Arrest Shtëpiak për të Dyshuarit e "Dosjes F"

Selimi së bashku me dy zyrtarët e OShP-së, Durim Ramadanin dhe Zeqir Fetoshin, u arrestuan të mërkurën  nga policia pas hetimeve për keqpërdorimet në tenderin për furnizim me pajisje mjekësore në Ministrinë e Shëndetësisë.

Të premten në mëngjes, prokurorja e cila po e heton këtë rast, i kërkoi gjykatës caktimin e paraburgimit për Selimin, ndërsa për dy zyrtarët e OShP-së kërkoi caktimin e masës paraqitje në stacionin policor.

Kërkesa e prokurores u refuzua nga gjykatësja e cila vendosi që Selimi të qëndrojë në arrest shtëpiak, ndërsa dy zyrtarët e OShP-së do të obligohen të paraqiten në stacionin policor.

Armend Selimi u arrestua nën dyshimet për mashtrim dhe falsifikim në tenderin për furnizim me pajisje medicinave. Në dosjen e këtij tenderi, sipas policisë, dyshohet se ka dokumente jo valide dhe të falsifikuara.

Zyrtarët e OShP-së, në anën tjetër, dyshohet se nuk i trajtuan seriozisht informacionet se këto dokumente do të mund të ishin të falsifikuar.

Avokatët e dy zyrtarëve të OShP-së nuk pranuan të flasin për këtë çështje, ndërsa avokati Behar Ejupi, mbrojtës i Armend Selimit, i tha Kallxo.com-it se klienti i tij ka mohuar në tërësi se kishte falsifikuar dokumente në dosjet e tenderëve.

Për më tepër, javën e kaluar emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka raportuar për dyshime se certifikatat e cilësisë, të cilat kompania “Friends” i kishte dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Agjencinë për Regjistrimin e Pajisjeve Medicinale ishin të falsifikuara.

Detaje të tjera rreth këtyre dyshimeve do raportohen sonte në pjesën e dytë të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, duke filluar nga ora 20:20.