Zhytja në Borxhe e Gjigantit të Privatizuar

Ata protestuan për të 6-ten herë para kësaj fabrike, që nga 3 qershori kur janë njoftuar nga menaxhmenti i tyre se që të gjithë duhet të shkojnë në pushim kolektiv. Ndërsa nuk kanë marrë pagë që nga marsi.

Zyrtarë të kompanisë u kishin premtuar punëtorëve se këtë obligim do ta shlyente në javën e parë të shtatorit, gjë që ende nuk ka ndodhur.

“Ne nuk i besojmë më këtij pronari, vetëm fjalë ka, që 6 muaj kështu thotë”, tha Enver Isufi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Llamkos-it.

Pajazit Maxhuni, punëtor në këtë fabrikë, tha se situata ekonomike e punëtorëve është e vështirë.

“Gjendja e të gjithëve është e rëndë, kështu nuk mundemi më me duru më shumë”, shtoi ai.

Gjatë kësaj proteste, u paraqitën 3 hapat e ardhshëm, të cilat do të ndërmerren nga punëtorët e Llamkos-it nga e hëna e ardhshme më 22 shtator.

Paraqitja e rastit në gjykatë është hapi i parë që punëtorët thanë se do ta ndërmarrin.

Si hap të dytë ata do të takohen më institucionet përgjegjëse siç është Agjencia e Privatizimit dhe hapi i fundit sipas tyre do të jetë realizimi i kryerjes së obligimit të pagesave.

Drejtori Gjeneral i “Llamkos Galva Steel”, Vehbi Selmani, e konfirmoi për KALLXO.com se pagesat nuk janë kryer ende, duke mos dhënë detaje tjera.

“Nuk jam i njoftuar se sot ka protestë para Llamkos-it, dhe nuk dua të flasë për ketë temë më shumë”, tha ai.

Por Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Llamkos-it tha se e ka njoftuar menaxhmentin para dy ditësh.

“Konkretisht Vehbi Selmanin”, tha Enver Isufi.

Gazeta Jeta në Kosovë, kishte shkruar për këtë problem edhe me 1 shtator të këtij viti.

Në atë kohë Selmani kishte thënë se që nga e hëna (1 shtator) do ta stabilizojë gjendjen në kompani.

“Pronari i ka siguruar disa fonde dhe na ka premtuar që nga e hëna do të stabilizohet gjendja dhe do të rriten edhe sasitë e prodhimit”, pati thënë ai.

Gjithashtu me 3 shtator kur ishte kontaktuar prapë nga gazeta Jeta në Kosovë, Selmani kishte thënë se deri të premten (5 shtator) një premtim i tillë do të përmbushej.

Protesta ka qenë e qetë, dhe kanë marrë pjesë rreth 100 persona.

Sipas Sindikatës ky numër i vogël i pjesëmarrjes është shkak i lodhjes së punëtorëve nga mospërmbushja e asnjë premtimi të fabrikës.

Llamkos është privatizuar para tre vjetësh dhe ka të regjistruar 477 punëtorë.