Ja Si u Vlerësuan Kandidatët për Kushtetuese

Përkundër notimit dhe renditjes që bëri komisioni, votat e deputetëve të partive politike në parlament do të jenë vendimtare për emërimin e këtyre kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e radhës të votojë për zgjedhjen e tyre.

Në këtë garë janë gjashtë kandidatë:  Safet Hoxha, Selvete Gërxhaliu- Krasniqi, Gresa Caka, Hashim Çollaku, Remzije Istrefi –Peci dhe Zef Prendrecaj.

Kandiatët e lartcekur fillimisht i janë nënshtruar testimit në garën për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni parlamentar për Legjislacion që  kryesohet nga deputetja Albulena Haxhiu e Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Sekretaria e Kuvendit të Kosovës ka lejuar Gazetën Jeta në Kosovë të ketë qasje në dokumentin e vlerësimit të gjashtë kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni për Legjislacion.

E para që i prin kësaj liste është Gresa Caka- Nimani me 9.35 pikë. Ajo është edhe kandidatja më e re për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese. Ka lindur më 20 gusht të vitit 1981 në Prishtinë.

Kandidatja e dytë është Remzije Istrefi- Peci e cila ka marrë 8.94 pikë.

Istrefi është doktorante në Fushën e Drejtësisë Tranzicionale në Graz të Austrisë.

Në mesin e gjashtë kandidatëve është edhe Selvete Gërxhaliu- Krasniqi e cila nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion ka marrë 8.6 pikë.

Për dallim nga kandidatët tjerë, Gërxhaliu-Krasniqi, kishte konkurruar në zgjedhjet e vitit 2014 për deputete të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që nuk kishte arritur të mbledhë vota për të qenë ligjvënëse e legjislaturës së pestë në Kosovë.

Kandidati tjetër që u vlerësua nga komisioni për Legjislacion është gjyqtari nga Prizreni, Hashim Çollaku i cili mori 8.33 pikë.

Ai është ligjërues në kolegjin AAB, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Prizren si dhe është trajnues në Institutin Gjyqësor të Kosovës.

E kreu i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha, në vlerësimin e Komisionit për Legjislacion ka marrë 8.3 pikë dhe është renditur i parafundit.

Hoxha ishte kandidat për anëtar të Këshillit Drejtues të PDK-së gjatë vitit 2013. Ai po ashtu ushtroi edhe postin e asamblistit të PDK-së në Suharekë.

Ka të kryer fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Vendin e fundit në vlerësimin e Komisionit për Legjislacion e mori Zef Prendrecaj  me 7.4 pikë.

Prendrecaj doli i fundit në vlerësim por si udhëheqës i Zyrës së Prokurorit Disiplinor  është i pari që nga vitit 2012 .

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për profilet e gjashtë kandidatëve për gjyqtarë në Kushtetuese më 3 qershor.