Shkumbin Gashi e Quan “Reklamë” Raportimin për Ndërhyrje Politike në Tenderë

Në shtatë tenderë, vlera totale e të cilave është mbi 420 mijë euro, anëtar i komisionit vlerësues në Komunën e Pejës ka qenë nënkryetari i kësaj komune, Shkumbin Gashi.

Këto veprime janë vlerësuar si të kundërligjshme nga zyrtarë të Komisionit Rregullues të Prokurimit Publik.

Por duket se nënkryetarit Gashi nuk i ka bërë përshtypje kjo.

Pasi ka përfunduar emisioni ku po shpaloseshin shkeljet e tij ndaj ligjit, Gashi ka shkruar në profilin e tij se emisioni po i bënte reklamë pa pagesë.

“Ne gjithë botën marketingu paguhet në Kosovë ekzistojnë emisione sikur Drejtësia ne Kosovë që transmeton marketing pa pagesë”, kishte shkruar Gashi në profilin e tij në facebook më 21 nëntor, në kohën kur po transmetohej emisioni.

Shkumbin Gashi, që mori postin e nënkryetarit të komunës duke qenë pjesë e LDK-së në Pejë, ka marrë pëlqime e komente nga miqtë duke mbështetur punën e tij.

Për shkeljen e Ligjit të Prokurimit, Gashi ka marrë një pëlqim edhe nga Teuta Sahatqia nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sahatqija është pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, pse ka pëlqyer këtë postim të Shkumin Gashit, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Pas pyetjeve të Gazetës ajo ka reaguar publikisht në profilin e saj në Facebook, duke thënë “kujdes kujt po i bëni like”. 

 “Paska njerëz kujdestar të llajkave të juaj!!!! A janë bre normal? Punë për mu kujt ja bëjë likë dhe kujt jo! S’kam pse me ju dhanë as juve dhe as kërkujt përgjegjësi për punët e mija”, është shprehur Sahatqija në profilin e saj në facebook.

 
Vetë Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Pejës, ka pranuar se e ka shkelur ligjin duke emëruar Gashin në cilësinë e kryetarit dhe anëtarit të komisionit vlerësues në zyrën e prokurimit.

Por ai ka përdorur një proverb dukagjinas në përpjekje për ta relativizuar shkeljen e bërë

“Nuk e kam këtë informatë se është shkelje e ligjit. Nuk e kemi shkelë livadhin… Kemi bërë një shkelje procedurale”, ka thënë kryetari Muhaxheri.

Gashi i cili është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në degën e Pejës, u bë pjesë e komisioneve vlerësuese në shtatë tenderë komunalë.

Ky veprim i Gashit dhe deklarata e Muhaxherit kanë bërë që Lëvizja Vetëvendosje në Pejë të organizojë një aksion përmes të cilit kanë shprehur revoltën e tyre ndaj vendimeve dhe qëndrimeve të Kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri.

Ata kanë vendosur ligjet e Republikës së Kosovës para objektit të Komunës, në vendin ku ato janë shkelur.

“Kryetari i Komunës do të duhej të ishte shembull i respektimit të ligjeve, dhe jo i shkeljeve të tij”, ka thënë anëtarët e kësaj lëvizjeje në Pejë.