Sot Varrosen Tetë të Vrarët e Përleshjeve në Kumanovë

Varrimin do ta organizojnë shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat kanë paralajmëruar homazhe në Sallën “1 Tetori” të Prishtinës prej orës 14:00.

Në orën 15 e 30 këto shoqata kanë paralajmëruar mbajtjen e një akademie përkujtimore për të vrarët nga kjo përleshje.

Varrimi i Xhafer Zymberit, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Tugaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellës e Arben Rexhajt do të bëhet në orën 17:00 në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë.

Kufomat e nëntë të vrarëve nga Kosova u sollën në vendlindje më 22 maj.

Në përleshje përveç 10 personave të grupit të armatosur qenë vrarë edhe tetë policë maqedonas.

Beg Rizaj, njëri nga të vrarët u varros të dielën në Kompleksin Memorial të Gllogjanit.

Policia maqedonase pas aksionit në Kumanovë arrestoi edhe 23 kosovarë.

Më 13 maj Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar për Kallxo.com  se kanë marrë listën zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë me emrat e të arrestuarve nga Republika e Kosovës.

Ndërsa të enjten e kaluar në ”Jeta në Kosovë” ndoqët rrëfimin ekskluziv të njërit nga të plagosurit në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.