Nait Hasani Shpallet i Pafajshëm

Ish-deputeti Nait Hasani është shpallur sot i pafajshëm nga akuzat për mosraportim, ose raportim të rremë të pasurisë. Ai vendimin e gjykatës në Prizren e konsideroi si dëshmi që institucionet po punojnë drejt.

Vendimi i gjykatës erdhi një ditë pasi prokurorja e rastit, Mehreme Hoxha, kishte kërkuar dënimin e ish deputetit të Kuvendit të Kosovës nga PDK.

Gjykatësi i Departamentit të Përgjithshëm, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Valon Kurtaj, mori aktgjykim me të cilin e shpalli të pafajshëm, duke e liruar nga akuza Nait Hasanin.

“Shpall në emër të popullit këtë aktgjykim. I akuzuari Nait Hasani lirohet nga akuza për veprën penale që është mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave dhe i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve tjera financiare nga neni 437 paragraf 2 i KPK-së. Shpenzimet e kësaj procedure penale, bien në emër të buxhetit të shtetit”.

Ndërsa, Nait Hasani,  e përshëndeti vendimin e gjykatës, duke theksuar edhe njëherë  se nuk ka qenë qëllimi të keqpërdoret asgjë dhe se ka pasur të bëjë thjesht me një gabim teknik.

“Kjo është për mu një dëshmi që institucionet tona punojnë drejt, një besim tek qytetarët, një besim për të ardhmen që institucionet tona ose gjykatat tona, janë ato që mund të marrin përgjegjësi edhe më të mëdha,” tha Hasani.

Hasani, edhe njëherë përsëriti, se edhe shumë deputetë tjerë në Kuvendin e Kosovës, kanë pasur gabime të njëjta teknike, mirëpo që ndaj tyre Agjencia Kundër Korrupsion nuk ka ngritur kallëzime penale.

“Dhe e them se mbi 80 për qind të deputetëve që kanë qenë, edhe janë aty, edhe ata kanë lëshime të tilla, por ata nuk ka në qenë pjesë, e tash pse nuk kanë qenë pjesë dhe pse nuk janë shqyrtuar nga Agjencia, është çështje e tyre, por nëse do të merret një shqyrtim duhet të merret ndaj të gjithë deputetëve që janë 120, nëse 120 nuk i kontrollon, çfarë agjencie do të jetë ajo për kontroll” shtoi Hasani.

Hasani më tutje kërkoi që Agjencia Kundër Korrupsion të punojë drejt.

“Unë vetëm kërkoj që antikorrupsioni të jetë korrekt, të mos jetë selektiv, të jetë shqyrtues dhe të jetë angazhues drejtpërdrejtë në vlerësimin e veprave antikorrupsion, e mos të merret me pagat e Kuvendit të Kosovës, se ato janë pjesë e llogarisë dhe janë zyrtare, që nuk çojnë te asnjë përfitim material, te asnjë dëm material ndaj shtetit, te i cili paguajnë të gjitha tatimet”.

Në aktakuzën e ngritur në bazë të kallëzimit penal nga Agjencia Kundër Korrupsion, thuhej se Hasani nuk i ka paraqitur saktë të hyrat vjetore të kërkuara në deklaratë nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012.

“Ekziston mospërputhje në mes të të hyrave vjetore të deklaruara në formularin për deklarimin e pasurisë, si dhe raportit nga të hyrat vjetore të siguruara nga Kuvendi i Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Në aktakuzë dallimi mes të hyrave që deklaroi Hasani dhe atyre që u bënë të ditura nga Kuvendi, është 5 mijë e 285 euro e 4 centë.

“Është gjetur mospërputhje në mes të të hyrave prej 21 mijë e 200 euro, të cilat i ka deklaruar Hasani në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2012, si dhe raportit nga të hyrat vjetore që janë 26 mijë e 485,04 euro, të cilat janë siguruar nga Kuvendi i Kosovës”, precizonte aktakuza.

Gjatë procesit gjyqësor, Nait Hasani e kishte quajtur si “politike” aktakuzën ndaj tij.