Presidentja Duhet ta Shpëtojë Thaqin

  • Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit do duhej të niste me njoftimin se ajo ka nënshkruar dekretin për faljen e dënimit për Abdullah Thaqin.

    Para këtij takimi, Presidentja do të duhej të kishte dhënë sinjale të qarta se ka nisur procedurat ligjore për faljen e dënimit për Thaqin, duke krijuar komisionin vlerësues për ta vlerësuar kërkesën për ta falur sinjalizuesin e korrupsionit për së paku një pushtetar të Komunës së Prizrenit.

    Duke pasur parasysh që Kosova është vend me Zero tolerancë kundër Korrupsionit dhe ata që janë në luftë kundër tij janë heronjtë e rinj të Kosovës, rekomandimi i komisionit do të duhej të ishte ky: “Abdullahu duhet falur për shkak se vepra e tij është në të mirë të Republikës së Kosovës”.

    Me këtë veprim dhe duke shfrytëzuar pushtetin e saj të jashtëzakonshëm Ligjor dhe Kushtetues, Presidentja Atifete Jahjaga duhet të dëshmojë se është adresë e qartë ku mund të mbrohen qytetarët sinjalizues të korrupsionit.

    Duke nxjerrë një dekret për falje, Presidentja do shpëtonte Abdullah Thaqin dhe do motivonte edhe shumë të tjerë ta raportojnë korrupsionin.

    Si punonjës banke, Abdullah Thaqi kuptoi se fonde të Republikës së Kosovës kanë kaluar nga llogaria shtetërore në një llogari private.

    Edhe pse jo konform procedurave normale, Thaqi vendosi ta ndezë sinjalin i cili mjaftoi që prokuroria të nisë hetimet dhe të ngre aktakuzë ndaj zyrtarëve komunalë të Prizrenit për korrupsion.

    Por pa e kumtuar lajmin se keqpërdoruesit e mundshëm të parasë publike u dënuan, sistemi juridik i Kosovës u kujdes që Abdullah Thaqi të vihet para drejtësisë.

    Veprimet e tij për ta zbuluar korrupsionin nuk kishin qenë në përputhje me procedurat ligjore dhe gjykata u kujdes që ta trajtojë lëndën e tij.

    Në gjyqësorin e Kosovës, ku lëndët vjetërsohen dhe parashkruhen, lënda ndaj Thaqit u trajtua pa ndonjë vonesë, ajo nuk pati asnjë rrezik të parashkruhej apo të futej në sirtarët e gjykatës për të arritur kohën e plakjes.

    Parimisht, Thaqi i cili e pranoi se shkeli rregullat e bankës duhet dënuar, por a duhet të shihet dënimi i tij si një gjë pozitiv në sistemin juridik të republikës së re?

    Padyshim se dënimi i tij krijon një siguri dhe ambient të mirë te bankat të cilat operojnë në vend.

    Në çdo vend normal bankat duhet të kenë mbrojtje dhe siguri juridike dhe kjo nuk duhet të vihet në dyshim. Në dyshim nuk duhet të vihet as siguria e informacioneve dhe transaksioneve bankare.

    Por, cili është mesazhi publik i cili përçohet duke e dënuar një sinjalizues korrupsioni, pa i dënuar ende pushtetarët e dyshuar për vjedhje të shtetit?

    Abdullah Thaqi u dënua me 5 mijë euro gjobë, pasi pranoi fajësinë për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare.

    Ai akuzohej se më 31 korrik të vitit 2012, si punëtor i njërës nga bankat e Kosovës, pa pasur autorizim të duhur iu ishte qasur llogarive bankare të Nexhat Çoçajt – drejtor i Arsimit në Prizren dhe Bekim Thaçit – mësimdhënës.

    Nga të dhënat e zbuluara nga këto qarkullime bankare Nexhat Çoçaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për akuzën dhe presionet ndaj tij, Thaqi kishte rrëfyer në emisionin Jeta në Kosovë.

    Pushteti i jashtëzakonshëm i Presidentes duhet të marrë për bazë arsyen e cila shtyu Thaqin dhe sinjalizuesit tjerë që t’i tejkalojnë institucionet dhe korrupsionin ta denoncojnë në publik.

    Si munden denoncuesit t’i besojnë policisë, kur i madh e i vogël di për lidhjet e saj me politikën?!

    Si munden denoncuesit e korrupsionit t’i besojnë prokurorisë së cilës çdo ditë i vjetërsohen lëndë të korrupsionit?!

    Si munden denoncuesit t’i besojnë gjykatës, e cila pa asnjë turp lejon që hajnat e shtetit t’i shpëtojnë burgut?!

    Presidentja më së miri e di se kush e heton e gjykon korrupsionin. Ajo vet ka qenë pjesë e policisë për shumë vjet dhe së fundmi vet ka dekretuar gjykatës e prokurorë.

    Pra, duke e ditur se qytetarët e saj kanë arsye të mos i besojnë shumë sistemit të ndjekjes, Presidentja duhet të marrë vetë detyrën që t’i mbrojë dhe inkurajojë qytetarët e Kosovës dhe denoncuesit publik të korrupsionit.

    Ajo duhet të marrë vendim dhe të nxjerrë dekretin me të cilin do e falë Abdullah Thaqin. Të paktën Thaqi ka kryer krime më të lehta sesa shumë persona që janë falur nga presidentët deri më tani.