Përfundon Protesta e Veteranëve të UÇK-së

Protesta e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së përfundoi pak minuta pasi dështoi seanca në të cilën do të duhej të debatohej për amandamentet kushtetuese rreth themelimit të Gjykatës Speciale.

Veteranët e UÇK-së Kërkojnë të Mos Votohet Gjykata Speciale

10:43

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, është parë sot në protestën e organizuar nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së. Ai në këtë rast tha se asnjëherë nuk do të votojnë kundër interesave të Kosovës.

“Dje është bërë një vendim jo meritor. Asnjëherë nuk do të votojmë kundër interesave të Kosovës. Kjo protestë e juaja është në mbrojtje të vlerave. Kemi bërë një luftë kundër Serbisë, kemi luftuar për lirinë e Kosovës”, tha deputeti i PDK-së, Nait Hasani.

Përfaqësuesi i Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Smajl Emezaj, tha para protestuesve në sheshin “Skëndebeu” se po protestojnë kundër dënimit  të luftëtarëve të UÇK-së dhe kundër themelimit  të Gjykatës Speciale.

Ai ka kërkuar nga deputetët që të dalin nga parlamenti dhe të mos e themelojnë Gjykatën Speciale.

“Ne kërkojmë që ata të dalin nga parlamenti dhe të mos e amandamentojnë Gjykatën Speciale”, tha Elezaj.

Përkrahje protestës i ka dhënë edhe Shoqata e të Burgosurve të Kosovës.

“Ne kërkojmë dhe lusim bashkëveprimtarët tanë që janë në këtë ndërtesë që të mos e aprovojnë  këtë gjykatë. Ne nuk pajtohemi sepse është një padrejtësi speciale”, tha Selatin Novosella nga kjo shoqatë.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se nuk ka gjykatë vendore e as ndërkombëtare që e kriminalizon luftën e UÇK-së.

“Kjo protestë ka për qëllim t’i bëjë të qartë të gjithë atyre që kanë ardhur në Kosovë të bëjnë padrejtësi të vazhdueshme pas përfundimit të luftës së UÇK-së, nuk ka gjykatë vendore as ndërkombëtare që e kriminalizon luftën e UÇK-së”, tha Jashari.

10:43

Veteranët dhe protestuesit tjerë po kërkojnë nga deputetët të dalin jashtë ndërtesës së Kuvendit për të mos e votuar Gjykatën Speciale.

Ndërkohë, edhe ambasadori i Holandës, Robert Bosch (në fotografinë poshtë) nuk është lejuar të hyjë në ndërtesën e Kuvendit.

Veteranët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë filluar të mblidhen para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Ata kanë thirrur për sot një protestë kundër vendimit të Gjykatës në Mitrovicë për dënimin e ish drejtuesve dhe pjesëtarëve të UÇK-së nga Drenica.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Dauti, tha se ata kanë dalë të protestojnë për dy arsye.

“Kemi dalë të protestojmë kundër vendimit për dënimin e luftëtarëve Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi dhe kundër krijimit të Gjykatës Speciale”, tha Dauti.

Të njëjtën ditë, të mërkurën, Sylejman Selimi, u dënua me tetë vjet burg të tjera në rastin e quajtur “Drenica 2”.

Kjo protestë koincidon me ditën dhe momentin kur Kuvendi i Kosovës pritet të debatojë dhe ta hedhë në votim themelimin e Gjykatës Speciale.

Protestën e sotme e ka mbështetur edhe Lëvizja Vetëvendosje.