Serbia Rehabiliton Liderin Çetnik, Drazha Mihailoviç

Të enjten, Gjykata e Lartë në Beograd rehabilitoi Mihailovicin, i njohur si Drazha, duke anuluar vendimin e kohës së komunizmit nga viti 1946, i cili e dënoi atë me vdekje.

Gjykata vendosi se gjyqi i Mihailovicit pas Luftës së Dytë Botërore ishte “politik dhe ideologjik” dhe bëri korrigjime serioze ligjore.

Ajo tha gjithashtu se gjyqi nuk ishte i drejtë sepse ai nuk kishte kontakt me avokatët e tij mbrojtës dhe nuk kishte as të drejtë të apelonte. Ajo vuri më tej në dyshim vërtetësinë e provave të paraqitura në gjyq.

Si shenjë e asaj se si ky rast ka reflektuar ndarjet e vazhdueshme brenda shoqërisë ndërmjet adhuruesve dhe kundërshtarëve të Mihailovicit, policia ishte vendosur jashtë gjykatës për ta parandaluar ndonjë incident ndërmjet mbështetësve çetnikë dhe protestuesve anti-nacionalistë që ishin mbledhur për ta pritur verdiktin.

Oliver Antic, një këshilltar i presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç dhe një nga ata që propozoi rehabilitimin, tha se kjo ishte një arsye për të festuar.

“Serbia duhet të festojë, por ka arsye për të festuar në Kroaci dhe në vende të tjera në rajon,” tha Antic.

Princi i kurorë së Serbisë Aleksandar Karadjorjevic, pretendenti aktual i fronit të rrëzuar, tha gjithashtu se kjo ishte një ditë pozitive për vendin.

“Kjo nuk ishte vetëm një padrejtësi ndaj një njeriu patriotik, por ishte një padrejtësi ndaj vendit dhe popullit tonë. Ky vendim është shumë i rëndësishëm për pajtim kombëtar,” tha Karadjordjevic për mediat.

Mihailovic ishte udhëheqësi i parë jugosllav i kryengritjes popullore kundër pushtimit gjerman në vitin 1941 dhe u bë shpejt gjeneral dhe ministër i luftës nga qeveria mbretërore në mërgim në Londër.

Nga fundi i 1942, Mihailovic ishte i bindur se komunizmi paraqiste një kërcënim më afatgjatë për Jugosllavinë sesa pushtimi i Boshtit nazist, dhe kërkoi t’i ruante forcat e tij për një përballje me partizanët e Josip Broz Titos.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore forcat e tij, të njohura gjithashtu si çetnikët, u akuzuan për krime lufte dhe mizori të tjera. Disa prej togerëve të tij të lartë në fushë bashkëpunuan haptazi me italianët dhe gjermanët në emër të ruajtjes së besimit ortodoks të Serbisë dhe të kombit. Çetnikët gjithashtu vunë në shënjestër dhe vranë myslimanë boshnjakë dhe kroatët si edhe komunistë.

Pasi komunistët e Titos morën pushtetin në Jugosllavi, ata e përndoqën Mihailovicin dhe e nxorën atë para gjyqit në Beograd në vitin 1946. Ai u akuzuar për bashkëpunim me Forcat e Boshtit dhe se kishte negociuar një armëpushim midis forcave të tij dhe ato të Gjermanisë.

Ai u shpall fajtor dhe u ekzekutua dy ditë më vonë. Trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Çetnikët u ndaluan gjatë kohës së komunizmit, por fituan popullaritet në Serbi në fund të viteve 1990.

Në vitin 2004, qeveria serbe miratoi një ligj, i cili i jepte partizanëve dhe çetnikëve një vend të barabartë nderi në histori, pasua nga një tjetër ligj në vitin 2006 për rehabilitimin e ish-çetnikëve.

Ligjet e reja shkaktuan më shumë se 2,000 kërkesa për rehabilitim në gjykata. Nipi i Mihailovicit Vojisllavi paraqiti një kërkesë në vitin 2006.

Por Hrvoje Klasic, një profesor historie në Zagreb, tha për BIRN se rehabilitimi do të jetë “një nga vendimet e shumta gjyqësore në rajon që do të merren jashtë kontekstit”.

“Me këtë gjykim, Draza Mihailovic shpallet i padënuar, por jo domosdoshmërisht i pafajshëm,” tha Klasic.

“Asnjë deklaratë për çështjen e fajit të tij nuk u mor në shqyrtim nga gjykata në Beograd, dhe as nuk përcatoi se Draza Mihailovic nuk ka kryer veprat për të cilat u akuzua,” shtoi ai.

Vendimi për rehabilitimin është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet.