Norma Olimpike

Ndoshta ishte faji i motit të ftohtë e me shi, por dukej sikur njohja më e rëndësishme ndërkombëtare e arritur nga Kosova që nga pavarësimi do të shënohej me fare pak bujë atë të mërkurë mbrëma. 

Kjo bëhet edhe më e çuditshme kur krahasohet me festën pas pezullimit të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë si rezultat i trazirave që përcollën shfaqjen e një droni me imazh të Shqipërisë së Madhe mbi stadium. 

Por, ky zhvillim është tejet i rëndësishëm. Kjo do të thotë se sportistë si Majlinda Kelmendi dhe të tjerë do të jenë në gjendje të garojnë në Lojërat Olimpike të radhës, të cilat në vitin 2016 do të mbahen në Rio nën flamurin e shtetit të tyre. 

Në kuptim të marrëdhënieve ndërkombëtare, ky zhvillim është po aq i rëndësishëm sa edhe mbajtja e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në të cilën Kosova do ta fitojë anëtarësinë në OKB. 

Lojërat Olimpike të vitit 2012, të mbajtura në Londër, u shikuan nga mbi 200 milionë spektatorë anembanë globit. Nëse ky është ndonjë tregues indikativ, atëherë Kosova do të ketë mundësi që të shfaqet vërtet para një auditori global gjatë lojërave olimpike të ardhshme. 

Janë të shumtë ata që kanë punuar që Kosova të fitojë njohjen olimpike që e meriton, nga qytetarët e rëndomtë e deri te zyrtarët qeveritarë. 

Por, meritat më të mëdha i bartë vetë Kelmendi, e cila po bën çmos për promovimin e vendit të saj në arenën ndërkombëtare. Kjo vajzë e re nga Peja dhe trajneri i saj Driton Kuka janë marrë me këtë çështje edhe para se qeveria të shfaqte ndonjë interes të theksuar për të, qoftë financiar, qoftë të natyrave tjera. 

Ajo u tregua shumë vetëmohuese edhe kur refuzoi ofertën tejet joshëse për të mbrojtur ngjyrat e Azerbajxhanit, edhe kur u rikthye më e fortë nga debutimi dëshpërues olimpik nën ngjyrat e Shqipërisë në vitin 2012, duke fituar mes tjerash edhe titullin e dytë të kampionit botëror në muajin gusht të këtij viti në Rusi. 

Suksesi i Kelmendit dëshmon rëndësinë e investimit në atletë, në këtë kohë kur një numër tepër i madh i të rinjve kosovarë janë duke u shtyrë drejt sistemit universitar edhe ashtu të tejngarkuar. 

Në pamje të parë, është inkurajuese kur shohim se shteti aktualisht po ndan rreth 7 milionë euro për “Ekselencë në sport”, do të thotë 2.1 milionë më shumë se në vitin 2013. Por, pjesa më e madhe po shkon në infrastrukturë – stadiume, fusha e salla sportesh. 

Sportistëve natyrisht se u nevojiten stabilimentet, por për t’u zhvilluar u nevojitet edhe përkrahje e formave tjera. 

Përkrahja e tillë përfshin programe të mirëfillta të edukimit fizik që nga shkolla fillore si dhe përkrahje financiare falë së cilës atletët më të talentuar do të mund të fillonin profesionalisht të merren me sportin e tyre të dashur, si dhe ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ashtu siç po e përfaqëson atë tash Majlinda Kelmendi.