Arti që Heshti Fjalimet Politike në Kuvend

Pozitë dhe Opozitë nuk u bënë bashkë në seancën festive të premten ku Filarmonia e Kosovës, për nder të kësaj dite, ekzekutoi vepra muzikore të kompozitorëve të njohur kombëtarë dhe botërorë.

Dita e Paqes në Kuvend filloi nën tingujt e himnit të Republikës së Kosovës. Për dallim nga seancat tjera të Kuvendit, aty nuk pati fjalime politike. Kësaj here vendosi të flasë arti.

“Sot në vend të fjalimeve politike le të flet arti”, tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në kohën kur veprat artistike po ekzekutoheshin nga trupa e Filarmonisë së Kosovës, tri subjektet politike opozitare LVV, AAK dhe NISMA bojkotuan këtë seancë festive.

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, tha se nuk morën pjesë sepse u ndaluan fjalimet.

“Sot është paraparë të mbahet një seancë solemne për çlirimin e Kosovës. Ne kemi kërkuar nga kryetari i Kuvendit që të gjitha grupet parlamentare të mbajnë fjalë rasti. Kjo nuk është pranuar”, tha Konjufca.

Ai tha se kohëve të fundit seancat e tilla janë shpeshtuar me iniciativë të kryetarit Veseli, për të dhënë përshtypjen se në Kosovë po lulëzon gjithçka.

Ndërsa Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi, tha se Kosova është pjesë e uzurpuar nga njerëz të caktuar.

“Pas çlirimit Kosova u bë pronë poseduese e disa klaneve që edhe sot vazhdojnë të jenë në pushtet. U bë pronë poseduese edhe me letra, ligje, dokumente e deri edhe me kushtetutë”, tha Kadaj- Bujupi.

Ajo tha se qytetari i këtij vendi vlerësohet vetëm ditën e zgjedhjeve, kurse të rënët dhe dëshmorët vetëm në përvjetorë.

Për më tepër, në 12 qershorin historik të vitit 1999, që festohet edhe si Dita e Paqes, në Kosovë nisën të hyjnë forcat e NATO-s, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78-ditësh kundër Serbisë.