Teuta Sahatqija i Quan Mediat ‘Spiune’, Reagojnë Gazetarët

Deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija të premten në seancën e kuvendit i doli punë edhe me media. Duke folur nga karrigia ku po qëndronte në seancë, përderisa kishte të mbyllur mikrofonin, ajo i quajti mediat ‘spiun’.

I menjëhershëm ishte reagimi i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

“Mund të filmojnë çka duan, ruajuni” tha Haliti duke i treguar deputetes Sahatçiu se mediat kanë të drejtë të jenë të pranishme në seancën parlamentare pasi që kjo lejohet me ligj.

Por Haliti u kujdes t’u tregojë deputetëve se mund t’i ndalojnë mediat të mos xhirojnë çdo gjë në kuvend me anë të ligjeve dhe rregulloreve.

“Nëse doni të keni rregulla të tilla që t’i ndalojmë mediat mund t’i nxjerrim në parlament këto rregulla dhe kjo është e mundshëm”, tha Haliti.

Nuk është hera e parë që deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija po drejton kritika dhe akuza ndaj mediave që po përcjellin seancën parlamentare të Kuvendit.

Më 12 shkurt 2015, po në seancë parlamentare ajo akuzoi disa media që po japin lajme se a kanë të veshura të brendshme gratë deputete apo jo.

Por ndaj deklaratës së sotme të deputetes së LDK-së ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Ky asociacion është shprehur i shqetësuar me gjuhën e përdorur nga deputetja Sahatqia ndaj gazetarëve në Kuvendin e Kosovës.

“Etiketimi i gazetarëve që përcjellin aktivitetet e Kuvendit të Kosovës si ‘spiun’, AGK vlerëson se është fyerje e rëndë për gazetarët dhe e papranueshme për një shoqëri demokratike”, thuhet në deklaratën e AGK-së.

“AGK kërkon nga deputetja Teuta Sahatqia të kërkojë falje publike për fyerjen që u ka bërë kolegëve gazetarë dhe njëherësh kërkon nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa të distancohen nga deklarimi fyes i deputetes”, thotë AGK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në emër të kolegëve gazetarë, paralajmëron se do të filloj procedurat ligjore ndaj deputetës Sahatqia duke pasur parasysh se kjo nuk është hera e parë që e njëjta deputete reagon me arrogancë, nervozizëm e fyerje ndaj gazetarëve.