Asgjë Nuk Na Shkund Më

Pavarësisht fundit të paralajmëruar të botës, pavarësisht hallakamës pesimisto- optimiste rreth kësaj çështjeje, ai (fundi) nuk erdhi dhe ‘2012 po na lë shëndenë ashtu si edhe ka bërë çdo vit para tij, ashtu si edhe do bëjë çdo vit pas tij.

Po hyjmë në ‘2013, duke lënë mbas një vit, për të cilin ende nuk kemi bërë bilancin e rezultateve.

Sikur të kishin ndodhur dje, apo më mirë akoma- sikur të kishin ndodhur sot, një mori ngjarjesh e shënjuan ‘2012, duke mbetur në kujtesën tonë të freskëta, thjesht për jehonën që patën.

Për to është folur e shkruar aq shumë sa më duket e pavend, për të mos thënë aspak interesante që të renditen edhe në këtë shkrim të fundit për ‘2012.

Të mira apo të këqija – këto ngjarje e mbushën ‘2012, duke i dhënë ngjyrat e një viti të zakonshëm e të rëndomtë në morinë e viteve që po na shkasin në duar me të njëjtin model uniform, brenda të cilit, tashmë asgjë nuk na çudit më, nuk na zgjon nga indiferenca që na ka kapluar, nuk na çliron nga zhgënjimi që na ka hyrë në asht, nuk na shkund për t’i dhënë fund durimit tonë proverbial…

Ndërsa me vete i kthehem bilancit të ngjarjeve që e shënjuan vitin që po përmbyllim, asgjë nuk më spikat e nuk më bën më shumë përshtypje se durimi që po tregojmë si shoqëri e si individë ndaj të keqes që na ka kapluar…

Asnjë nga skandalet e njëpasnjëshme që u renditën gjatë këtij viti (gjithmonë është fjala për skenën politike, reflektimet e së cilës shtresohen në çdo sferë tjetër të jetës shoqërore), nuk më bëjnë përshtypjen që më bën pajtimi me situatën, ngjarjet, skandalet e vazhdueshme…., nuk më bën përshtypje sa toleranca dhe durimi i madh që ne si shoqëri po tregojmë ndaj realitetit politik, i cili na e ka vështirësuar e ndërlikuar jetën tonë.

“Sa të varfër janë ata që s’kanë durim”, ka thënë shekuj më parë dramaturgu i madh anglez, Shekspiri.

Urtia e dramaturgut të njohur, e përmbledhur përpos tjerash edhe në trajtën e aforizmave, padyshim që nuk ka vend për diskutim. Jo se e vë në diskutim mendimin e tij të shprehur kësisoj, por nuk mund të rri dot pa replikuar në heshtje me autorin, mikun e madh që e kam fituar përmes literaturës.

“Nuk e di për tek ju dhe në kohën tuaj, por këtu, të ne në Kosovë, sot në kohën tonë, nuk e masim vlerën e varfërisë me masën e durimit, i drejtohem në heshtje mikut tim imagjinar.

Nga brendia e imagjinatës sime ai këmbëngul: “Sa të varfër janë ata që s’kanë durim”…

Po të ishte kështu, i kthehem po në heshtje, nisur nga masa e durimit, shqiptarët do kishin qenë më të pasurit në botë…

Pasi e kemi shterur gjithë durimin e duhur për të përballuar realitetin e vrazhdë, si shoqëri kemi përfituar një bonus durimi, hiç më shumë e hiç më pak se durimin për të duruar…

Kemi kaluar në shkallën superiore të durimit, sepse të zhytur kokë e këmbë në të, jemi pajtuar me gjithçka që na ka ndodhur duke u pajtuar me fatin pa bërë fare rezistencë…

E si na mëson Shekspiri, kemi mbushur vetveten me doza të larta durimi, pa synuar të bëhemi të pasur.

Përkundrazi, varfërinë e kemi prekur me kohë: atë materiale dhe atë morale.

Asgjë nuk na shkund më.

Jemi mësuar me mungesën e standardit të vlerave, jemi mësuar me varfërinë, papunësinë, rritjen permanente të çmimeve, me aferat e përhershme e të njëpasnjëshme, me dështimet e proceseve që vendosin për të ardhmen tonë.

I stuhishëm ka qenë ky vit sa i përket zhvillimeve politike, ekonomike e shoqërore.

Ky vit nisi, por nuk bitisi bisedimet me Serbinë, fillimisht të cilësuara si teknike (rezultat i të cilave ishte fusnota, e cila nuk kishte qëlluar si flluskë bore) e më pas të kaluara në një nivel më të lartë përfaqësimi- tashmë të cilësuara si politike.

Bisedimet politike tash janë një realitet që e kanë pranuar të gjithë akterët politikë, përpos Vetëvendosjes…

Kjo e fundit, në shumicën e rasteve i vetmi zë opozitar në Parlament dhe në rrugë, nuk mundi që megjithatë bisedimet t’i pengojë përmes protestave. Në asnjë nga protestat që ka organizuar gjatë ‘2012 VV nuk pati përkrahjen e pritshme nga qytetarët e Kosovës.

Këta të fundit u treguan durimmëdhenj shembullorë deri në fund të ‘2012: edhe kur afera e fundit e përgjimeve, i preku tangjent duke i cilësuar një pjesë të tyre si “zagarë”…

Raporti që shqiptarët kanë me durimin është i çuditshëm. Ata kanë durimin e tërë botës për të pritur pesë orë a më shumë fasulet në zjarr teksa gatuhen, por nuk durojnë dot 5 minuta që ato të ftohen dhe nxitojnë t’i hanë e gllabërojnë duke djegur buzët…

Sjellë në kontekstin e sotshëm, prej vitesh shqiptarët janë ngërthyer e kanë ngecur në atë pesë orëshin e famshëm të durimit dhe pritjes së zierjes së fasuleve… Ende nuk e kanë gjetur atë 5 minutëshin e mosdurimit…

Prandaj edhe vazhdojnë të durojnë me stoicizëm.

I duruari, i fituari- thotë urtia popullore. E njëjta, por thënë ndryshe nga Shekspiri: “Sa të varfër janë ata që s’kanë durim”…

Por, një tjetër personalitet i njohur, Edmund Burke, burrështetas, filozof, teoricien politik e orator irlandez ka thënë: “Megjithatë, ekziston kufiri kur durimi pushon së qeni virtyt”…