Maqedonia dhe Shqiptarët Politik

Pushteti i Gruevskit, ngadalë, por ka marrë tatëpjetën pa kthim. Kjo falë stërzgjatjes së pushtetit të tij, stërzgjatje e cila është kundëproduktive për shoqërinë e qeverisur, sidomos për ato të cilat gjenden në fazën e tranzicionit. 

Pushtetet e tejzgjatura tek shtetet në tranzicion nuk i bëjnë mirë demokracisë, sundimit të ligjit si dhe ekonomisë së diversifikuar – anti-monopoliste. Për shkak të brishtësisë së sistemit shtetëror pra, pushtetet e këtilla e kanë të pamundur t’i përgjigjen të gjitha kërkesave qytetare për zhvillim, përparim dhe demokraci vibruese, andaj janë të prirura të futen në një rreth vicioz të mbajtjes së pushtetit. 

Mbajtja e pushtetit në këso rastesh, bëhet vetëm nëpërmes patronazhit, kapjes së shtetit nëpërmes strukturave shtetërore të cilat, sipas parimeve demokratike kushtetuese, duhet të jenë në shërbim të shoqërisë dhe shtetit e kurrsesi të pushtetit.

Ndërkohë, duke e marr si shkas lëvizjen opozitare e cila ka synim t’a zëvendosjë pushtetin në shkuarje të Gruevkit-Ahmetit, së paku në dukje, është duke u personifikuar si një opozitë e cila përmes koordinimit dhe organizimit me qytetarët e pakënaqur po bën përpjekje që të detyroj qeverinë Gruevski të jap dorëheqje, përkatësisht të krijoj mundësinë për formimin e një qeverie teknike e cila do të pregatisë vendin për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. 

Udhëheqësi i opozitës maqedonase është duke e shfrytëzuar momentumin për t’u bashkuar me qytetarët e etnisë shqiptare. Ndërkohë, ky momentum duhet patjetër të shfytëzohet mirë edhe nga etnia shqiptare. 

Përderisa vazhdojnë protestat anti-qeveritare, shqiptarët duhet fuqishëm të vazhdojnë betejën e tyre në dy fronte: së pari duhet t’ua bëjnë të qartë opozitës maqedonase se angazhimi i tyre politik bëhet me qëllimin e vetëm që të përmirësohet jetesa e tyre, pra t’iu mundësohet zhvillimi i papenguar dhe së dyti, të faktorizohen politikisht, pra të bëhen faktorë shtetë-formues e shtet-ndërtues si e vetmja mundësi për ruajtjen e stabilitetit politik të Maqedonisë dhe Ballkanit. 

Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë vetëvetiu. Zaevi nuk do t’i ftoj shqiptarët që të projektojnë ardhmërinë e tyre, nëse vet shqiptarët nuk dijnë t’a shfrytëzojnë këtë mundësi. Zaevi do t’i shfrytëzojë shqiptarët vetëm gjatë këtij procesi të rrëzimit të pushtetit. Asgjë më shumë.

Etnia shqiptare në Maqedoni duhet të merr mësim tek etnia shqiptare në Malë të Zi.

Rasti i pavarësisë së Malit të Zi nga, atëherë, Unioni Serbi & Mali i Zi, është rast eklatant i paditurisë dhe mungesë së organzimit politik për të shfrytëzuar fuqinë kritike që votuesi shqiptarë patë në referendumin për pavarësi. 

Kryeministri i atëhershëm dhe i tanishëm, Milo Gjukanoviç, deklaroi hapur që pa votuesin shqiptarë pro-pavarësisë, projekti i pavarësimit të Malit të Zi nuk do të realizohej. Shqiptarët u treguan shumë të pamençur politikisht, dhe nuk ditën të shfrytëzojnë këtë mundësi si kartë politike për avancimin e mëtutjeshëm të të drejtave të tyre politike dhe ekonomike në këtë shtet. 

Kjo nuk duhet të përsëritet nga shqiptarët e Maqedonisë. Shqiptarët e Maqedonisë, krahas organizimit aktiv për të ndërruar pushtetin e Gruevskit, duhet t’ua bëjnë të qartë liderëve politik të cilët kanë patur mundësinë të jenë pjesë e pushtetit në qeverinë e Maqedonisë: BDI & PDSh që pjesëmarrja e tyre e mëtutjeshme në skenën politike ka perënduar, përkatësisht mbrojtja dhe përfaqësimi i interesave të tyre më nuk mund të bëhet nga këto parti të korruptuara dhe të kapura. 

Shqiptarët duhet të gjejnë mundësi për krjimin e një lëvizjeje politike e cila përfill parimet e demokracisë së brendshme, pra ta mundësojnë krijimin e një hapësirë për liri të plotë politike të secilit anëtarë në mënyrë që të evitohet mundësia që një lider apo grusht lidershipi të mund t’a uzurpoj partinë dhe kështu të bëhet lehtë pre e qeverisë për kalkulime të cekta politike. 

Kjo lëvizje duhet të gjejë mundësinë të koordinohet me partitë e tjera të vogla shqiptare në arritjen e synimeve për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, në përgjithësi, si dhe të kontribuojnë në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, në veçanti.

Ndërkohë, rrëzimi i pushtetit në Maqedoni pashmangshëm do të rezonoj virtytet e saja edhe në Kosovë. 

Qytetarët e Kosovës mezi presin që t’ju mundësohet kthimi i shpresës së humbur. Momentumi i rrëzimit të pushtetit në Maqedoni duhet të rezonojë edhe tek opozita në Kosovë. 

Kjo duhet t’a gjejë atë mirë të pregatitur. Popujt e ballkanit Perëndimor, para së gjithash, duan zhvillim dhe përparim. Durimi ndaj regjimeve të këtyre shteteve ka filluar të venitet seriozisht. Maqedonia do të jetë fillimi i ndryshimeve politike, por jo fundi. Mbase, trajektorja e zhvillimeve politike do të varet edhe nga projeksioni i ndërthurjes së interesave gjeo-strategjike të Rusisë dhe Perëndimit në rajonin tonë.

Besoj që Perëndimi do t’a shfrytëzoj mirë angazhimin në rritje të opozitës për të mundësuar shoqëritë që të kenë më të lehtë rotacionin e pushteteve si proces i nevojshëm për të përmirësuar/dënuar veprimet e pushtetit si dhe për t’ia bërë me dije opozitës së djeshme që duhet patjetër të jetë më efikase në krahasim me pushtetin e djeshëm. 

Gjithashtu, kjo është esenciale në angazhimin e tyre drejt vazhdimit të reformave të thella politike, ekonomike dhe shoqërore si parakusht për anëtarësimin në BE. Ballkani perëndimor i ka vetëm dy alternative të tjera: Rusinë dhe Turqinë. Besoj që e kanë të qartë popujt e Ballkanit se cilit bllok global kanë interes t’i bashkohen.