Shqipëria dhe Kosova Tjetër

Në stacionin e autobusëve në kryeqytet kërkoj relacionin Prishtinë-Tiranë. Ora 04.40. I vetmi autobus ishte ai që do të nisej për në kryeqytetin shqiptar. Zë një karrike. Dalë të blej shkrepsë. Shitësi, në njërin nga dyqanet e improvizuara, më propozon të blej edhe diçka tjetër që e konsideron të nevojshme për udhëtim. Dal nga dyqani. Pas pesë minutash kthehem dhe marr një kuti përtypëse Orbitë. “Ta thash se të duhen dhe gjana tjera”, tund kryet shitësi. “Mos e le pa marrë edhe letra të lagta”. Më pyet pse po shkoj në Tiranë, me punë, ia kthej.  Po çfarë punon?  Nuk i përgjigjem. Hip në autobus. Ora 05.00. Dielli nis të vie në Prishtinë, injorues ndaj dilemave nëse drita vie nga Lindja a Perëndimi.
Nisja

Mbas dhjetë vitesh udhën për në Tiranë e marr me autobus. Rruga dikur qe një tmerr. Pyes shoferin sa zgjatë udhëtimi- 4 orë e 20 minuta diku, thotë. Sigurisht kah autostrada, i them. Po, po patjetër, përgjigjet bindshëm.

Autobusi lëshohet autostradës. Jemi vetëm pesë-gjashtë veta. Udhëtim i rehatshëm e i shlirë. Kilometrat kalojnë, dhe në këtë numërim, autobusi merr një kthesë. Me kaq udhëtimi i rehatshëm nëpër autostradën kosovare mbaron. Nja dhjetë udhëtarë zbresin nga një furgon, bashkohen me ne. Pyes vajzën që m’u ulë pranë “Po ku u ndalëm, ku ju mori autobusi” Në Duhël, përgjigjet. Bashkudhëtarja, një motër-shqiptare, e hap prezantimin dhe llafin. Kalojmë nëpër Therandë. Fëmija përpara pëshpëritë se është i lumtur që më në fund po shkon në deti. E ëma e shpërfill gëzimin pohues të të birit. Ajo pyet vajzën përkrahë: U nda ky përfundimisht me Teutën, apo jo?! Blero në ekran. Pas tij Dida, Meda, Labi, dhe pothuaj e gjithë estrada in. Bythët e Kallashit dhe bythë të tjera përshëndesin nga ekrani televiziv.
Ndalesa e dytë bëhet në Prizren. 10 minuta pushim lajmëron shoferi në mikrofon: edhe dhjetë minuta prej shpisë, thotë. Udhëtarët ndezin cigaret, kush porosit kafenë, kush çajin, shumica ia mësyjnë toaletit, shoferi ulet të hajë. Kalojnë 10, 20, 30 minuta. Në minutën e 37 derisa përkëdhelë barkun e mbushur, vozitësi kësaj radhe pa mikrofon, thërret udhëtarët të bëhen gati. Pushimi 10 minutësh mbaroi pas 40 minutave.

Kufiri është i lirë, e kalojmë shpejt. Edhe nëpër autostradën e Berishës akoma më shpejt. Diku te kthesa për Shkodër, vozitësi bën zë me mikrofon: Le të bëhen gati ata që shkojnë për në Shën Gjin! Disa zbresin e hipin në një tjetër furgon. Pak kilometra më larg, sërish thërret: Le të bëhen gati ata që shkojnë për Durrës! Të tjerë zbresin. Mbesim vetëm tri udhëtare për në Tiranë. Relacioni njëdrejtimësh Prishtinë-Tiranë kthehet kështu, me pak sofistikime, në një multidrejtimësh. Autobusi vazhdon. Tirana shfaqet përballë. Makinat vlojnë. Shoferi ynë mezi gjen hapësirë për të hyrë në rreth. Minutat shkojnë, ndalesat në gati çdo sekondë, boritë të shurdhojnë. Të gjithë u bien! Veturat kacafyten, po ashtu edhe boritë!

