Ushqim i Shëndetshëm dhe i Përgatitur me Shumë Ngrohtësi

Kur vizituam restorantin gjatë fundjavës na u tha se kuzhina ishte e mbyllur atë ditë dhe se kafeja do na vonohej ca. Kjo nuk na e prishi disponimin, andaj porositëm nga një pije të ftohtë, teksa shijonim hijen e këndshme të tarracës. Por, ju mos u dekurajoni nga fakti që fundjavave nuk mund t’i shfrytëzoni të gjitha shërbimet, ngase ia vlen që të vizitoni “Blerina Diet and Restaurant” për pauzë të drekës gjatë ditëve të punës. Menyja ndërron çdo ditë, gjithnjë duke ofruar kombinim të ushqimeve të freskëta, shëndetshme dhe të gatuara në shtëpi. 

Unë porosita sandviç pule dhe tarator, ndërsa përcjellësi im porositi gjellën me mashurka. Ne deshëm të porosisim një shishe ujë të gazuar, por u këshilluam që të provojnë ujin special me shije të cilin ky restorant e shërben. Ne morëm ujë me qitro, boronicë dhe trumzë, i cili na u shërbye në një shishe të madhe xhami dhe na doli mjaft deri sa përfunduam ushqimet tona, por edhe përbënte një alternativë vërtet më freskuese sesa uji në ambalazh. 

Sandviçi që unë kisha porositur kishte bukë të zezë dhe të thekur, mjaft shumë domate dhe mish të butë e të lëngshëm të pulës. Në një qytet si Prishtina, ku oferta e sandviçëve është tejet e gjerë, por ku shumica prej tyre nuk lënë shumë përshtypje, mund të them me bindje të plotë se ky sandviç i vlente 1.90 eurot sa kushtonte. Pjata me mashurka që miku im kishte porositur ishte një gjellë ideale shtëpie. Mashurkat ishin zier deri në zbutje me copa të buta mishi të viçit, më një çomlek të pasur e të këndshëm, që shërbehej me rriska të bukës së gatuar nga mielli i pasitur. 

Nuk kishte tollovi aq sa unë prita, duke marrë parasysh se shkuam në kohë dreke, por kjo mund të jetë për arsye se ende nuk është përhapur lajmi për hapjen e këtij restoranti. Pas drekës i porosita dy kafe të cilat na u shërbyen sa hap e mbyll sytë. Gjithsej, dreka jonë na kushtoi 9 euro që është çmim i arsyeshëm në krahasim me atë që mund të paguhet tjetërkund nëpër qytet. 

“Blerina Diet and Restaurant” ka filluar mbarë dhe ka gjasa që të bëhet një nga ato lokalet e Prishtinës të cilave tollovia e drekës nuk ua lë asnjë karrige të lirë mes orës 12:00 dhe 13:00 (Sipas faqes së tyre në Facebook, ata bëjnë edhe dërgesa në shtëpi).