Enver Peci Shkon në Gjykatën e Veriut

Kreu i Këshillit Gjyqësor Enver Peci vizitoi sot objektin e gjykatës në veri nga i cili shqiptarët u dëbuan në vitin 2008.

Gjatë vizitës Peci shoqërohej edhe nga anëtarë tjerë të KGjK-së. Ai shpjegoi arsyet pse ndodhej në këtë objekt.

“Ne kemi ardhë sot për shkak të procesit të integrimit të gjyqtarëve joshumicë. Kanë filluar intervistimet e kandidatëve, në të njëjtën kohë jemi duke i shikuar edhe kushtet se ku kanë mu vendos për të filluar punën sipas marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Peci.

Marrëveshja për drejtësinë mes Kosovës e Serbisë në dialogun e Brukselit u arrit më 10 shkurt.

Më 25 mars KGjK-ja hapi konkurs për 48 gjykatës me qëllim të krijimit të kushteve për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Peci tregoi edhe kohën e pritshme të vendosjes së gjyqtarëve në këtë objekt.

Ne jemi në proces, ka filluar intervistimi sipas parashikimeve ka qenë 1 shtatori deri më 1 tetor me perfundu të gjitha procedurat ashtu qysh janë në marrëveshje dhe me fillu më punu bashkërisht shqiptarët dhe serbët në këtë pjesë,” theksoi Peci.

Peci tha se kushtet e punës në këtë objekt janë përmirësuar.

“Normalisht së është më mirë sesa në kohën kur kam qenë unë gjyqtar në këtë objekt, pastaj unë kam qenë këtu edhe në kohën kur kanë filluar renovimet nga USAID-i,” deklaroi Peci.

Nga gjykata në veri punonjësit shqiptarë u dëbuan dhunshëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ndërsa që nga ajo kohë punuan në objektin e gjykatës në Vushtrri.