Gjykim për Kaluesin Ilegal të Kufirit që u Kap i Armatosur në Prishtinë

Sipas prokurorisë ai kaloi kufirin jashtë vendkalimeve kufitare, nëpër malet e Tropojës më 28 shtator të këtij viti rreth orës 23:00. 

Në orën 2 e 40 minuta të së njëjtës natë, kur policia tentoi ta ndalojë pranë Kuvendit Komunal të Prishtinës, Memo filloi të ikë, por u kap nga forcat e rendit. Atij iu gjet një revole e tipit “Zastava” e kalibrit 6 milimetra. 

Në fillim të seancës të hënën, prokuroria hoqi dorë nga ndjekja e Memos për trafikim armësh, por atij i mbeti akuza për kalim ilegal të armatosur të kufirit. 

Pas këtij ndryshimi në aktakuzë, Memo pranoi fajësinë. Ai kërkoi mëshirë nga gjykata. 

”Më vjen keq ka ndodhur kështu, kjo ka qenë hera e parë që kam ardhur në Kosovë dhe nga gjykata kërkoj mëshirë”, tha Memo në gjykatore. 

Edhe Ali Beka, avokati i Memos sipas detyrës zyrtare kërkoi që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese për klientin e tij. 

“ I mbrojturi im ka pranuar fajësinë duke ditur për pasojat dhe benificionet dhe kërkoj që ky pranim të merret si rrethanë lehtësuese”, tha avokati Beka. 

Avokati gjithashtu kërkoi që melos t’i ndërpritet paraburgimi. 

Gjykata aprovoi pranimin e fajësisë së të akuzuarit dhe vendosi që shpalljen e vendimit për Memon ta bëjë më 17 dhjetor. 

Për masën e sigurisë gjykata do të vendosë pas shpalljes së vendimit.