Këshilli i Mediave Rrëzon Ankesën Kundër Gazetës Jeta në Kosovë

Ankesa kundër artikullit  të publikuar më 10 dhjetor 2014 në Gazetën Jeta në Kosovë është hedhur poshtë nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 28 janar.

  “Gacaferri Consulting”, e angazhuar nga kompania “Devolli Group” për komunikim me media, ishte ankuar se artikulli në fjalë ka përdorur emrin e kompanisë zvicerane “Sunergic” pa lejen e tyre.

Kompania “Sunergic” përfaqësohet në Kosovë nga një kompani vendore “Solar Green Energy”, e udhëhequr nga Feim Islami me të cilën Gazeta ka pasur kontakte.

“U konstatua se në bazë të të gjitha fakteve që ka gazeta, ajo ka pasur arsye të konsiderojë se Feim Islami ka të drejtë të ndërmarrë veprime të caktuara në emër të kompanisë ‘Sunergic’. Andaj, kjo ankesë nuk u miratua”, thuhet në kumtesën për shtyp të këshillit që përveç kësaj ankese më 28 janar shqyrtoi edhe disa ankesa tjera kundër mediave.

Ndërkaq pika e dytë e ankesës së bërë nga “Gacaferri Consulting” kishte të bënte me përshkrimin që Gazeta Jeta në Kosovë i kishte bërë shtetit të Maltws, ku kompania “Devolli” ka bashkëpronar kompaninë “Globosos” te “Birra Peja” dhe e regjistruar në Malta, për të cilën ankuesi nuk e kishte kuptuar mirë.   

“KMShK-ja, pasi shqyrtoi ankesën e zyrës ‘Gacaferri Consulting’ me seli në Lozanë kundër Gazetës Jeta në Kosovë lidhur me artikullin: “Energjia solare – synimi i Devollit që nxit reagime”, konstatoi se askund në artikull nuk shkruan se Malta njihet si “parajsë e krimit”, por ”parajsë e krijimit të kompanive off-shore”, shkruan kumtesa.

Ankuesi pretendonte se gazeta përshkroi se Malta është parajsë e krimit dhe kjo, sipas tij, nuk ishte e argumentuar.

Ndërkaq në kumtesën për shtyp të Këshillit të Mediave të Shkruara njoftohet se u shqyrtuan edhe ankesa të drejtuar kundër mediumeve tjera.

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës shqyrtoi ankesën e z. Behxhet Pacolli kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin: ”Parimori Kurti, “Kryeministri” Haradinaj, i maturi Limaj”. 

Një pjesë e këtij artikulli ka të bëjë edhe me disa konstatime për Behxhet Pacollin, i cili sipas artikullit “shfrytëzoi mandatin për të bërë kompani të përbashkëta të firmave të tij me kompani jashtë vendit”. 

KMShK-ja, gjatë shqyrtimit të kësaj ankese, konstatoi se ky shkrim në të vërtetë është një analizë e cila kërkon fakte si dhe domosdonë e prononcimit edhe të “palës” tjetër, gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur. 

“Pra, nuk është bërë ndarja e qartë midis lajmit dhe opinionit. Andaj, KMShK-ja vendosi se në këtë rast është shkelur Kreu II, pika 4 (Raportimi i së vërtetës)”, thuhet në kumtesën e Këshillit.

KMShK-ja, gjithashtu, shqyrtoi katër ankesa të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kundër portaleve: “Bota Sot”, “Indeksonline” dhe “Telegrafi”, lidhur me disa komente të lexuesve ku vërehet gjuhë denigruese dhe diskriminuese. 

Të gjitha këto ankesa u miratuan me konstatimin  e Këshillit se “ mediat e shkruara dhe portalet janë duke bërë përpjekje që të mënjanojnë sa më shumë këtë gjuhë nga komentet e lexuesve, por ato megjithatë po depërtojnë edhe tek lexuesi, dukuri e cila i kontaminon mediat”.

“KMShK-ja edhe një herë u bën thirrje mediave dhe portaleve që të shfrytëzojnë mundësitë e filtrimit elektronik dhe manual në mënyrë që gjuha e papranueshme të mos arrijë tek lexuesi”, thuhet në kumtesë.