Eurodeputetja Tanja Fajon Flet për Rastin Haradinaj

Në një deklaratë për KALLXO.com pak çaste pasi Haradinaj u la i lirë, eurodeputetja nga Sllovenia tha se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë “janë të shkëlqyera”, ndërsa shprehu keqardhje që ato janë prekur nga zhvillimet e tri ditëve të fundit.

“Marrëdhëniet bilaterale janë të shkëlqyeshme, pa asnjë çështje të hapur. Kjo është arsyeja pse unë e mirëpres lajmin për vendimin e gjykatës sllovene për t’ia kthyer pasaportën z. Haradinaj. Jam e lumtur që po shoh një epilog pozitiv të kësaj çështjeje”, u shpreh Fajon.

Fajon, e cila ëshët pjesë e ekipit të eurodeputetëve që merren me Ballkanin Perëndimor, tha se ajo dhe shteti i saj, Sllovenia, e kanë dëshmuar në shumë raste se janë miq të Kosovës.

“Unë jam një mike e vërtetë e Kosovës, duke luftuar në Parlamentin Evropian që ajo ta fitojë liberalizimin e vizave, njëjtë siç po bën edhe vendi im, Sllovenia”, tha Fajon.

“Sllovenia ka dëshmuar në shumë raste në të kaluarën për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, si dhe organizatat multilaterale”, u shpreh ajo.