I jap adresën e destinimit drejtuesit të taxi-s. “Nga vini ju?” nga Prishtina, i them. Po nga jeni, pyet, nga Gjakova. Ah tha, e bukur është Gjakova. Unë jam nga Prishtina, Fushë Kosova shtoi, dhe së treti, në një toskërishte të bukur, e plotësoi me faktin se ish nga Lipjani, i zhvendosur në Fushë Kosovë. Çudi, nuk do ta kisha besuar. Epo tha, këtu duhet folur kështu.

***

Ndalem për kafe. Kamarieri, një djalë as 20 vjeç, me mirësjellje më sjellë kafenë. Po ju nga vini, pyet. Nga Prishtina, i them. Ju pëlqen Tirana, vini shpesh në Tiranë? Jo, i përgjigjem, rrallë, shumë rrallë. Shumë zhurmë, vetëm kjo fjali më rrëshqet. Burri i moshuar në tavolinën ngjitur ndërhyn. Po më e mirë Tirana apo Prishtina? Zhurmë e madhe, sërish e njëjta përgjigje më del. Po thotë, Tirana është e madhe, prandaj. Prishtina nuk është haj-haj ndonjë qytet. Ju kosovarët veç detin e doni, jo Shqipërinë! Rrudhë krahët. Po tha, ne jua japim detin, e biles edhe identitetin. Ashtu?! Ngre vetullat unë. Ne shqiptarë, ju shqiptarë, po nuk jemi të njëjtë, më thotë, kjo është vetëm kushtimisht. Sigurisht, ia paqëtoj bindjen. Po ju pa neve s’mundeni, ma pret ai. Shih vetëm ato që po ndodhin tash në politikën e shoqërinë kosovare! Sërish gjykata speciale. Muhabeti për Kosovën vazhdon në tavolinën ngjitur. E shoqja ia miraton qëndrimin derisa me elegancë përzien kafenë e thithë cigaren.

***

Çdo identitet është i brishtë, si bregu i një plazhi që tërhiqet e shtyhet, si vragët në fytyrë, pati thënë dikush. Zanore, lidhëza dhe viza të hequra apo të shtuara në gjuhë, në jetë dhe në marrëdhënien tonë mund të çojnë në përleshje e në papajtueshmëri të ndërsjella.

50 vitet e diktaturës të përballuara nga çifti në tavolinën përkrahë dhe të tjerë rrugëve e makinave janë një poemë epike e dhimbjes, siç janë madhështore edhe gjithë vitet e demokracisë.

Tirana ka tiparet e një fytyre të lodhur po të maskuar, gjurmët e dhimbjeve të njerëzve të saj janë kudo, po edhe të kuqët e buzëve dhe hijëzimet mbi sy apo faqet e skuqura. Në Tiranë mjafton një shetitje e shkurtër për të kuptuar shpirtin e saj. Për të hyrë e dalë nga një epokë në tjetrën, me tërë historitë dhe industritë e veta.

“Të vrasësh e të vdesësh për racën apo për monopolin e bananeve, në fund të fundit, nuk është më fisnike apo me më kuptim”.

***

Në katin e parë ndodhej godina ku po mbahej konferenca shkencore. Dukej se zemra e saj kish pushuar diku me mbarimin e epokës së kuqe. Po çuditërisht akoma mbahej në jetë edhe pas kaq vitesh vdekjeje. Në sallë akoma figuronin emërtimet mbi sirtarët e arkivit. PPKSH, Rusia, Jugosllavia, Lidhja e shkrimtarëve, Lidhja e artistëve, Patriotët komunistë, “Titoja u prish me Stalinin”… dokumente të një epoke frymën e së cilës akoma e ruante në lëkurë ndërtesa e arkitekturës socialiste. Një histori e djeshme që ishte e sotme. Me gjasë vullneti i godinës dhe i të tjerëve në pushtet, ishte që ajo të qëndrojë akoma gjallë për të dhënë dëshminë e dikurshme.

