UP-ja Godet Stafin Me Nga Dy Vende Pune

“Këta mësimdhënës marrëdhënien e rregullt të punës dhe pagën e plotë e kanë në UP dhe paralelisht kanë punuar edhe në QKUK me gjysmë orari dhe me gjysmë page. Në ndërkohë, ata kanë aplikuar për zgjedhje në konkurs publik për drejtorë të klinikave të QKUK-së dhe njëkohësisht kanë vazhduar të marrin  pagë të plotë edhe në UP.  Me këtë rast, UP-ja në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.3, datë 27.09.2004,  ka ndaluar pagesën e rregullt të tyre në UP,  por nuk ua ka ndryshuar statusin”, thuhet në komunikatën për media të UP-së.

“Lidhur me këtë vendim kemi zhvilluar takim me drejtorin e përgjithshëm të QKUK-së dhe jemi pajtuar të gjejmë një zgjidhje. Jemi pajtuar që në një të ardhme të afërt të përcaktohet vendi i punës dhe paga e plotë në QKUK, e cila do të jetë në përputhje me gradën shkencore dhe thirrjen akademike të secilit punonjës. UP është  pajtuar që të marrë përsipër pjesën e pagesës për angazhimin në mësim, në përputhje me thirrjen akademike dhe vëllimin e angazhimit”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndër arsyet e shkëputjes së kontratës për disa profesorë në UP është edhe gjendja e vështirë financiare që e ka UP-ja.

“Aktualisht UP ballafaqohet me vështirësi financiare, ndërsa në shumë lëndë në Fakultetin e Mjekësisë janë zgjedhur mësimdhënës me fond jo të plotë të orëve.  Për këtë arsye kontratat e rregullta për secilin mësimdhënës do të bazohen në rregulloren  e Këshillit Drejtues për të ardhura personale  nr. 1/104 të datës 9.6.2014”, vazhdon komunikata.

“Sipas kësaj rregulloreje norma e ligjëratave për profesorët është 6 orë në javë. Ndërkaq, në Fakultetin e Mjekësisë ka raste kur  një profesor paguhet me pagë të plotë pa e përmbushur normën. Madje ka dhe raste kur për një orë në javë janë zgjedhur dhe paguhen me pagë të plotë dy profesorë”, përfundon komunikata për media e UP-së.