Kryeministri Pranon Tenderin e të Birit por Nuk Sheh Problem

Sipas hulumtimit të Gazeta Jeta në Kosovë, Zyra e Kryeministrit aplikoi procedurë të mbyllur tenderuese për të kontraktuar një kompani për servisim të automjeteve. Nëpërmjet kësaj procedure shpalli fitues kompaninë Makcar që është në pronësi të djemve të kryeministrit Isa Mustafa, Besnikut e Arbenit.

Kryeministri reagoi në media sociale duke u shprehur se këtu nuk kishte asgjë të keqe.

“Po lexoj se një makinë BMW qenka servisuar [në] një servis që e menaxhon djali im Besniku, një vlere rreth 2,900 euro. Nuk e kam ditur për ketë, por nuk shoh asgjë të keqe që automjeti të servisohet në një servis të autorizuar”, shkruan Mustafa.

Kryeministri nuk shprehet fare nëse diçka e tillë përbën apo jo konflikt interesi, por madje shpreh pakënaqësi në drejtim të gazetës që prodhon lajme të tilla.

“Shoh marri e budallallëk që kjo të bëhet lajm, sepse nuk është lajm nëse disa mjeshtër punojnë dhe e rregullojnë një makinë. Lajm i keq për neve është etja që të skandalizohen dhe të kriminalizohen ata që punojnë”, shkruan Mustafa.

Gazeta Jeta në Kosovë, sot publikoi hulumtimin në fjalë, i cili bëri që Kryeministri të reagojë.