Sylejman Selimit edhe Tetë Vjet Burg në “Drenica 2”

Sylejman Selimi është dënuar me tetë vjet burg në rastin “Drenica 2” ku akuzohej për keqtrajtim të të ndaluarve në Likovc.

Vendimin për këtë rast kundër Selimit dhe nëntë të akuzuarve tjerë e dha Gjykata Themelore e Mitrovicës para pak çastesh.

Kjo gjykatë paraditen e së mërkurës dënoi Selimin me 6 vjet burg për akuzat me të cilat ngarkohej në rastin “Drenica 1”.

Nga gjykata u dënuan edhe nëntë personat tjerë të “Grupit Drenica 2” që akuzoheshin bashkë me Sylejman Selimin. Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg u dënua kryetari i Drenasit Nexhat Demaku.

Dënimin prej 3 vjetësh gjykata ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Ata që u dënuan me burgim më të lartë se pesë vjet u dërguan në paraburgim pas shpalljes së vendimit.

Prokurori Charles Hardaway kërkoi paraburgim edhe për të dënuarit nën pesë vjet, por një gjë e tillë u kundërshtua nga kryetari i trupit gjykues Darius Sielicki.

Darius Sielicki tha se këta persona nuk kanë dhënë ndonjë arsye që mund të ikin për shkak se kanë qëndruar si duhet gjatë kohës së gjykimit.

Aktakuza ngarkonte Sylejman Selimin, Isni Thaçin, Agim, Bashkim, Selman e Driton Demajn dhe Fadil, Zeqir, Nexhat e Jahir Demakun se një pjesë të veprave penale për të cilat akuzohen, i kanë kryer në një datë të papërcaktuar të shtatorit 1998 në Likovc.

Sipas aktakuzës të ndaluarit janë keqtrajtuar “duke i rrahur ata me grushte dhe shkopinj druri, duke detyruar Dëshmitarin A dhe Dëshmitarin B të rrahin njëri tjetrin, duke e pickuar Dëshmitarin A nga organet gjenitale me një mjet të hekurt dhe tërhequr me të duke e zvarrisur nëpër dysheme”.

Dëshmitari A nga rrahjet në grup, pësoi thyerje brinjësh dhe plagë në organet gjenitale, ndërsa iu lëndua edhe njëri bërryl.

Kur dëshmoi në seancën e “Grupit Drenica 2” më 16 shtator 2014, “Dëshmitari A” tha se nuk do të ndalet duke përmendur të akuzuarin Zeqir Demaku, ndërsa tregoi se kishte kontaktuar me EULEX-in nga viti 2008 deri në 2012-ën.

Por “Dëshmitari B” gjatë dëshmisë më 14 tetor 2014 tha se ish-prokurori i i EULEX-it Salustro ia ndryshoi gjysmën e deklaratës së dhënë në Prokurorinë e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit.