Kosovari Dënohet për Mashtrimin e një Holandezeje

Në seancë përpara se Njazi Ismajli të dënohej, u shqyrtuan shkresat e lëndës, shumica prej tyre raporte financiare nga të cilat u kuptua se holandezja përmes bankës nga Holanda i ka dërguar të akuzuarit para.

Ismajli tha se e dëmtuara ia kishte dërguar këto para për t’ia ruajtur, ndërsa deklaroi se një pjesë të tyre ia ka kthyer. Gjithashtu e përmendi se disa nga këto para ia kishte dhënë shtetases holandeze edhe gjatë kohës sa jetonte në Luksemburg.

I akuzuari foli edhe me ironi dhe rebelizëm në gjykatë.

“Këto para më kanë ardhur sikur me mi pas sjellë babadimri, sepse te njëjtat mi ka dërguar pa ja kërkuar unë”, i tha Ismajli prokurores.

Prokurorja e rastit kërkoi nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta obligojë që t’ia kthejë paratë të dëmtuarës. Fjalën e prokurores e mbështetën avokati i shtetases holandeze dhe vetë holandezja Peters.

Avokati i të akuzuarit tha se nuk ka prova kundër klientit të tij. Avokatin e përkrahu edhe i akuzuari Ismajli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjilan, Ismajli akuzohej që në vitin 2009 me qëllim qe vetes t’i sjellë përfitime të kundërligjshme pasurore, mashtroi të dëmtuarën Tereza Peters shtetase të Holandës pasi duke i fshehur faktet mori nga e dëmtuara 27.000.15 euro.

Për këtë rast gjykata kishte vendosur në shkurt të vitit 2013, mirëpo lënda ishte apeluar nga mbrojtja e të akuzuarit në Gjykatën e Apelit. Po ashtu kishte shkuar edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.