Komuna Ndan Tokë për Ambasadën e Shqipërisë

Drejtori i Financave dhe Pronës së Komunës së Prishtinës, Visar Berisha, ka propozuar në Kuvendin Komunal që një parcelë prej 2 mijë metra katrorë në lagjen “Sofalia”, t’i jepet në shfrytëzim qeverisë së Shqipërisë për ndërtimin e Ambasadës së këtij shteti në Kosovë.

“Propozojmë që kjo parcelë prej 2 mijë metra katrorë t’i jepet në shfrytëzim Ambasadës së Shqipërisë për ndërtimin e Ambasadës”, tha Berisha.

Sipas tij, ky lokacion është përzgjedhur pasi janë analizuar disa prona komunale.

“Janë analizuar disa prona komunale, në komunën tonë dhe është përzgjedh lokacioni në Sofali zona kadastrave Prishtinë parcela numër 2576-0”, theksoi Berisha.

Këtë propozim e kanë mbështetur unanimisht të gjitha grupet e këshilltarëve në Asamblenë Komunale të Prishtinës.