Liritë që na mungojnë

Amartya Sen, një nga ekonomistët më të njohur të zhvillimit, kujton këtë rast nga fëmijëria e tij: “Në moshën 10 vjeçe, kur Sen po luante në oborrin e shtëpisë së tij, një njeri i moshuar mysliman, me emrin Kader Mia, ishte futur në oborrin e familjes së tij për të gjetur strehim, pasi që ishte therrur me thikë nga disa huliganë hindu në rrugë.

Gjatë rrugës për në spital dhe para se të ndërronte jetë, Kader Mia ishte rrëfyer se si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, ishte detyruar të kërkonte punë edhe në lagjet hinduse, në një kohë kur konfliktet ndër fetare në mes të hindusve dhe myslimanëve ishin në kulmin e tyre.

Varfëria e kishte këtë njeri që të rrezikoj edhe jetën e tij për të siguruar bukën e gojës.

Ky episod nga mosha e tij 10 vjeçare, e kishte shtyrë Amartya Sen që tërë jetën e tij akademike të ia kushtoj mirëqenies së qytetarëve në vendet në zhvillim.

Por, nuk kemi nevojë të shkojmë aq larg në kohë e distancë për të ilustruar rrezikun që bart varfëria. Të gjithë i kemi parë pamjet e këtyre ditëve, ku me qindra kosovarë, në mënyrë të organizuar lëshojnë Kosovën, në kërkim të një jete më të mirë, e cila së paku iu siguron bukën e gojës. Si në rastin e  Kader Mia-s nga kujtimet e Amartya Sen, edhe kosovarët e 2014 po e bëjnë të njëjtën gjë: po rrezikojnë edhe jetën e tyre, në kërkim të një jetë më të mirë ekonomike.

Deri më tani, masat e institucioneve publike për të parandaluar migrimin e popullatës kanë qenë kryesisht masa të sigurisë, e jo masa ekonomike.

Përpjekjet e institucioneve janë fokusuar në fushatat informuese, të tipit të asaj reklame e cila tregonte se në rast të emigrimit përfundoni nën urat e Francës; apo edhe masa të sigurisë, duke ndaluar qytetarët që të kalojnë kufirin.

Por, asnjëra nga këto nuk e zgjidh problemin. Migrimi do të ndalet vetëm në rast se qeverisja arrin që të zgjeroj liritë. Sipas Amartya Sen, ekzistojnë pesë lloje lirish: liria politike, lehtësitë ekonomike, mundësitë shoqërore, garancitë e transparencës dhe siguria mbrojtëse.

Në Kosovë, 15 vite pas çlirimit, ne kemi arritur në një farë mase të sigurojmë vetëm liritë politike. Kosovarët kanë të drejtën e zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre (edhe pse edhe kjo e drejtë është manipuluar në disa palë zgjedhje), të marrin pjesë në forume politike, apo edhe të vetëkandidohen për poste publike. Por na mungojnë katër liritë tjera.

Edhe më tutje Kosova çalon në lirinë e dytë apo lehtësitë ekonomike. Në Kosovë nuk funksionon një ekonomi e tregut të lirë, por ekonomi klienteliste, e cila favorizon grupe të caktuara të shoqërisë, të cilat si rrjedhojë krijojnë pabarazi.

Pabarazi në kuptimin e mundësive të barabarta për të gjithë. Nëse dy të rinj të shkolluar, me aftësi të barabarta profesionale, konkurrojnë për të njëjtin vend pune, vendin e punës do ta fitoi ai i cili ka lidhje më të forta politike dhe familjare.

Njëjtë edhe për bizneset private: një biznes do të arrij të marr kontrata publike, vetëm mbi bazën e asaj se sa pranon të ndaj fitimin e tij me zyrtarët publik.

Po ashtu, neve edhe më tutje na mungojnë mundësitë shoqërore apo liria e tretë. Mundësitë shoqërorë nënkuptojnë liritë për të marr arsim cilësor dhe shërbime mjekësore. Kosovarët nuk i kanë këto mundësi shoqërore. E drejta dhe mundësia për arsimim ekziston, madje është zgjeruar në numër. Por, cilësia e këtij arsimimi, nuk ndikon fare në zgjerimin e lirive tjera, si lirive politike e ekonomike. Thjesht, po krijojmë analfabet me diploma.

