‘Çakallët’ Ndihen të Pafajshëm për Vrasjen e 118 Shqiptarëve në Pejë

Dymbëdhjetë ish-anëtarë të Skuadrës 177 të Ushtrisë Jugosllave të Ndërhyrjes, të cilët po gjykohen për torturë dhe grabitje si dhe vrasjen e 118 shqiptarëve të Kosovës, thanë në gjykatën speciale me bazë në Beograd të enjten se ata nuk ishin fajtorë.

Ata janë akuzuar për kryerjen e krimeve në katër fshatra – Ljubenic, Pavlani, Qyshkë dhe Zahac – gjatë luftës së Kosovës në prill dhe maj të vitit 1999. Qëllimi i sulmit, sipas aktakuzës, ishte dëbimi i përhershëm i popullsisë shqiptare.

Ata fillimisht u dënuan me një total prej 106 vitesh burg në shkurt të vitit 2014, por gjykata e apelit në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor”, dhe e dërgoi rastin për rigjykim.

Ish-komandanti i Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinovic, i cili u dënua fillimisht me 20 vjet burg për urdhërimin e komandantit të njësisë Nebojsa Minic, i njohur ndryshe si ‘Mrtvi’ ‘I Vdekur’), të niste  sulmet ndaj fshatrave, tha në gjyq se ai nuk e kishte dhënë kurrë një urdhër të tillë.

“Unë nuk e njihja personalisht Mrtvin dhe nuk isha komandanti i tij. Në njësinë time nuk kishte asnjë skuadër ndërhyrje,” tha  Miladinovin në gjyq.

“Ato katër fshatra nuk kanë qenë në zonën time të përgjegjësisë,” shtoi ai.

Minic, një nga oficerët më famëkeq të Ushtrisë Jugosllave të asaj kohe, vdiq nga një sëmundje që ka lidhje me AIDS-in në Argjentinë në vitin 2005, para se të ekstradohej në Serbi për akuzat për krime lufte.

Srecko Popovic, i cili më parë u dënua me dhjetë vjet burg, tha në gjykatë se ai kishte qenë gjithmonë pjesë e Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave, por jo pjesë e “njësisë speciale të Minicit” siç dyshojnë disa.

“Gjithçka që e kam bërë, e kam bërë sepse mendova se ishte e mirë për vendin tim,” tha Popovic.

Në fillim të gjyqit, prokuroria pretendoi se burrat ishin anëtarë të një njësie paraushtarake të quajtur “Çakallët”, por më vonë përcaktoi se të gjithë të akuzuarit kishin karta identiteti ushtarake dhe merrnin paga nga Ushtria Jugosllave.

Prokuroria e bashkoi çështjen me një tjetër i cila filloi në shtator të vitit 2014, në të cilën tre ish-anëtarë të Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave, Vladan Krstovic, Lazar Pavlovic dhe Milan Ivanovic, janë të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e 46 njerëzve në Ljubenic më 1 prill 1 1999.

Megjithatë, disa nga nëntë burrat në gjyq u shprehën se ata nuk kanë luftuar me Krstovicin, Pavlovicin dhe Ivanovicin në kohën kur janë kryer krimet.

“I njoh, por në vitin 1999 në nuk punonim bashkë. Unë kam punuar me Krstovic dhe Pavlovic vetëm në vitin 1998, kur ne ishim pjesë e njësisë speciale të policisë,” tha Milojko Nikolic, njëri nga të akuzuarit.

Çështja konsiderohet si një nga më të mëdhatë ndonjëherë në lidhje me krimet e luftës në Kosovë në gjykatat e Beogradit, me seanca dëgjimore dhe gjyq fillestar që zgjati për katër vjet. Sulmi ndaj katër fshatrave dhe mbulimi më pas i këtij krimi janë hulumtuar në një dokumentar të BIRN; “Të Paidentifikuarit”.

Në gusht të vitit 2014, prokuroria serbe për krime lufte nisi një hetim ndaj Dragan Zivanovic, ish-komandant i Brigadës 125 të Ushtrisë Jugosllave, për akuzën se s’kishte bërë asgjë për të parandaluar vrasjet e shqiptarëve dhe shkatërrimin e shtëpive dhe pronave në katër fshatrat. Deri më tani megjithatë nuk është lëshuar asnjë padi.