(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel

Me ndërmjetësim të emisarit të Bashkimit Europian Mirosllav Lajçak, sot (25.04.2024) në tryezën e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel do të ulen të flasin kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.

Temë kryesore e takimit do të jetë çështja e dinarit. Lajçak tha të martën (23.04.2024) se po punon për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, teksa paralajmëroi takimin për këtë javë.

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Bislimi konfirmoi se takimet e radhës të procesit të dialogut do të zhvillohen sot.

“Për formatet se si janë zhvilluar takimet, pra bilaterale apo edhe trilaterale, do të njoftoheni pas përfundimit të takimeve”- tha Kadiu për KALLXO.com.

Herën e fundit kryenegociatorët u takuan më 18.04.2024 në Bruksel, por takimi përfundoj pa ndonjë rezultat.

Lajçak pati njoftuar se do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një rrugë në lidhje me çështjen e dinarit. Diferenca mes palëve për këtë çështje, sipas tij, është zvogëluar. Ai pati deklaruar se në takimin e radhës mes dy kryenegociatorëve pret që bisedimet të bazohen në ide konkrete.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, kishte thënë se në takimin e 18 prillit në Bruksel nuk është arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e dinarit. Madje, ai e quajti këtë takim si “të kotë dhe pa rezultat”.

Takimi i 25 prillit është i katërti mes kryenegociatorëve, dhe i pesti mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjete pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa dhe marrin pensione e ndihma të tjera nga Serbia në dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.