Pesë Strategjitë e Kryeministrit për të Fituar Vota

Pas çdo palë zgjedhjesh që nga 2009-ta e këndej, shtetit të Kosovës i janë shtuar shumë institucione, struktura, funksione, programe. Dhe të gjitha këto, për shkak se iniciohen në fushatë zgjedhore, kanë dëshmuar se janë projekte të dështuara dhe janë duke minuar funksionimin normal të strukturës shtetërore.

Kryeministri Thaçi, i shtyrë nga etja për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, i asistuar nga ekspertë të marketingut dhe duke pasur në dispozicion burimet shtetërore, ka bërë që në çdo fushatë zgjedhore shtetit të Kosovës t’i shtohen universitete publike, komuna të reja, zona të lira ekonomike, rritje pagash, shtim të të punësuarve në sektorin publik, shtim të numrit të ministrive, e tash edhe lloj-lloj fondesh publike. 

Në vijim do të përmend 5 kategori vendimesh të kryeministrit, i cili në përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet, ka krijuar një lëmsh funksionesh shtetërore.

Themelo sa më shumë universitete publike

Në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 2009-ës, në çdo vizitë të tij në qytetet e mëdha të vendit, kryeministri premtoi themelim të universiteteve publike. Kështu u premtua universitet publik në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren e Mitrovicë.  Pas zgjedhjeve, për të mbajtur premtimet, kryeministri edhe zyrtarisht themeloi këto universitete. Në tetor të vitit të kaluar, në mes të fushatës për zgjedhjet lokale, në mbledhje të Qeverisë, kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit që të përshpejtojë të gjitha procedurat për themelimin e  Universitetit Publik të Ferizajt. Sikurse edhe me rastin e themelimit të pesë universiteteve të tjera, kryeministri as nuk arsyetoi nevojën për themelimin e këtij universiteti, e as nuk prezantoi planin për funksionalizimin e tij.  Të gjithë këto universitete të reja publike, duke përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës, po përballen me probleme të mëdha në menaxhim. Ajo çfarë është më problematikja është se studentët nuk marrin dije cilësore, por vetëm ndjekin një proces i cili pas një kohe të caktuar i pajis me diploma. Në këtë mënyrë, Kosovës po i shtohen gjithnjë e më shumë të rinj me diploma, por pa shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës. 

Krijo sa më shumë komuna të reja

Në prag të zgjedhjeve lokale të 2013-ës, kryeministri filloi prapë të premtojë struktura të reja shtetërore – tash komuna të reja. U fillua me krijimin e Komunave të Hasit të Gjakovës dhe Prizrenit, e u vazhdua me krijimin e Komunës së Zhegrës, Hogoshtit dhe premtimet tjera për komuna të cilat ende nuk janë zyrtarizuar me vendime të Qeverisë. Në MAPL deri më tani janë paraqitur 11 kërkesa të bashkësive të fshatrave për të krijuar komuna të reja. Premtimet e kryeministrit dhe vendimet e Qeverisë për themelimin e komunave të reja janë bërë pa ndonjë analizë paraprake për qëndrueshmërinë e tyre. Sipas një analize të Institutit GAP, krijimi i komunave të reja do të ndikojë në rritjen e të punësuarve në sektorin publik, do të rrisë shpenzimet për paga dhe mallra, do të ndikojë negativisht në buxhetin për investime kapitale, si dhe për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik dhe numrit të vogël të bizneseve, komunat e reja do të jenë të paqëndrueshme dhe vetëm do të rëndojnë buxhetin e Kosovës. Në këtë mënyrë, duke krijuar komuna të reja, pa strategji dhe pa ndonjë analizë paraprake, kryeministri rrezikon të krijojë komuna të paqëndrueshme dhe të dëmtojë komunat aktuale prej të cilave shkëputen komunat e reja.

