Miratohet Themelimi i Fondit Kosovar Për Garanci Kreditore

Hykmete Bajrami, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, tha se ky projektligj do të mbështesë bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.

“Objektiv kryesor i këtij projektligji është krijimi i një baze të mirëfilltë ligjore që të do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit në kufizimin e qasjes në financa si pengesë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe të mëdha, punësimin dhe rritjen e përgjithshme ekonomike”, shtoi Bajrami.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa konsideroi se themelimi i këtij fondi është përkrahje e madhe për zhvillimin e bizneseve në Kosovë.

“Është një praktikë e cila për herë të parë po zbatohet tek ne në Kosovë, nga e cila presim se do të kemi efekte multiplikative për zhvillimin ekonomik”, tha Mustafa.

Gjatë kësaj mbledhje u miratua edhe Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës së Madhe të Luksemburgut për projektligjin e bashkëpuniminit për zhvillim “Mbështetje institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës”.

Poashtu, në këtë mbledhje i është vazhduar mandati edhe për një vit, Kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina.

Në fund të mbledhjes Kryeministri Mustafa përmendi një bisedë telefonike me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan Hoyt Yee, i cili tha se ka shprehur mirënjohje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës me rastin e miratimit të Gjykatës Speciale, tri ditë më parë në Kuvend.

“Ai ka shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të na përkrahin në të gjitha fazat e zhvillimit tonë, integrimeve evropiane dhe të kemi mbështetjen e tyre për proceset integruese euroatlantike dhe për proceset e ndërtimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik”, shtoi Mustafa.