Filmi i BIRN-it nuk Pranohet të Shfaqet në Serbi

Dokumentari, rezultat i një hulumtimi dyvjeçar, i kthen shikuesit mbrapa në vitin 1999, në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq afër Pejës ku luftëtarët serbë vranë më shumë se 118 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u dogjën dhe u zhvarrosën. Disa nga ta më vonë u gjetën në varrezat masive në qendrën e trajnimit policor në Batajnicë afër Beogradit në vitin 2001.

Gjykimi i 11 personave të dyshuar si të përfshirë në vrasje- 10 të akuzuar se kanë kryes të drejtpërdrejtë- është duke vazhduar në Beograd. Në shkurt të vitit 2014, nëntë nga ta u dënuan me gjithsej 106 vjet burgb por gjykata e apelit anuloi këtë vendim në mars të këtij viti duke e quajtur atë si “të pakuptueshëm dhe kundërthënës” dhe e ktheu rastin në rigjykim.

Pas shfaqjes së filmit, para audiencës që kishte mbushur sallën përplot në kompleksin e kinemave në Sarajevë, u zhvillua një debat me regjisorët e filmit Marija Ristiq dhe Nemanja Babiq.

Ristiq tha se filmi u bë kryesisht për publikun serb i cili ende nuk është përballur me mizoritë e shkaktuara në emër të Serbisë në Kosovë. Megjithatë, për shkak të kulturës së gjithmbarshme të mohimit të krimeve të tilla ka qenë e pamundur që filmi të shfaqet në Serbi.

“Ne provuam ta marrim me qera një sallë filmi, por kjo na u mohua saherë që provuam. Tani strategjia jonë është që ta shfaqim filmin në rajon dhe të bëjmë presion për ta shfaqur atë edhe në Serbi”, tha Ristiq.

Ajo shtoi se filmi ka një vlerë të përgjithshme pasi që nuk është fokusuar në përkatësinë etnike të kryesve të tij por dëshmon krimet e kryera nga një grup kriminal kundër njerëzve të pafajshëm.

Nemanja Babiq tha se disa nga ata që janë caktuar për t’u intervistuar për këtë film më vonë kanë refuzuar që të flasin për shkak të frikës.

Lydia Neely, një 25 vjeçare nga Nju Jorku e cila e ndoqi filmin, tha se filmi ishte “i mirë” ndërsa rrrëfimi ishte “tronditës”.

“Është mirë që filmi ngriti vetëdijesimin për një situatë të cilën unë si amerikane nuk e njoh”, tha ajo.

Alexander Donev nga Bullgaria, tha se ky film duhet të shfaqet edhe përmes transmetuesit publik në mënyrë që të gjenerojë debat publik.

“Ky është një film i rëndësishëm, shqetësues dhe i guximshëm. Është obligim yni që të përballemi me krimet e kryera në mërin tonë kolektiv”, tha Nihad Kresevljakoviq nga sarajeva.

Festivali i Filmit në Sarajevë filloi gjatë rrethimit të qytetit në kohën e luftës dhe u rrit viteve në vijim në një nga ngjarjet më të mëdha të këtij lloji në Evropë. Ky festival tërheq mijëra vizitues nga tërë rajoni dhe bota në Sarajevë.

Këtë vit, në festival do të shfaqen 259 filma nga 57 vende, shumë nga ta nga Ballkani dhe Evropa Juglindore dhe Qendrore.