Rrit pagat e të gjithë shërbyesve publikë

Në prag të zgjedhjeve nacionale të 2010-ës, atëherë kur Kuvendi i kishte marrë mandatin Qeverisë dhe vendi ishte në përgatitje të zgjedhjeve të parakohshme, Qeveria mori vendim për rritjen e pagave të arsimtarëve, mjekëve, pensionistëve të Trepçës, shërbyesve civilë, etj. Kjo bëri që FMN-ja të suspendojë marrëveshjen me Kosovën, derisa Qeveria të kthejë stabilitetin buxhetor. Me qëllim që të arrihej stabiliteti buxhetor, qeveria sakrifikoi investime kapitale, rriti akcizën, rriti tantiemën për qymyr, zgjati jetëgjatësinë e automjeteve të importuara dhe rriti taksat dhe tatimet tjera. E njëjta u përsërit edhe në prag të zgjedhjeve nacionale të 2014-ës, kur kryeministri rriti pagat e rreth 80 mijë punonjësve publikë për 25%, duke bërë që kategoria buxhetore për paga dhe mëditje të jetë më e madhe se kategoria e shpenzimeve për investime kapitale. Ky vendim i kryeministrit do të bëjë që për shumë vite në vijim, buxheti i Kosovës të shkojë më shumë në paga, sesa në investime. Kjo do të zgjasë deri sa zhvillimi ekonomik do të mundësojë rritjen e buxhetit shtetëror. E zhvillimi ekonomik do të jetë më i ngadalshëm në rast se bizneset dhe individët tatohen më shumë, me qëllim që tatimet e tyre t’u shpërndahen për paga njerëzve në sektorin publik, pa ndonjë garanci se puna e tyre do të ndikojë në politika më të mira publike.

Shpall zona të lira ekonomike

Në muajin e fundit, kryeministri ka shpallur katër komuna si zona të lira ekonomike: Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut (ani pse kjo hapësirë tani e 14 vjet është “zonë e zezë ekonomike”), Gjakovën dhe Prizrenin. Po ashtu janë dëgjuar zëra që edhe Gjilani të shpallet zonë e lirë ekonomike. Këto vendime për zona ekonomike u morën nga Qeveria pa ndonjë studim dhe analizë paraprake, ashtu siç kërkohet me Ligjin për Zonat Ekonomike. Përveç që janë shpallur si zona të lira ekonomike, nuk është bërë asgjë në definimin e hapësirës së tyre, krijimin e kushteve infrastrukturore dhe të drejtave të bizneseve që do të vendosen në këto zona. Ende pa testuar funksionimin e një zone të lirë ekonomike, ne tash kemi katër zona të tilla.

Themelon Fonde

Përveç zonave të lira ekonomike karrem i kryeministrit për vota në zgjedhjet e ardhshme nacionale janë edhe fondet. Vetëm gjatë ditëve të fundit, kryeministri Thaçi ka premtuar krijimin e një mori fondesh, si Fondi për Punësim, Fondi për Bujqësi, Fondi për Investime. Edhe pse Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë nuk lejon krijimin e fondeve jashtë Buxhetit të Kosovës (përjashtimisht Fondit të Veriut i cili është krijuar me vendim të Kuvendit), kryeministri premton fonde të reja, shuma e të cilave është pothuajse e njëjtë me buxhetin e shtetit. Ajo çfarë do të rrezikohej më shumë me krijimin e këtyre fondeve janë kursimet disavjeçare të qytetarëve të cilat menaxhohen nga Trusti, si dhe Fondi i Privatizimit i cili do të shfrytëzohet për teke zgjedhore të kryeministrit. Duke i rrasur duart edhe në kursimet e qytetarëve, kryeministri rrezikon të ardhmen e këtij vendi. Fondet e privatizimit dhe Trustit do të duhej të shfrytëzoheshin dhe të maksimalizohej vlera e tyre, por jo për premtime parazgjedhore.

Në këtë mënyrë, shtetit të Kosovës po i shtohen gjymtyrë e funksione të reja, të krijuara ad hoc në fushata zgjedhore, të cilat shterojnë buxhetin e Kosovës dhe paralizojnë funksionimin normal të arsimit të lartë, pushtetit lokal, buxhetit shtetëror dhe funksioneve tjera publike. Këto strategji të kryeministrit deri më tani i kanë garantuar fitoren në zgjedhje, por kanë krijuar një administratë shtetërore-dinozaur, e cila nuk do të arrihet të kthehet në parametra normal për vite të tëra. Ajo çfarë mund ta ndalë këtë trend të shkatërrimit të shtetit, është vota e qytetarit, e cila në zgjedhjet e fundit lokale tregoi se qytetarët nuk binden më vetëm nga premtimet parazgjedhore.