Shqipëria tjetër zë vend në tavolinën e kafenesë me miq e kolegë. Diskutimi për vizën ndarëse bëhet shpërfillës. Makinat gumëzhijnë, boritë dhe njerëzit që ecin me po aq shpërfillje. Një pa plumb, porosit kolegu. Kamarieri qeshë: “Qe do zotni atë, ç‘është ore pa plumb?” Një makiato të madhe të rëndë, të fortë, porosis unë, me shumë kafe mendon, ma kthen kamarieri… me lekë, pa lekë, të reja, të vjetra, 5 mijë, 5 milionë thotë, qeshin kolegët, qeshim të gjithë- kështu e kemi ne në Shqipëri, thotë një mike.

Në kafe bëhen llafe të cilët s’guxojnë të shkojnë përtej metrave katror të kafenesë- lëvdata, kritika dhe mllefe që dalin nga zemra, dëshmitare të së cilës mbesin vetëm filxhanat e zbrazur të kafesë dhe ajri i nxehtë. Fjalët ikin, miqtë poashtu.

Jemi hipokrit të mëdhenj?! Në tavolinën e drekës Shqipëria tjetër nuk zë vend në tavolinë. Një zgjidhje e tretë teme e lë në hije temën e nxehtë të Shqipërisë dhe Kosovës tjetër.
Kthimi

I zoti i autobusit pranë Hotel Tirana International sërish duke lëmuar barkun e fryrë thërret: Hajdeni, bëhuni gati! Po shkojmë në Kosovë! Relacioni Tiranë-Prishtinë në ballë të makinës së madhe. Zhegë, por kondicioneri punon mirë. Pak udhëtarë, sërish. Bukur!

Kalojmë Tiranën e zhurmshme. Mbërrijmë te udhëkryqi, i Durrësit me gjasë. Ndalemi. Udhëtarë zbresin nga një furgon, hipin në autobus. Sërish mbushet plot, lëkurë të skuqura, çanta, byrek, çepaba, fanta, coca-cola: vetëm musaka, pasuli dhe sallatat mungojnë.

Blero në ekran. Askush më s’pyet nëse u nda përfundimisht me Teutën apo jo. Bythët e Kallashit kishin mbetur po aq të rrumbullakëta, bythë të tjera. Një plakë mërmëritë “Jazëk, marri!” plaku i vet i qetë, kotë sytë.

Ndalesa tjetër në një pompë benzine. Shenjat No smoking gjithkah, po të gjithë ndezim cigaret, rendi në market dhe rendi për në toalet i gjatë.

I afrohemi kufirit. Rendi i makinave me targa të huaja i gjatë. Kosova tjetër po kthehej në Kosovën e parë. Magjia dhe mallkimi i kalimit të kufirit qëndrojnë në paaftësinë e dhimshme dhe dërrmuese për t’u pajtuar, ndoshta. Të harruar e në kujtesën therrëse të Shqipërisë tjetër, ndoshta. Hije e mbetur jo vetëm simbol i patriotizmit, por edhe simbol i një morali tepër të lartë, i gatshëm për të sakrifikuar veten dhe tjetrin.

***
Le të bëhen gati ata që shkojnë për Prizren, në Prizren ju dërgon taxi. Autobusi vazhdon. Ata që janë për Suharekë le të bëhen gati. Autobusi bishtnon rrugët. Kalojmë Therandën. Autobusi sërish bishtnon: Ata që janë për Shtime e Ferizaj le të bëhen gati, thërret vozitësi, një kombi do të ju dërgojë. Ata që janë për Komoran le të bëhen gati. Ata që janë për Sllatinë le të bëhen gati. Ata që janë për Fushë Kosovë le të bëhen gati. Dhe në fund, i zoti me një fjali buzeqeshëse thërret në hyrje të stacionit të autobusëve në Prishtinë: “Le të bëhen gati ata që janë për Prishtinë!”. Relacioni Tiranë-Prishtinë edhe në kthim shndërrohet nga njëdrejtimësh në multi sosh.

“Në botë asgjë nuk ndalet!” sikur të përshëndet buzagaz shoferi në udhëtimin Prishtinë-Tiranë.

“Taxi, taxi, doni taxi?” Po si kaluat në Tiranë pyet taksisti, bukur ishte…? Ndërkohë edhe mbrëmja është drejt mbylljes. Hoxha thërret iftarin. Prishtina më e qetë se kurrë. Ajo tjetra, e para, e dyta… kushedi!