Masë Ndalimi për Salih Mekajn

Një kolegj  i  Gjykatës së Apelit i përberë nga  tre anëtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës,  dy vendorë dhe një ndërkombëtar, të deleguar me anë të një vendimi nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka aprovuar të enjten pjesshëm, ankesën e të pandehurit Salih Mekaj kundër aktvendimit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak prej dy muajsh të cilin ia kishte caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 gusht 2015.

Kolegji vendosi që kjo masë të ndryshohet dhe e njëjta t’i zëvendësohet me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar me kohëzgjatja prej 2 muajsh.

E njëjta masë e sigurisë i është shqiptuar edhe të pandehurës tjetër të këtij rasti, Vlora Goranit.

Gjykata do të urdhërojë paraburgimin në rast se të pandehurit shkelin këtë aktvendimin.

Salih Mekaj  dyshohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se ka kryer dy vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim të ndikimit”, ndërsa e pandehura Vlora Gorani dyshohet për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.