Gjykata Kushtetuese me Dështimin e Radhës

Kohëve të fundit BIRN-i ka goditur mjaft rëndë Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi shoshitur gjerë e gjatë dy vendime kundërthënëse të saj pas zgjedhjeve të muajit qershor dhe kemi vënë nën pikëpyetje mënyrën se si tre gjyqtarë ndërkombëtarë kanë vazhduar të shërbejnë në Kosovë edhe pas skadimit të mandateve të tyre. 

Për fat të keq, gjykata rishtas po përballet edhe me një tjetër telashe, pasi vendimit që mori për të mos e dëgjuar rastin e parashtruar nga avokati i popullit Sami Kurteshi. 

Ankesa e Avokatit të Popullit, thënë shkurt, pretendonte se presidentja Atifete Jahjaga kishte shkelur Kushtetutën me rastin e “konfirmimit të zgjatjes së mandatit” të gjyqtarëve ndërkombëtarë Robert Carolan, Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharove – Doicheva. 

Gjyqtarët, mandatet e së cilëve po skadonin në fund të muajit gusht, u emëruan nga Zyra Ndërkombëtare Civile, ish-mbikëqyrësi i pavarësisë së Kosovës i cili tani nuk ekziston më. Kurteshi pretendonte se traktati i Kosovës me BE-në nuk e autorizon Presidenten që të emërojë gjyqtarët jashtë procedurave të përcaktuara kushtetuese. 

Siç raportoi BIRN-i në tetor, Zyra e Presidentes fillimisht hezitoi të shprehej për këtë proces, i cili kishte anashkaluar miratimin parlamentar, të cilin e kërkon Kushtetuta. Zyrtarët e BE-së e bindën Zyrën e Presidentes se procedura ishte respektuar. 

Nuk jam i sigurt nëse ajo që pasoi ishte vërtet jokushtetuese. Ajo që është e qartë është se ky rast ka merituar të dëgjohet nga Gjykata. Në vend se të vendoste për ta dëgjuar rastin, Gjykata vendosi që lënda ishte e papranueshme dhe nuk ia vlente të vlerësohej në mënyrë më gjithëpërfshirëse. 

Pse e  bëri këtë Gjykata nuk mund ta dimë. Por, kjo mund të ketë pasur të bëjë diçka me kërkesën e Avokatit të Popullit për shqiptim të të ashtuquajturave “masa të përkohshme”. Kurteshi kishte kërkuar nga Gjykata që të heqë gjyqtarët ndërkombëtarë nga kolegji gjatë vlerësimit të meritave të lëndës. Kjo kërkesë ishte e drejtë: nëse gjyqtarët ishin emëruar në mënyrë joligjore, ata nuk do duhej lejuar që të marrin pjesë në kolegje deri sa të jetë vendosur fati i tyre, në një mënyrë apo në mënyrën tjetër. 

Në njëfarë mënyre, kjo kërkesë e shtyri gjykatën që ta marrë vendimin që mori. Po të kishte pranuar Gjykata kërkesën e Kurteshit, atëherë nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse t’i mbante gjyqtarët në fjalë anash dhe të rrezikonte edhe funksionalitetin e gjykatës në tërësi, duke qenë se do të mbeteshin pa kuorum. 

Mbase e vetmja zgjidhje do të ishte që gjykata të presë deri sa liderët politikë të Kosovës të zgjidhin ngërçin dhe deri sa parlamenti të emërojë gjyqtarët, ashtu siç parasheh Kushtetuta. 

Kësisoj do duhej vepruar. Në vend se të vepronte ashtu, Gjykata vendosi që të konfirmojë këtë vendim të dyshimtë mbi zgjatjen e mandatit të gjyqtarëve me një vendim tjetër i cili edhe më shumë ia ul integritetin gjykatës. 

Nate Tabak është kryeredaktor i Prishtina Insight, gazetës në gjuhën angleze të botuar nga BIRN Kosovë.