Një shtet i dështuar?

Para disa muajsh një mik i imi gazetar e parashtroi një pyetje që u konsiderua provokuese: A është Kosova shtet i dështuar? Unë gati qesha, madje edhe u ndjeva pak i fyer.

Kosova kishte probleme, por sigurisht se nuk mund të krahasohej me Somalinë. Miku im më pas mi tregoi kriteret e indeksit të shteteve të cenueshme, të cilat përdoreshin për ta përcaktuar brishtësinë e një shteti të caktuar:

Humbja e kontrollit fizik mbi territorin e vet apo krijimi i një monopoli mbi shfrytëzimin legjitim të forcës; Erozioni i autoritetit legjitim për të marrë vendime kolektive; Pamundësia për të ofruar shërbime të arsyeshme publike; Paaftësia për të ndërvepruar me shtetet tjera si anëtar i barabartë i komunitetit ndërkombëtar. 

Duke i shqyrtuar këto kritere mu desh ta pranoj pa dëshirë se të gjitha këto deklarata gjenin vendin e tyre në Kosovë, përveç “erozionit të autoriteteve legjitime për të marrë vendime kolektive.” Kjo ngjarje zhvillohej disa javë pas zgjedhjeve të qershorit, në të cilat u konfirmua se procesi demokratik ishte i gjallë dhe i fortë dhe se ajo që ndodhi në zgjedhjet lokale të nëntorit nuk ishte rastësi.

Për më tepër, u konfirmua se ditët e mashtrimeve e keqpërdorimeve zgjedhore kishin ikur dhe nuk do gjenin vend më në Kosovë. 

Tani kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet ndërsa qeveria e re kurrsesi të formohet. Kosovës ende i duhen nja 15 muaj tjerë për ta thyer rekordin e Belgjikës për moszgjedhje të qeverisë, por Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes një luks të tillë. 

Kosova nuk është shtet i dështuar, ajo vetëm nuk ka arritur ende t’ia dalë mbanë. Shërbimet publike gradualisht po përmirësohen; qeveria qendrore është duke e zgjeruar autoritetin e vet në veri dhe vendi po njihet nga çdo herë e më shumë shtete e organe ndërkombëtare. Por, për të vazhduar me këtë progres, Kosovës i duhet një qeveri funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.