Pa Surprizë në AAK, Ramush Haradinaj Përsëri Kryetar

Nga 532 delegatët që votuan në zgjedhjen e kryetarit, për Haradinajn kanë votuar për 527, tre kanë qenë kundër, ndërsa dy kanë abstenuar.

Haradinaj nuk kishte asnjë kundërkandidat në këtë garë.

Në tërësi, Kuvendi i Shtatë Zgjedhor i AAK-së i ka pasur 534 delegatë.

Haradinaj, pas shpalljes së rezultatit, tha se edhe pse nuk ka pasur kundërkandidat nuk do të thotë se në AAK nuk ka njerëz të zot që munden me i marrë përgjegjësitë e udhëheqësit.

“Ne kemi nxit mundësitë edhe të kundër kandidatëve. Një vlerësim që mos me kandiduar tash nuk do të thotë se në Aleancë nuk ka njerëz të zot që kishin mundur me i marrë përgjegjësitë me udhëheq Aleancën. Unë i falënderoj për besimin që ma kanë dhënë sot”, u shpreh Haradinaj.

Aktualisht, janë duke u numëruar votat edhe për anëtarët e Këshillit Drejtues të partisë. Haradinaj, tha se Aleanca e ka qëllimin e qartë që shpirti, ndjenjat, vlerat e Aleancës me ja dhanë Kosovës.

“Rezultatin e Këshillit Drejtues ende nuk e dimë si do të jetë, megjithatë besoj se ai Këshill Drejtues që del nga votimi i sotëm që është vërtetë një votim serioz, mund t’i merr përgjegjësitë e mëtutjeshme. Aleanca e ka qëllimin e qartë që shpirti, ndjenjat, vlerat e Aleancës me ja dhanë Kosovës në momente më të ndjeshme më të vështira “, theksoi Haradinaj.

Haradinaj u ka bërë thirrje delegatëve të punojnë me shpirt.

“Ju bëjë thirrje prej sot të punojmë me gjithë shpirt për shoqërinë ligjore në Kosovë, për shtet ligjor. Për shtet të drejtës për të gjithë pa dallim”, tha Haradinaj..

Ramush Haradinaj Kërkon ‘Shpirt Pune’ në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së

12:11

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga ata që e përfaqësojnë partinë në teren nëpër komunat e Kosovës të tregojnë shpirt në punën e tyre për ndërtimin e, siç u shpreh ai, një shteti ligjor.

AAK është duke mbajtur Kuvendin e saj zgjedhor në të cilin Haradinaj do të kërkojë votën e 534 delegatëve edhe për një mandat tjetër, pa asnjë kundërkandidat.

Ai është kryetar i partisë që nga themelimi i saj në maj të vitit 2000.

“Ju bëj thirrje të punojmë me shpirt për shtet ligjor të së drejtës. Ju bëj thirrje të punojmë me shpirt në ekonomi, për vende të punës”, tha ai.

Shpirti i punës ka qenë gjëja kryesore në të cilën është fokusuar Haradinaj gjatë fjalimit të tij para delegatëve.

Ai tha se AAK ka për qëllim që Kosovës t’i japë shpirt e vlerë.

“Qëllimi është ta bëjmë Kosovën, t’i japim shpirt e vlerë. Të punojmë me shpirt në detyrat që i marrim. Nëse sot pas këtij kuvendi vendosim që do të punojmë me shpirt, me vlerat tona më të mira, atëherë nuk ka dilemë që Kosovës, ekonomisë, sistemit politik do t’i japim vlerë”, u shpreh Haradinaj.