Mungesa e Kërkesave për “Peshkun e Artë”

Po t’u dhuronte dikush miliarda euro, çfarë do të bënit me to? Duket se është e lehtë, por kur ndaleni dhe mendoni se çfarë do të bënit me tërë ato para, e kuptoni që në fakt ju nuk keni një plan të detajuar se si do të shpenzonit atë shumë të madhe parash.

Nuk jeni të vetëm. As shteti i Kosovës nuk e ka idenë se çfarë të bëj dhe ku të investoj miliarda euro nëse dikush do ua dhuronte ato. Natyrisht, nëse përjashtohen autostradat. Nëse Qeveria do të kishte mundësinë të kërkonte plotësimin e tri dëshirave nga “peshku i artë”, kam përshtypjen se të tri dëshirat do të ishin: asfalt, asfalt dhe më shumë asfalt.

Më 2008, kur Qeveria e Kosovës po përgatitej për konferencën e parë të donatorëve në Bruksel, kishte kërkuar nga ministritë dhe komunat një listë projektesh e cila do ti prezantohej donatorëve. Komunat filluan debatet me qytetarë ku kërkonin ide për projekte që do të financoheshin. U përpiluan lista dëshirash. Pjesë e projekteve për financim ishte edhe një projekt i Komunës së Ferizajt për ndërtimin e një linje nëntokësore të trenave.

Krejt në fund, dokumenti i cili u prezantua për donatorë nuk ishte lista e projekteve të komunave, por Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2008-2010. Donatorët premtuan mbi 1 miliard euro, mjete për të cilat asnjëherë nuk është përpiluar ndonjë raport zyrtarë se ku u shpenzuan.

Aspak më mirë nuk qëndrojnë edhe projektet e financuara nga IPA. Vite më parë, Komuna e Podujevës kërkoi nga Komisioni Evropian financimin e një projekti për ndërtimin e një plazhe artificiale brigjeve të liqenit të Batllavës. Komisioni Evropian financoi pjesë të këtij projekti, për të cilin Instituti i Shëndetit Publik nxori vendim se nuk do të duhej të lejohej një gjë e tillë në rezervarë të ujit, prej të cilave furnizohet regjioni i Prishtinës me ujë për pije. Tani, i tërë ky investim është shkatërruar.

Aspak më mirë nuk qëndron as Qeveria aktuale e Kosovës. Në Samitin e Vjenës së liderëve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në fund të gushtit, u diskutua për projektet të cilat lidhin këto vende dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik. Projekti kryesor për financimin e të cilit Kryeministri Mustafa loboi tek institucionet ndërkombëtare ishte vazhdimi i autostradës nga Besia deri në Merdare. Ndërtimi i këtij segmenti dhe vazhdimi i punimeve në anën e Serbisë, do të lidhte me autostradë Durrësin me Nishin. Serbia do të kishte qasje në portin e Durrësit dhe eksporti i mallrave në Kosovë dhe Shqipëri do të ishte më i lehtë. Në periudhën afatmesme, i vetmi përfitim që Kosova mund të ketë është ai se diaspora do të ketë më të vajtje-ardhjen. Apo, siç u shpreh në mënyrë cinike një mik i imi, përskaj autostradës do të pjekim shtalba për kamionët me mallra nga Serbia e vendet tjera.

Infrastruktura rrugore është element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik. Mirëpo, ekzistojnë prioritete tjera të cilat do të sillnin përfitim më të madh në periudhën afatmesme. Të tilla janë projektet energjetike, gjetja e burimeve të reja të ujit të pijes, ndërtimi i kanaleve për ujitjen e tokave bujqësore, e projekte të tjera të cilat sigurojnë punësim të qëndrueshëm dhe përmirësojnë klimën e të bërit biznes.