Njëjtë edhe në fushën e shëndetësisë: shëndetësia publike në Kosovë po shërben vetëm si sportel për orientimin e pacientëve në klinikat private.

Arsimimi dhe shëndeti më i mirë ndihmojnë direkt në sigurimin e të ardhurave më të larta.

Liria e katërt që na mungon është garancia e transparencës. Sipas Sen, garancitë e transparencës kanë të bëjnë me nevojën për sinqeritet që mund të presin njerëzit, apo nevoja për krijimin e besimit në mes njerëzve.

Kur shkelet seriozisht besimi, jeta e shumë njerëzve mund të preket keq nga mungesa e sinqeritetit. Garancitë e transparencës kanë një rol instrumental për parandalimin e korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë financiare dhe marrëveshjeve të fshehta.

Ilustrimi më i mirë i mungesës së garancive të transparencës, është marrëveshja jo parimore për qeverisje në mes të dy partnerëve të koalicionit PDK-LDK, duke goditur rëndë besimin e qytetarëve.

Liria e pestë është siguria mbrojtëse. Siguria mbrojtëse është e nevojshme për të siguruar një rrjet sigurie shoqërore, për të parandaluar rënien në mjerim të popullsisë, në disa raste për të parandaluar urinë dhe vdekjen e tyre.

Fusha e sigurisë mbrojtëse përfshin rregullimet e caktuara institucionale, siç janë përfitimet nga papunësia. Përkundër skemave të ndihmës sociale, institucionet qeverisëse kanë dështuar që të fuqizojnë njerëzit për ti nxjerr nga varfëria. Sidomos nga varfëria e skajshme ku, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, ndodhen 17% e popullsisë.

Pamjet e kohëve të fundit të migrimit masiv, shumëkush i ka krahasuar me ikjet masive gjatë viteve të ’90-ta. Apo, ka edhe të atillë që mendojnë se gjatë kohës së okupimit, optimizmi dhe solidaritet social kanë qenë më të mira. Ka diçka të vërtetë në këtë konstatim.

Studimet kanë treguar se gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, jetëgjatësia e Britanikëve është rritur për së paku shtatë vite. Arsyet për këtë thuhet të jenë shtrirja e solidaritetit të përbashkët shoqërorë gjatë viteve të luftës.

Njëjtë edhe në Kosovë, gjatë viteve të okupimit, solidariteti shoqëror ka qenë më i madh, si dhe së paku kanë ekzistuar dy liritë të cilat na mungojnë në vitet pas luftës: garancia e transparencës (apo besimi shoqëror) dhe siguria mbrojtëse.

Papunësia dhe varfëria, përveç që janë privim nga ta ardhurat financiare, ato paraqesin edhe privim në aftësi. Një i ri i papunë, përveç mungesën e të ardhurave, ai do ta vuaj edhe mungesën e socializimit shoqëror, pjesëmarrjen në jetën politike, uljen e vetëbesimit, probleme familjare, kequshqyerje e shëndet të ligë, arsimim të ulët, etj.

Për këtë arsye, për ti ikur turpërimit shoqëror, një i ri më parë pranon të dal të jetoj nën urat e Metz e burgje hungareze, se sa të qëndroj i papunë, i izoluar dhe nën lëmoshën e familjarëve apo të afërmve.

Andaj, ky duhet të jetë apeli i fundit për institucionet publike: STOP të konsideroni sukses rritjen e pagave në sektorin publik, shtrimin e asfaltit, fabrikimin e statistikave të papunësisë.

Filloni të përmirësoni sistemin arsimor e sistemin shëndetësor; rriteni sinqeritetin në qeverisje si mënyrë për të rritur besimin shoqëror; krijoni mundësi të barabarta e mundësoni zhvillimin ekonomik dhe punësimin.