Ligjet e Rrezikshme të Drejtësisë

Ndryshimet të cilat tash janë paraqitur para deputetëve çojnë në ngritjen e dilemës nëse ndryshimet në këto ligje janë ato që i duhen sistemit, apo ligjet janë një  përshtatje e normave ligjore për interesa personale të njerëzve me ndikim në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Duke i përshtatur ligjet për interesat e tyre, këta zyrtarë kanë harruar se këto ligje i dedikohen të mirës publike duke krijuar rend dhe rregull në gjyqësor dhe prokurori.

Fatkeqësisht çdo kush që i lexon këto ligje arrin të shohë dorën e atyre të cilët tentojnë që ligjin ta përshtatin për vete, e jo për të mirën e publikut.

“Shqyrtimi gjyqësor është publik dhe mbahet në prani të publikut” ky është njëri nga parimet kushtetuese të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Bazuar në këtë parim çdo qytetar i vendit mbi moshën 18 vjeçare ka të drejtë të marrë pjesë në seanca gjyqësore.

Pra ky nen garanton qasjen e publikut në ato çfarë ndodhin në gjykatë dhe rrjedhimisht publiku njoftohet me vendimet e gjykatës.

Duke e shkelur këtë parim, hartuesit e propozimeve për ndryshimin e ligjit të gjykatave kanë propozuar që vetëm  aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të publikohen në faqet zyrtare të gjykatave, ndërsa aktgjykimet e shkallëve të tjera nuk do jenë të qasshme.

Më e keqja është se duke bërë një lojë fjalësh hartuesit e ligjit janë kujdesur që në nenin i cili rregullon publikimin e aktgjykimeve të mos përmendet ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, mirëpo aty vetëm të  shënohet se “aktgjykimet e publikuara nuk do përmbajnë të dhënat personale”.

Ky ndryshim shumëkujt do i dukej kozmetik, por kur analizohet në thellësi, lirshëm kuptohet se hartimi  i një rregulli të tillë është bërë me qëllim.

Rreziku  është  se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale lejon publikimin e të dhënave personale në rastet kur publikimi i tyre është në interes të publikut, ndërsa Ligji për Gjykatat në formën e cila është shkruar nuk e garanton se në rastet kur ka interes publik gjykatat do t’i publikojnë aktgjykimet me të dhënat personale.

Për ta ilustruar këtë situatë, dënimi i një kryetari të komunës për korrupsion është një informatë e cila është në të mirë të publikut dhe nëse do zbatohej rregulli i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjykatat do kishin mundësi që të publikonin aktgjykimin me emrin mbiemrin dhe pozitën e zyrtarit të dënuar për korrupsion.

Në anën tjetër me ligjin e propozuar  e dhëna se kryetari i Komunës është dënuar për korrupsion nuk do jetë publike. Në këtë rast pyetja është- kujt i ka interesuar futja e kësaj norme në Ligjin për Gjykatat?
Pyetjet tjera se kujt i ka interesuar futja e neneve të tjera në këto ligje janë të shumta.

Shembull është futja e neneve të cilat garantojnë imunitet nga ndjekja penale dhe paditë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe ata të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ende është e paqartë se kujt i interesoi që anëtarëve të KGjK-së dhe KPK-së t’u garantohet imunitet nga ndjekja penale.

Për ta sjellë në vëmendje, disa muaj më parë Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale kishte folur për grupe kriminale brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës. Dilema në këtë rast është nëse me nenet të cilat garantohet imuniteti, zyrtarët të cilët i kishte përmendur z. Sevdije Morina do shpëtojnë nga përgjegjësia para ligjit.

Pyetja është se kujt në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës po i intereson që të ketë imunitet nga ndjekja penale. Pse këta gjykatës e prokurorë po tentojnë që të mos japin përgjegjësi dhe llogari për veprimet dhe vendimet të cilat i marrin vetë, apo në kolegjiumet e këshillave?

Rreziku është i madh nëse deputetët vendosin të krijojnë rregulla me të cilat i bëjnë të papërgjegjshëm para ligjit anëtarët e KPK-së dhe KGjK-së.

Dyshimet se ligjet janë përshtatur për interesa dhe nevoja të individëve, janë rritur pas raportimeve se nga draft-ligjet e para ishin fshirë rregullat me të cilat gjykatësve e prokurorëve do u ndalohej që për punën jashtë orarit të merrnin pagë më të lartë se 25 % e vlerës së pagës momentale si dhe rregullat të cilat ua ndalonin kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve të emëroheshin anëtarë të KGjK-së dhe KPK-së.

Dy normat ishin propozuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian, ndërsa të njëjtat janë fshirë nga ligjet gjatë kohës kur ligjet udhëtonin nga Ministria e Drejtësisë për në Qeverinë e Kosovës.
Deputetët e kanë të lehtë të kuptojnë se kujt i interesonte që këto dy nene të fshiheshin nga ligjet.   
Kujt prej gjyqësorit e prokurorisë i intereson të vazhdojë avazi i pagave të larta nga universitetet publike e private, e po ashtu të kuptohet se cilët kryetarë gjykatash e kryeprokurorë kanë ambicie të jenë pjesë e KPK-së dhe KGjK-së.

Deputetët do të duhej të pyesnin se kujt prej gjyqësorit e prokurorisë i intereson që sekretarët e KGjK-së dhe KPK-së do kenë të drejtë në të ardhmen të punojnë punë jashtë orarit, pa u mbikëqyrur nga askush.
Po ashtu deputetët do të duhet të kërkojnë sqarime të detajuara për ndërhyrjet të cilat kanë ndodhur në këto ligje, e për të cilat ende nuk është dhënë ndonjë sqarim i qartë.