë të eliminuara dhe të gjitha shtëpitë të digjeshin” si ndëshkim për sulmin.

Stojanovic, tani deputet i Partisë Progresive Serbe, i ka mohuar akuzat, duke thënë se kërkimi i Interpolit kishte për qëllim vetëm të frikësonte serbët në mënyrë që ata të mos kthehen në Kosovë.

Sipas Peraj, përveç Stojanovicit, Nikola Momicilovic, ish-kreu i Departamentit Ushtarak të Gjakovës, i cili është gjithashtu në listën e Interpolit, ishte gjithashtu i pranishëm në takim kur u dha urdhër për Operacionin “Reka” .

“Fshati i Mejës ishte i rrethuar një ditë më parë. Natyrisht, ka pasur urdhra për këtë gjë dhe natyrisht gjithçka është bërë siç është urdhëruar,” tha Peraj për BIRN.

Gjyqet e ICTY-së për krimet e luftës në Kosovë gjithashtu zbuluan një dokument sekret të ushtrisë të nënshkruar nga i komandanti i përgjithshwm, tani gjeneral i dalë në pension Dragan Zivanovic, në të cilin thuhet se Operacioni “Reka”, në të cilin morën pjesë njësitë e tij, ka përfunduar “me sukses” më 28 prill, me vetëm një të vrarë nga njerëzit e tij.

Shumica e 17 të listuarve nga Interpoli janë identifikuar nga Peraj dhe dëshmitarët e tjerë të mbrojtur nga ICTY-ja. Disa prej tyre janë përmendur gjithashtu edhe në raportin e vitit 2001 nga ana e grupit ndërkombëtar “Human Rights Watch”. Tre dëshmitarë thanë për HRW-në se ata panë Milutin Novakovic, i njohur si Stari, i cili ishte një polic në atë kohë, në një pikë kontrolli pranë fshatit kur ndodhën vrasjet më 27 prill. HRW-së u tha gjithashtu se vëllai i tij Miladini ishte atje.

Strehë në Serbi?
   
Edhe pse Interpoli e lëshoi urdhërin e ndalimit një javë më parë pas një kërkese nga Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK), deri më tani vetëm një arrestim është kryer.

Një ish-rezervist serb, Miras Gegovic, 68 vjeç, u arrestua më 19 shkurt në kryeqytetin malazez të Podgoricës. Ai është sistemuar në paraburgim për t’u ekstraduar për 30 ditë, por për shkak se ka probleme të rënda shëndetësore, aktualisht ai është në spitalin e burgut në Podgoricë.

Burrat e tjerë që ishin listuara në listën e Interpolit janë aktualisht në Serbi. Megjithatë, ata mbrohen nga ekstradimi nga kushtetuta serbe.

Policia serbe tha për BIRN-in se edhe pse ekziston një marrëveshje e nënshkruar me Interpolin, kushtetuta e udhëzon policinë të mos ekstradojë qytetarët e saj në vendet e tjera për krime lufte.

Në rastin e të dyshuarve për krime lufte në Gjakovë, sipas policisë, çështja është edhe më e komplikuar për shkak se “Serbia nuk e njeh Kosovën, edhe pse ajo bashkëpunon me EULEX-in dhe UNMIK-un në fusha të ndryshme”.

Ata mund të arrestohen nëse përpiqen të largohen nga Serbia.

“Çdo vend që po bashkëpunon me Interpolin mund të bëjë një arrestim, ndërsa autoritetet e një vendi mund të bëjnë vlerësime të mëtejshme në lidhje me ekstradimin, si në rastin e Malit të Zi,” tha një burim i policisë.

Peraj, një dëshmitar tepër i rëndësishëm, mbetet skeptik rreth procesit dhe ka frikë se ai mund të zvarritet për vite me radhë.

“Pse nuk janë arrestuar këta njerëz? Pse t’u japin atyre kohë për t’ia mbathur ose të ndikojnë te dëshmitarët? Ata duhet të arrestohen dhe të fillojë gjyqi,” tha ai.

Duke komentuar mbi urdhër arrestin e Interpolit, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha për median se ai personalisht nuk beson se anëtari i tij i partisë, Momir Stojanovic, është një kriminel lufte.

“Unë besoj se nuk ka asgjë serioze në padi, por autoritetet duhet ta shqyrtojnë këtë. Unë besoj se Stojanovic nuk ka bërë asgjë,” tha të premten Vuçiç.

Nëse rregullat dhe marrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës nuk ndryshojnë, e vetmja mënyrë që këta njerëz të gjykohet është që vetë autoritetet serbe t’i ndjekin penalisht ata.

Prokuroria serbe e krimeve të luftës deri tani ka bashkëpunuar me EULEX-in dhe UNMIK-un në 87 raste, por kurrë nuk ka vepruar për paditë e lëshuara nga institucionet ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas prokurorisë, për të nxjerrë një padi në bazë të provave të EULEX-it, prokurorët serbë do të duhet të kontrollonin çdo pjesë të provave të listuara dhe pastaj të përgatisin padinë e tyre, e cila nuk ka pse të përfshijë të gjithë emrat e listuar në “kartelën e kuqe”.

Orlovic tha se deri më tani nuk ka pasur hetime zyrtare në Serbi në lidhje me krimet në Mejë.

“Kjo është një pyetje e madhe se pse deri tani ky rast nuk është ndjekur penalisht edhe pse kemi pasur njoftime nga prokuroria serbe se ata do të hapnin një çështje. Pa asnjë dyshim, në bazë të dokumenteve dhe deklaratave nga Haga, ka pasur elemente të mjaftueshme për të hapur çështjen,” tha ajo.

“Ndjeshmëria e këtij rasti është se për shkak të numrit të njësive të përfshira, hetimi do të çojë para përgjegjësisë zyrtarë aktual të rangut të lartë,” shtoi ajo.

Rruga e gjatë drejt drejtësisë
   

Sokol Tetaj nga Orize, fshati tjetër pranë Mejës i cili u sulmua gjithashtu më 27 prill 1999, nuk beson se figurat e rangut të lartë përgjegjës për sulmin do të dënohen ndonjëherë.

“Kështu ka qenë gjithmonë . Janë gjithmonë të vegjlit ata që ndëshkohen,” tha Tetaj për BIRN.
Të afërmit e tij më të ngushtë i mbijetuan masakrës, por të tjerët në familjen e tij të madhe jo. Xhaxhai i tij Gjon Hasanaj, djali i xhahait Shyti dhe djali i Shytit, Luani, u vranë të gjithë.

“E merrni dot me mend? Tre breza që fshihen nga faqja e dheut ,” tha Tetaj.

Vlora Ymeraga nga Gjakova gjithashtu humbi burrin e saj gjatë sulmeve në prill të vitit 1999. Ai u zhduk dhe nuk është parë më kurrë.

“Të gjithë kriminelët dihen me emër dhe asnjë prej tyre nuk është pyetur për trupat e njerëzve tanë,” tha ajo.

Ymeraga tha se ajo shpreson se hetimi do të nxjerrë në dritë të vërtetën se çka ka ndodhur me burrin e saj dhe viktimat e tjera.

“Të paktën duam eshtrat dhe t’i japim fund këtij makthi,” tha ajo.