Mitrovica nuk Do që Isa Boletini të Pushojë Përjetësisht në Vlorë

Salla e Kuvendit Komunal të Mitrovicës ishte tërësisht e mbushur, ndërsa shumë i madh interesimi i medieve për ta ndjekur mbledhjen.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Bislim Ymeri, pasi konstatoi se të gjithë asamblistët janë në sallë, e hapi mbledhjen duke thënë se sot do të diskutohet vetëm për një pikë të rendit të ditës.

Diskutimi i vendimit të Këshillit Organizativ për organizimin e ceremonisë për rivarrimin e eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini në të cilën u vendos që rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij të bëhet në Vlorë më 10 qershor 2015, tregoi Ymeri.

Diskutimet në seancë i nisi kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

“Unë e ftoj Kuvendin që të jetë unik për shkak se po flasim për eshtrat e një heroi që e ka vendin në Boletin. Unë gjithashtu kam diskutuar edhe me familjarët por edhe me ekspertët e kësaj fushe [historianë dhe të tjerë]në Mitrovicë, të cilët fuqimisht më kanë përkrahur dhe më kanë mbështetur që eshtrat e Isa Boletinit të rivarrosen në Boletin,” tha Bahtiri.

Pastaj folën edhe asamblistët e partive të ndryshme.

Bekim Muja, shef i grupit parlamentar të LDK-së u bëri thirrje institucioneve që eshtrat e Boletinit të varrosen në vendlindjen e tij.

“E lus edhe njëherë qeverinë, organet më të larta qeveritare institucionale vendore që eshtrat e heroit mbarëkombëtar Isa Boletinit të varrosen në Boletin,” tha Muja.

Valbona Beqiri nga PDK-ja tha se varrosja e këtyre eshtrave në Boletin është dëshirë e të gjithë mitrovicasve.

Faruk Mujka prehjen e heroit dhe bashkëluftëtarëve të tij në vendin ku lindën, e konsideroi gjënë më të natyrshme.

“Fshati Boletin është zgjidhja më e natyrshme, më e drejtë dhe logjike që të prehet në paqe Isa Boletini. Aty ku e la edhe amanet. Aty ku është kulla e tij, ku janë gurët e Boletinit të cilët nuk donte t’i ndërronte as me sarajet e Stambollit,” tha Mujka.

Pas diskutimeve, asambleja e Mitrovicës doli me tri konkluzione.

Ajo bëri thirrje që të rishqyrtohet vendimi i Këshillit Organizativ për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit. Që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë të tërhiqen nga propozimi që eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij të varrosen në Vlorë.

Asambleja i rekomandoi Këshillit Organizativ për Rivarrim që ta respektojë vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës për varrimin e eshtrave në Boletin në datën e caktuar më parë.

Në mbledhje ishin të pranishëm edhe pasardhës të Isa Boletinit.

Kushtrim Boletini tha se familja e heroit nuk pajtohet me dërgimin e eshtrave në Vlorë.

“Këtë qëndrim e kemi shprehur edhe në mbledhjen e familjes së gjeromë 9 maj të mbajtur në Mitrovicë e po ashtu edhe dje më 14 maj,” tha Kushtrim Boletini.

Ndërsa jashtë objektit të Kuvendit Komunal mbetjen e eshtrave të Boletinit në fshatin e tij të lindjes, e kërkoi me protestë Fazli Deliu, i burgosuri politik nga Mitrovica në Shqipërinë e regjimit të Enver Hoxhës.

Fazliu po proteston me flamurin që u shfaq i bartur me dron në ndeshjen futbollistike Serbi-Shqipëri më 14 tetor të vitit që shkoi.

Deliu tha se eshtrat e Boletinit duhet të mbeten në Kosovë. “Nuk kam fjetur dy ditë kur kam dëgju se ato do të shkojnë në Vlorë,” tha Fazli deliu për KALLXO.com.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në janar për jetën e vështirë të Fazli Deliut.

Edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan sot që eshtrat e Isa Boletinit të mos dërgohen në Vlorë.

Isa Boletini ishte njëri nga luftëtarët më të fuqishëm për pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912. I lindur në Boletin të Mitrovicës në vitin 1864, ai u vra në Podgoricë në vitin 1916.